“Ai e dinte, mami im i mbante paratë në gjoks”- Burri i helmoi prindërit për t’u marrë pensionin, flet bashkëshortja e 36-vjeçarit në Librazhd: Kjo është një gjë që nuk falet

Nov 28, 2025 | 13:27

Bashkëshortja e 36-vjeçarit, i cili helmoi me valium prindërit e saj ka folur për emisionin “Me Zemër të Hapur”, të moderatores Evis Ahmeti, ku ka dhënë detaje lidhur me ngjarjen e rëndë.

ismail kllogjri

Bëhet fjalë për ngjarjen e ndodhur më datë 22 nëntor në Librazhd, ku dhëndri u dha prindërve të nuses se tij doza të mëdha valiumi për t’i vënë në gjumë të thellë, në mënyrë që ai të mundej t’u vidhte paratë e pensionit të çiftit të moshuar.

Ajo tha se veprimi që ka bërë bashkëshorti i saj është i pafalshëm, teksa tregoi me detaje se çfarë ndodhi mbrëmjen kur i shoqi Ismail Kllogjri shkoi në shtëpinë e prindërve të saj, për t’i vënë në gjumë të thelle më valium në mënyrë që t’u vidhte pensionin në qetësi.

“Të gjithë janë të shokuar nga ngjarja. Kjo është një gjë që nuk falet. Imagjino, mund të ma bëjë mua këtë gjë dhe fëmijëve të mi. Ai tha se ishte penduar. Tani do shoh punën time. Më dhimbsen prindërit e mi. Çfarë do lloj gjejë nuk falet se rrezikoi jetën e prindërve. Mami më tregoi se; i kishte ndihmuar me disa punë. Kishin ngrënë drekë dhe ai i kishte dhënë nga një gotë me lëng. Ajo kishte thënë se nuk donte, se di nëse ia ka dhënë me zor. Ajo nuk mban mend. Unë kur shkuam në spital i thash; mos e kë bërë ti?! Ai ma mohoi dhe më tha që; jo se kam bërë, i kam dashur, i kam respektuar. Besoj se ai e ka bërë. Vështirë ishim nga gjendja ekonomike. Se mund të ketë marrë dhe ndonjë borxh. Se unë s’kam ditur gjë. Ai e dinte se ku i mbanin lekët. Mami i mbante paratë në gjoks. Ata merrnin pension. Prindërit më thanë; ti e di, bëj çfarë të duash. Ti e di.”, tha ajo.

Lexo edhe: Dhëndri helmoi prindërit e nuses me valium për t’u vjedhur pensionin, flet e moshuara: Na pyeti ‘si jeni’, më pas…

Kujtojmë se hetimet e policisë lidhur me ngjarjen nisën pasi çifti i bashkëshortëve ishin dërguar fillimisht në spitalin e Librazhdit dhe më pas në QSUT, në gjendje të rënduar shëndetësore, të dyshuar për intoksikim.

Nga hetimet rezultoi se dhëndri i tyre, 36-vjeçari Ismail Kllogjri dyshohet se u ka dhënë një dozë të lartë medikamenti qetësues duke u shkaktuar dëmtime të rënda shëndetësore, dhe më pas ka vjedhur një shumë parash në banesën e tyre.

Njoftimi i policisë

Finalizohet operacioni policor i koduar “Opportunity”

Operacioni u zhvillua nga Komisariati i Policisë Librazhd, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimeve kundër Personit të DVP Elbasan, nën drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit.

I dha çiftit të moshuar një dozë të lartë medikamenti qetësues (valium) dhe më pas vodhi një shumë parash në banesën e tyre; identifikohet dhe vihet në pranga 36-vjeçari.

Sekuestrohen shuma e parave të vjedhura dhe një celular.

Pas marrjes së njoftimit se dy bashkëshortë ishin dërguar fillimisht në spitalin e Librazhdit dhe më pas në QSUT, në gjendje të rënduar shëndetësore dhe të dyshuar për intoksikim, shërbimet e Komisariatit të Policisë Librazhd organizuan menjëherë punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Falë veprimeve të shpejta dhe të koordinuara hetimore, të kryera në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve kundër Personit në DVP Elbasan dhe nën drejtimin e Prokurorisë, në kuadër të operacionit “Opportunity”, u bë e mundur zbardhja e plotë e ngjarjes, si dhe identifikimi, kapja dhe arrestimi i autorit të dyshuar, shtetasit I. K., 36 vjeç.

Nga hetimet rezultoi se autori, i afërm familjar i çiftit të moshuar (dhëndri i tyre), dyshohet se u ka administruar atyre një dozë të lartë medikamenti qetësues, të dyshuar si valium, duke shkaktuar dëmtime të rënda shëndetësore, dhe më pas ka vjedhur një shumë parash në banesën e tyre. Të dy bashkëshortët ndodhen nën kujdesin e mjekëve dhe janë jashtë rrezikut për jetën.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan shuma e parave të vjedhura dhe një celular.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

© Panorama.al

Te lidhura