
Alarm në Kombëtare, dëmtohet në stërvitjen e djeshme në Durrës mbrojtësi Armend Dallku. Pasi trajneri Josip Kuzhe kishte ndërtuar dy formacione të plota dhe fillon ndeshje të rregullt me të dy portat, shikohet që Dallku shtrihet në tokë duke kërkuar ndihmë. Në atë minutë, Kapllani kishte barazuar shifrat në 1-1, ku më parë për ekipin golin e kishte realizuar Muzaka. Kuzhe ndërpret menjëherë lojën. Kanë vrapuar në një kohë në drejtim të kosovarit fizioterapisti Ylli Mihali, mjeku Arben Çeliku dhe masazhatori Altin Haxhia. Vrapon gjithashtu në këtë drejtim edhe gjermani Ahim Bulinger. Nuk mund të qëndronte larg edhe Kuzhe, së bashku me ndihmësin Mustedanagiç. Kroati është parë me një fytyrë të mërzitur dhe të fiksuar në drejtim të mbrojtësit, duke vendosur dorën në mjekër dhe sikur kërkonte ndihmë nga grupi mjekësor. Fizioterapisti Mihali vendosi fashë specifike në pjesën e dëmtuar të Dallkut. Personeli mjekësor nuk pranoi të jepte sqarime, por gjithsesi burime të sigurta pranë stafit të Kombëtares konfirmuan për “Panorama Sport” se Dallku do të luajë nesër ndaj Francës. Gjithsesi, kjo mbetet për t’u parë. Në momentin që Dallku u dëmtua, kemi parë të hapen çanta dhe të dalin një seri medakimantesh mjekësore. Lojtari u shoqërua nga Mihali jashtë fushës, duke vazhduar terapinë e menjëhershme. Mbrojtësi i krahut të djathtë hoqi këpucët dhe vendosi këmbën e shtrirë mbi një pajisje 30 cm mbi lartësinë e tokës. Ortopedi i Spitalit ushtarak, Arben Çeliku, ndoshta është në minutat më të ngarkuara të tij në angazhimet për rikuperimin e futbollistëve të Kombëtares.
Kuzhe, gati “kartën” Veliu
Ndërprerja e lojës pas dëmtimit të Dallkut vazhdoi pesë minuta. Por u prish ndjeshëm humori dhe një tis i trishtë ra mbi ekipin tonë përfaqësues. Kuzhes i duhet të veprojë me shpejtësi. Koha deri në takimin me francezët sa vjen e limitohet. Ai tashmë duhet të marrë një vendim, të paktën në kushtet e ndeshjes së nesërme. Gjatë stërvitjes u urdhërua mbrojtësi vlonjat Veliu të kalojë në qendër të mbrojtjes përkrah Canës. Ndërkohë, Lila u angazhua në rolin e mbrojtësit të djathtë, si alternativa e vetme për të zëvendësuar Dallkun, gjithnjë nëse kosovari do mungojë.











