Nivelet e radioaktivitetit pranë centralit Fukushima janë rritur sërish, duke shënuar shifra 10 mijë herë më radioaktive se norma e lejuar me ligj. Niveli i helmimit është rritur pas kalimit të ujërave nëntokësore nga shtrati i reaktorit 2 të centralit të Fukushimës drejt detit. Po të njëjtat nivele rrezikojnë të arrihen edhe pranë reaktorit 1, sipas zyrtarëve të TEPCO, kompania që operon me centralin. Ndërkohë, moti nuk i ka ndihmuar aspak ekspertët të përparojnë me pengimin e përhapjes së radioaktivitetit në centralin Fukushima, ku ditët e fundit janë shënuar shifra tejet shqetësuese. Qeveria japoneze nuk e ka pranuar propozimin ndërkombëtar për zgjerimin e rrezes së evakuimit përreth Fukushimës. Qeveria e Japonisë tha se nuk ka plane për ta zgjeruar zonën e evakuimit, përkundër rekomandimeve të Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore. Japonia e ka shpallur zonën e evakuimit 20 km rreth centralit, por agjencia kërkoi dyfishimin e saj, në 40 km. Rreth 140 ushtarakë amerikanë të specializuar në kontrollin e radioaktivitetit, do të mbërrijnë shumë shpejt në Japoni, për të ndihmuar me përballjen në emergjencën e Fukushimës. Ministri japonez i Mbrojtjes e dha këtë lajm, duke folur për përpjekjet ndërkombëtare për të ndihmuar Japoninë. Që pas tërmetit të 11 marsit, çdo ditë toka japoneze pëson dridhje të reja. Dje u shënua një tërmet me magnitudë 6.0 ballë në prefekturën e Miyagit. Ndërkohë, kryeministri Naoto Kan ka siguruar qytetarët e tij se centrali nuklear në Fukushima do të shkatërrohet. Gjatë një takimi me krerët më të lartë të Partisë Komuniste japoneze, Kan ka shpjeguar se do të kërkojë “të rishikojë nga zero planin e ndërtimit të centraleve të reja nukleare”, sipas raportimit të agjencisë “Kyodo”.
Rishikim standardesh
Presidenti i Francës, Nikolas Sarkozi, ka kërkuar reformimin e standardeve në fushën e energjisë bërthamore në të gjithë botën deri në fund të vitit. Kërkesa e Sarkozisë erdhi pas përkeqësimit të krizës bërthamore japoneze, pas tërmetit dhe cunamit të 11 marsit. Franca ka qenë skeptikja më e fortë e informacioneve optimiste të ofruara nga qeveria japoneze për centralin.











