Dani Olmo në vitrinë, Çabi Alonso e do në skuadrën e tij

Jun 11, 2026 | 13:57

Çelsi ka shfaqur interes për transferimin e Dani Olmos gjatë verës, me kërkesë të trajnerit të ri Xabi Alonso, i cili e sheh spanjollin si një përforcim ideal për repartin ofensiv para sezonit të ardhshëm. ‘Blutë e Londrës’ mendohet se po përgatisin një ofertë prej 70 milionë eurosh.

olmo

Projekti i udhëhequr nga tekniku bask, i cili pritet të marrë zyrtarisht drejtimin e skuadrës në ‘Stamford Bridge’, synon të rikthejë londinezët mes elitës së futbollit anglez, përmes transferimeve të profilit të lartë. Drejtuesit e klubit janë të vendosur t’i ofrojnë trajnerit të ri të gjitha mjetet e nevojshme për ta kthyer skuadrën në garë për trofetë më të rëndësishëm. Një nga objektivat kryesorë të Alonsos për repartin ofensiv është Dani Olmo, të cilin ai e konsideron si pjesën kyçe për të rritur kreativitetin dhe cilësinë në zonën e mesfushës.

Trajneri spanjoll dëshiron të ndërtojë një repart sulmues spektakolar, ku Olmo do të kombinohej me talentin premtues të Estevaos, cilësitë e Kol Palmer dhe shpejtësinë e “bomberit” Zhoao Pedro. Edhe pse ai ka kontratë deri në verën e vitit 2030, paraqitjet e tij të paqëndrueshme gjatë sezonit të fundit kanë ngritur pikëpyetje në ‘Camp Nou’.

Olmo e mbylli sezonin me tetë gola dhe dhjetë asistime në 49 paraqitje zyrtare, por drejtori sportiv Deko dhe drejtuesit e klubit besohet se janë të gatshëm të dëgjojnë oferta për largimin e tij. Barcelona synon të përdorë rreth 70 milionë eurot e mundshme nga shitja e Olmos për të financuar transferime të tjera që do t’i japin më shumë alternativa taktike trajnerit Flik për sezonin e ardhshëm.

PANORAMASPORT.AL

© Panorama.al

Te lidhura