Gjatë protestës së 19-të në Tiranë, një aktivist u bëri thirrje deputetëve të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike që t’u bashkohen protestuesve kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.
Në fjalën e tij para qytetarëve të mbledhur, ai përmendi edhe vendimin e deputetes socialiste, Marjana Koçeku, për t’u larguar nga grupi parlamentar i PS-së, duke e cilësuar si një shembull për t’u ndjekur.
“Ftojmë krejt deputetët e PS-së dhe PD-së të na bashkohen, të ndjekin shembullin e Marjana Koçekut, t’i thërrasin ndërgjegjes dhe të mos rrinë në anën e errët të historisë”, u shpreh aktivisti.
Ai gjithashtu përmendi qëndrimin e Parlamentit Europian, i cili kërkoi një moratoriumi mbi të gjitha lejet e reja dhe punimet ndërtimore brenda zonave të mbrojtura.
“Parlamenti Europian na dha të drejtë neve, protestuesve të ashtuquajtur torollakë nga ky kryeministër torollak”, tha ai.
Duke iu drejtuar kryeministrit Edi Rama, aktivisti përsëriti kërkesën kryesore të protestës: “Edi Rama, largohu sepse ne nuk largohemi”.
Aktivisti: Parlamenti Europian na dha të drejtë neve, protestuesve të ashtuquajtur torollakë nga ky kryeministër torollak. Faleminderit nga zemra për të gjithë pjesëmarrësit këtu dhe ata që kanë dëshirë me zemër dhe do të vijnë këto ditë, sepse janë bërë pjesë e historisë. E të anës së drejtë të historisë së Shqipërisë.
Ftojmë krejt deputetët e PS-së dhe PD-së të na bashkohen, të ndjekin shembullin e Marjana Koçekut, t’i thërrasin ndërgjegjes, të mos rrinë në anën e errët të historisë, sepse ne jemi garanci që historia të ndryshojë. Edi Rama, largohu sepse ne nuk largohemi.
© Panorama.al











