Akuzë për 4 vrasje, Prokuroria kërkon burg përjetë për Haki Miskën

Apr 29, 2011 | 8:55

ELBASAN – Prokuroria e Elbasanit kërkon dënim me burg të përjetshëm për të akuzuarin për 4 vrasje në fshatin Prevall të Librazhdit, Haki Miska. Në një seancë me dyer të mbyllura dhe në mungesë të të pandehurit u dha pretenca për 51-vjeçarin, i cili ndodhet aktualisht në dhomat e paraburgimit të Burgut të Sigurisë së Lartë të Peqinit. Miska i ka pranuar krimet; i pari 16 vite më parë, kur ekzekutoi të shoqen, më pas mësuesin e fshatit, njerkun dhe nënën e tij. Vrasja e së ëmës, në shkurt të vitit të kaluar, zbuloi dhe krimet e mëparshme. Miska, sipas hetimeve të kryera mbi këto krime, dyshohet se ka vrarë të shoqen pasi e akuzonte për tradhti bashkëshortore. “Gruan e kam vrarë në muajin prill të vitit 1994, kur hyra në shtëpi dhe në korridor gjeta një palë këpucë që nuk ishin të asnjë familjari. Në dhomën e gjumit, pranë krevatit, gjeta gruan duke u veshur. Menjëherë i kërkova asaj shpjegime, por kjo nuk ndodhi kurrë”, ka deklaruar autori. Ai e ka rrahur të shoqen deri në vdekje, duke e dyshuar për tradhti. Më pas gruan e ka varrosur disa metra larg shtëpisë, ndërsa ka nxjerrë fjalë se ajo ishte zhdukur. Duke e dyshuar se ajo kishte lidhje me mësuesin e fshatit, një vit më vonë Miska akuzohet se ka kryer dhe ekzekutimin e tij. Në vitin 1995, bashkë me të ëmën, ai akuzohet se ka vrarë njerkun, për shkak të një konflikti pronësie. Në të tria vrasjet trupat ose janë zhdukur, ose ngjarjet janë maskuar si aksidentale. Një vit më parë, pas një grindjeje me të ëmën, Miska qëlloi për vdekje me sëpatë të ëmën, Dije Miska, dhe plagosi të bijën. E ëma i kërkonte herë pas here të tregonte të vërtetën mbi gruan, çka e çoi të birin në ekzekutimin e saj. Vendimi i gjykatës për 51-vjeçarin është caktuar të jepet më 11 maj.   m.s

© Panorama.al

Te lidhura