Interi po lëviz me vendosmëri në merkaton e verës dhe objektivi i parë i madh për trajnerin Kristian Kivu duket se është përforcimi i mbrojtjes.

Në krye të listës qëndron Oumar Solet, mbrojtësi i Udinezes, i cili është gjithnjë e më pranë kalimit te kampionët e Italisë.
Takimi Auzilio-Nani afron marrëveshjen
Drejtori sportiv i Interit, Piero Auzilio, zhvilloi një takim të rëndësishëm me homologun e tij te Udinezez, Xhanluka Nani. Bisedimet mes dy klubeve kanë nxjerrë në pah negociatat që prej kohësh zhvilloheshin në prapaskenë për Solet.
Mbrojtësi francez 26-vjeçar konsiderohet një nga objektivat kryesorë të merkatos zikaltër dhe palët janë afruar ndjeshëm drejt një marrëveshjeje. Mbeten për t’u zgjidhur disa detaje mbi formulën e transferimit dhe vlerësimin ekonomik të kartonit të lojtarit. Interi ka arritur tashmë akordin me përfaqësuesit e futbollistit për një kontratë katërvjeçare me pagë rreth 2.5 milionë euro në sezon.
Klubi friulan e vlerëson Solet jo më pak se 25 milionë euro. Interi është afruar shumë me këtë shifër dhe diferenca mes palëve është vetëm rreth 3 milionë euro. Zikaltërit po përpiqen të gjejnë formulën më të favorshme, duke preferuar një huazim me detyrim ose të drejtë blerjeje, në vend të një transferimi të menjëhershëm. Megjithatë, optimizmi mbetet i lartë dhe marrëveshja duket gjithnjë e më pranë.
Jo vetëm Solet, Interi monitoron edhe Ata
Gjatë diskutimeve mes klubeve ka dalë në skenë edhe një tjetër emër interesant, Artur Ata. Mesfushori francez 23-vjeçar i Udinezes gëzon prej kohësh vlerësim të madh nga drejtuesit e Interit dhe vetë Kivu. Ata konsiderohet një profil modern, me forcë fizike, aftësi në driblim dhe shpejtësi në mendim, karakteristika që do t’i shtonin alternativa të reja mesfushës zikaltër. Për momentin Interi është kufizuar vetëm në kërkimin e informacioneve, por interesi mund të rritet ndjeshëm në javët e ardhshme.
Kivu kërkon rinovimin e mbrojtjes
Përforcimi i repartit defensiv është prioritet për trajnerin rumun. Interi ka nisur një proces rinovimi pas largimeve të lojtarëve me përvojë si Mateo Darmian dhe Françesko Açerbi. Në të njëjtën kohë, edhe e ardhmja e Jan Bisek nuk konsiderohet më e sigurt, ndaj ardhja e Solet shihet si një lëvizje strategjike për të garantuar stabilitet dhe freski në mbrojtjen zikaltër. Solet mbetet objektivi numër një, ndërsa Ata mund të jetë surpriza e radhës në merkaton e Interit.
PANORAMASPORT.AL
© Panorama.al











