Nga Kosova, ku ndodhet për një vizitë zyrtare, kryeministri Edi Rama theksoi se Prokuroria e Hagës nuk provoi asgjë kundër ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), dhe se aktiviteti i tyre nuk ka asnjë lidhje me terrorin dhe spastrimin etnik që tentuan të bëjnë serbët në vend.
Teksa mori pjesë në promovimin e librit “Kur heshtja flet” nga Ahmet Shala, akademik e ish-ambasador i Kosovës, që flet mbi gjykimin në Hagë kundër udhëheqjes së UÇK-së, Rama tha se lajmi nga kërkesa e Prokurorisë për të dënuar me 180 vite burg 4 ish krerët e ushtrisë ishte i zymtë dhe se organi i akuzës nuk ka mundur të vërtetojë asnjë gjë në lidhje me akuzat që ka ngritur ndaj tyre.
Rama tha se aktiviteti i tyre nuk kishte asnjë lidhje me terrorin dhe spastrimin etnik, por se ata u armatosën për të larguar sundimin e huaj nga toka e tyre. Më tej, ai shtoi se gjykata Speciale e Hagës u votua si një gjykatë e Kosovës dhe jo për ta vendosur vendin shqiptar në bankën e të akuzuarve.
“Prokuroria nuk pati kapacitetin të provojë asgjë të ngjashme sepse nuk ka asgjë të ngjashme në aktivitetin e 4 udhëheqësve të UÇK. Nuk ka asnjë lidhje aktiviteti i tyre dhe i UÇK mbi terrorin mbi popullsisë civile, spastrimin etnik, varret masive të njerëzve të pafajshëm, shënjestrimin e fëmijëve dhe grave nga snajperët e vendosur aty me këtë qëllim apo me përdhunime e vrasje, mbytje njerëzish në lumë. Asgjë. Ata katër burra nuk u armatosën për të ndërtuar një politikë shfarosjeje, por u armatosën kundër një politike shfarosëse. Nuk u armatosën për të imponuar sundimin e tyre në një territor të huaj, por për të hequr qafe sundimin e të huajve në tokën e tyre.”, u shpreh kryeministri.
Sipas tij, gjyqi ndaj ish krerëve është një plan që ka nisur nga raporti famëkeq i Dick Martyt për trafik organesh, për të cilin tha se uron që të mos gjejë kurrë prehje aty ku është”.
“Sot jemi në kushtet kur ka marrë formë thuajse përfundimtare pasi fjalën e fundit e ka sigurisht gjykata, një plan shumë afatgjatë jetësimi i të cilit ka nisur me raportin famëkeq të Dick Martit që mos gjetë kurrë prehje aty ku është.”, shtoi Rama.
Pjesë nga fjala e Ramës:
Ftesën e mora nga profesor Ahmeti përpara se sa të merrnim lajmin e zymtë nga tribunali në Hagë, mbi kërkesën absurde të Prokurorëve për të dënuar 45 vjet çdo njërin prej 4 udhëheqësve të UÇK. Për hir të së vërtetës, e pata të vështirë të mund të shkruaj një fjalë nga fillimi në fund sepse përballë një situate të tillë, fjalët nuk janë aspak të lehta për t’u gjetur, ndërkohë që ndër disa mendime që besoj mund të vlejnë të ndahen me ju, i pari ishte mendimi se kush është sot në të njëjtën godinë pothuajse që vuan dënim pas vendimit të gjykatës ndërkombëtare. Sot të dënuar nga drejtësia ndërkombëtare janë Radovan Karaxhiqit, që u dënua me burgim të përjetshëm për një epokë të tërë terrori e spastrimi… tani sipas kërkesës së Prokurorisë së Tribunalit në Hagë, këtyre të dënuarve do t’u shtohen edhe 4 të tjerë në anën tjetër të barrikadës.
Ndërkohë që prokuroria nuk pati kapacitetin të provojë asgjë të ngjashme sepse nuk ka asgjë të ngjashme në aktivitetin e 4 udhëheqësve të UÇK. Nuk ka asnjë lidhje aktiviteti i tyre dhe i UÇK mbi terrorin mbi popullsisë civile, spastrimin etnik, varret masive të njerëzve të pafajshëm, shënjestrimin e fëmijëve dhe grave nga snajperët e vendosur aty me këtë qëllim apo me përdhunime e vrasje, mbytje njerëzish në lumë. Asgjë. Ata katër burra nuk u armatosën për të ndërtuar një politikë shfarosjeje, por u armatosën kundër një politike shfarosëse. Nuk u armatosën për të imponuar sundimin e tyre në një territor të huaj, por për të hequr qafe sundimin e të huajve në tokën e tyre.
Ata vetë me dorën e tyre, e votuan në parlamentin e Kosovës, një gjykatë e cila në letër është një gjykatë e Kosovës, jo për të vendosur në bankën e të akuzuarve Kosovën. Sot jemi në kushtet kur ka marrë formë thuajse përfundimtare pasi fjalën e fundit e ka sigurisht gjykata, një plan shumë afatgjatë jetësimi i të cilit ka nisur me raportin famëkeq të Dick Martit që mos gjetë kurrë prehje aty ku është.
© Panorama.al












