Një nga aktivistët e protestës masive të qytetarëve shqiptarë para kryeministrisë në bulevard mbrëmjen e sotme (6 qershor), apeloi dhe këshilloi të gjithë qytetarët në shesh që të tregonin kujdes dhe kulturë, ndryshe nga çfarë sillet politika.
Ai tha se jo vetëm tentohen provokime, por infiltrohen edhe aktivistë politikë që duan të flasin në podium apo të përçajnë protestën me mesazhe. Ai nënvizoi se të gjithë ishin të fotografuar dhe nuk do lejoheshin.
“Nuk jemi këtu për karrigen e askujt, jemi për Shqipërinë. Jepini zë figurave dhe intelektualëve. Aktivistët politikë i kemi evidentuar, i kemi me foto, mos u mundoni të vini të flisni këtu”, tha ai.
Ndërsa tërhoqi vëmendje që protestuesit të mos shkonin para asnjë selie partiake pas protestës, për të mos shkaktuar edhe provokime, pasi kultura e tyre është ndryshe.
“Të tregojmë se ne jemi më me kulturë se ata që kanë 35 vite që shajnë në parlament dhe na tregojnë ne kulturën. Ju lutem, t’i tregojmë kulturën atyre njerëzve, të largojmë partiaket dhe aktivistët”, u shpreh qytetari.
© Panorama.al












