Protestës së sotme në bulevard nuk i mungoi përfaqësimi me fjalime nga të gjitha shtresat e shoqërisë dhe trojet shqiptare.
Mes tyre edhe një mësues që tha se kishte ardhur në shesh bashkë me klasën.
Mësuesi i historisë tha se kishte lënë auditorët për t’iu bashkuar kauzës së qytetarëve përpara Kryeministrisë. Ai theksoi se misioni i vërtetë i arsimtarit nuk është thjesht ligjërimi brenda katër mureve, por mbrojtja e së ardhmes së brezit të ri.
“Jam mësues që kam dalë në krah të studentëve të mi. Jam mësues historie. Nuk u shpjegoj dot në klasë histori, klasa është këtu. U bëj thirrje kolegëve, mjaft u ankuat nëpër salla, dilni në krah të nxënësve tuaj dhe bëni misionin tuaj. Mos u ankoni më por jini minimumi si nxënësit tuaj!”, tha ai mes të tjerash.
Me një thirrje të ndjerë drejtuar kolegëve të tij në mbarë Shqipërinë, mësuesi u shpreh se koha e ankesave nëpër salla mësuesish duhet të marrë fund dhe se sheshi është vendi ku shkruhet historia sot.
Ai fajësoi klasën politike shqiptare që gjithnjë cenon jo vetëm historinë, por edhe integritetin territorial, duke i cilësuar si “pardesytë e bardha” politikanët e dyshuar që punojnë kundër Shqipërisë.
“T’i japim fund Katovicës dhe pardesyve të bardha”, tha ai me një thirrje të fundit, duke i dhënë zemër protestuesve që të mos dorëzoheshin deri në fund.
© Panorama.al












