Një qytetar që prej 17 ditësh i është bashkuar protestës kundër qeverisë ka mbajtur një fjalim emocional para protestuesve, duke thënë se pavarësisht përballjes me një sëmundje të rëndë, ka zgjedhur të qëndrojë në shesh për të kërkuar drejtësi.
“Prej 17 ditësh jam mes jush kundër një pushteti që i ka marrë frymën këtij populli. Sot po ju flas si një njeri që prej tre vitesh lufton me kancerin. Trupi im është në luftë me sëmundjen, por shpirti im është në luftë me një kancer më të madh, me padrejtësinë, korrupsionin dhe shkatërrimin e Shqipërisë”, tha ai.
Ai u bëri thirrje qytetarëve të bashkohen me protestën, duke theksuar se nuk ka më kohë për të pritur, pasi për Shqipërinë e nesërmja mund të jetë shumë vonë.
Qytetari: Vëllezër shqiptarë, sot nuk jam këtu për të kërkuar mëshirë, jam këtu për të kërkuar drejtësi. Prej 17 ditësh jam mes jush kundër një pushteti që i ka marrë frymën këtij populli. Sot po ju flas si një njeri që prej tre vitesh lufton me kancerin.
Trupi im është në luftë me sëmundjen, por shpirti im është në luftë me një kancer më të madh, me padrejtësinë, korrupsionin dhe shkatërrimin e Shqipërisë. Nëse unë, me plagë, qëndroj këtu ditë e natë, ju pyes, çfarë na pengon të ngrihemi të gjithë?
Që sot unë nuk do të largohem nga ky shesh. Do të jem këtu ditë e natë, derisa ta dëgjojnë zërin tonë. Nuk ka më luks të pres, as Shqipëria nuk ka luks të presë. O sot të ngrihemi, se nesër do të jetë tepër vonë. Ejani me mua. Mos u trembni, ky plehra nuk jep dorëheqjen kurrë nëse nuk rrimë këtu. Shqipëria nuk shpëtohet me frikacakë, por me ata që sakrifikojnë.
© Panorama.al











