Aktivisti Andi Tepelena ka bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës së nesërme para Parlamentit, duke paralajmëruar një aksion simbolik me vezë dhe miell ndaj deputetëve.
“Dua të përsëris thirrjen për nesër. Nesër me vezë, me miell me vete dhe ta gatuajmë bashkë brumin e demokracisë. Do të dalim aty për t’i treguar atij parlamenti të krimit që nuk janë përfaqësuesit tanë, ata nuk na përfaqësojnë ne”, tha ai.
Sipas Tepelenës, protesta synon krijimin e një “Republike të Re”, ku qytetari të jetë në qendër dhe vota të jetë e barabartë. Ai u bëri thirrje protestuesve që të marrin pjesë në tubimin para Parlamentit dhe të mos kenë frikë nga policia.
“Ata do të bëjnë çmos me patronazhistë dhe lloj-lloj banditësh që kanë. Ne nuk kemi frikë, sepse jemi bashkë, për një kauzë të drejtë dhe një Shqipëri të lirë”, tha ai.
Andi Tepelena: Dua të përsëris thirrjen për nesër. Nesër me vezë, me miell me vete dhe ta gatuajmë bashkë brumin e demokracisë. Do të dalim aty për t’i treguar atij parlamenti të krimit që nuk janë përfaqësuesit tanë, ata nuk na përfaqësojnë ne.
Ne jemi këtu për të ngritur një sistem të ri, një Republikë të Re. Një Republikë të Re që barazon votën. Ne duam zgjedhje të ndershme dhe votë të barabartë, që çdo shqiptar të votojë i lirë. Pas 36 vitesh na e kanë mbledhur këtë sistem dy kryetarë partie, e kanë kthyer në Republikë të kryetarëve, ndërsa ne duam Republikë të qytetarëve, ku qytetari të jetë në qendër, t’i japim referendum.
Kjo është luftë për demokracinë, për të drejtat tona. Ndaj, në ato pesë pika të famshme e kemi theksuar një reformë elektorale, zgjedhore, ku të garantohet vota, vota e lirë. Sepse ajo do të na bëjë të lirë të gjithëve.
I bëj thirrje që këtij parlamenti t’i tregojmë vendin. Është momenti të ngrihemi në lartësinë e duhur, të bëjmë një rrethim demokratik të parlamentit. Mos u shantazhoni nga policia, mos kini frikë. Ata do të bëjnë çmos me patronazhistë dhe lloj-lloj banditësh që kanë. Ne nuk kemi frikë, sepse jemi bashkë, për një kauzë të drejtë dhe një Shqipëri të lirë.
© Panorama.al











