A ka ndonjë rol media sociale në këto zgjedhje?

Apr 9, 2011 | 10:34

REXHEP MEIDANI

A mund te behet fushate si vite më pare?!
Natyrisht, nuk bëhet fjalë për ndonjë stil pozitiv apo negativ fushate të njohur mirë…në mjedisin shqiptar, as për të veçuar “teatrin” e premtimeve të çuara në qiell prej njërës palë, as për të vazhduar skenimin demagogjik me baltosje prej palës tjetër. Bile, sot, debati apo “konfrontimi” mediatik i ideve, kandidatëve dhe forcave politike pjesëmarrëse është mëse i domosdoshëm, kërkesë qytetare, pse jo dhe pasqyrë e emancipimit tonë demokratik. Dhe, e gjitha kjo mund të realizohet mirë me median tradicionale. Por nuk duhet ndaluar vetëm aty… Sot, revolucioni dixhital po luan një rol të ngjashëm me atë të revolucionit industrial në shekujt XVIII-XIX. Njëlloj si ai revolucion industrial që shënoi një pikë kthese me efekte të gjithanshme socio-ekonomike e kulturore në historinë e njerëzimit, revolucioni dixhital i qarqeve logjike dhe teknologjive përkatëse, përfshirë kompjuterët, telefonat celularë etj., po vepron fuqishëm në çdo aspekt të veprimtarisë tonë. Akoma më i rëndësishëm është ndikimi i internetit, impakti i “web”-it mbi fuqinë e pushtetin, mbi politikën ndërkombëtare dhe biznesin, madje i pazëvendësueshëm po bëhet ai në procesin e edukimit dhe zhvillimit ekonomik. Nëpërmjet tij, shumë shërbime e media funksionojnë sot pa pagesë “online”. Mbi të gjitha, me anë të tij, nëpërmjet një procesi të lirë dhe të shpejtë, përdoruesit e internetit shkëmbejnë me anë të tij mendimet, preferencat, kuriozitetet e dëshirat e tyre. Në një proces elektoral, kjo vlen edhe për kontaktin politikan-qytetar, kandidat-votues. Por, dhe midis proceseve zgjedhore, si llogaridhënie për kryerjen e detyrës publike. Kjo po ndodh aktualisht në botën demokratike dhe rezultatet janë të prekshme dhe të dukshme.
E thënë ndryshe, “web”-i po ndikon në mënyrë të larmishme mbi veprimtarinë dhe marrëdhëniet tona, deri duke ndryshuar mënyrën e të punuarit dhe të menduarit. Bile, me anë të këtij procesi elektronik komunikimi e kontakti ne po formësojmë konceptet e kodet, sjelljet dhe veprimet tona. Jo thjesht në një lëvizje me një drejtim të vetëm, por sipas dy drejtimeve të kundërta, si aktorë e spektatorë, si veprues e pësues, si prodhues e konsumatorë, si blerës dhe shitës, brenda rrjeteve tona sociale. Dhe ky është një ndryshim tepër i madh, i paimagjinueshëm pak vite që parë! Pjesë thelbësore e këtij ndryshimi është dhe ajo që quhet media sociale…
Por, ç’është media sociale?
Media elektronike dhe ajo e shkruar luajnë një rol parësor në procesin e edukimit, kultivimit apo informimit të qytetarëve mbi komunitete e individë, procese e ngjarje, zhvillime sociale, kulturore, politike etj. Në një mënyrë apo tjetrën, një media e tillë është një instrument i fuqishëm komunikimi. Por, akoma më e fuqishme po rezulton dhe media sociale si një instrument shoqëror komunikimi. Në përgjithësi, ndryshe nga media industriale e tradicionale (gazeta, radio, televizioni, filmi), që kërkon burime të konsiderueshme në publikimin e informacionit, media sociale nuk është e kushtueshme, madje relativisht e kapshme dhe lehtësisht depërtuese te gjithsecili për marrje e dhënie informacioni e komunikimi. Për më tepër, media sociale, nga vetë natyra e saj, është shumë më pak e decentralizuar, më pak hierarkike, e menjëhershme në komentim e publikim dhe e dallueshme në sajë mundësive të shumëfishuara të prodhimit e përdorimit.
Në këtë kuptim, një “website” nuk na jep thjesht një informacion, por dhe bashkëvepron me ne gjatë dhënies së këtij informacioni. Ky bashkëveprim mund të jetë i thjeshtë si reagim apo përgjigje ndaj një pyetjeje, si një koment apo vlerësim, si një votim për një punim e shfaqje, si sondazh për një individ apo grupim etj., brenda një grupi interesi apo shumë më gjerë.
Praktikisht, në çdo rast, përfshirë dhe fushatat elektorale të mbushura me lloj-lloj premtimesh, diku me pak reagim apo pa kundërvënien më të vogël, diku dhe pa ballafaqim e argumentim, media e zakonshme funksionon, me ndonjë përjashtim të rrallë, vetëm në një drejtim. Sepse ne mund të lexojmë një gazetë apo të dëgjojmë një lajm, një raport në radio e televizion, por ama, kemi një mundësi të kufizuara për të shfaqur edhe ne mendimin tonë si lexues, dëgjues apo shikues mbi çështjen që trajtohet. Krejt ndryshe, media sociale mishëron një komunikim të dyanshëm, pjesë e të cilit jemi dhe ne në mënyrë individuale apo grupore. Kështu, për shembull, të tillë janë ndërveprimi apo debati në “Facebook”, shkëmbimi i fotografive apo videove në “YouTube” etj. Në përgjithësi, çdo “website” që na fton apo na mundëson për të ndërvepruar me të njëlloj dhe si vizitorë të tjerë mund të konsiderohet si media sociale. Sepse, në thelbin e vet, media sociale është një media e bashkëveprimit social apo e dialogut ndërveprues duke përdorur teknika komunikimi tepër të sofistikuara. Një gjë e tillë e bën këtë media të papëlqyeshme, bile të urrejtshme, prej abuzuesve të pushtetit politik e publik. Në fakt, duke e komanduar median tradicionale ata arrijnë ta manipulojmë realitetin, ndërkohë që media sociale, nga mënyra e funksionimit dhe shtrirjes së saj, mund të arrijë të kundërtën. Kjo është arsyeja që një media e tillë u bë një armë e fuqishme, pjesë integrale e revoltave dhe revolucioneve arabe të fillim vitit 2011!…
A mund të shfrytëzohet media sociale në Tiranë?
Përveç çështjeve serioze të viteve të fundit mbi financimin e partive politike dhe fushatave zgjedhore, për më tepër me mbylljen e syve ndaj abuzimeve në këtë financim, një problem në vete, në fushatën zgjedhore, është dhe respektimi i barazisë së kohës apo minutazhit televiziv për çdo kandidat apo forcë politike, sidomos për radiotelevizionin publik e televizionet kombëtare. Krahas KKRT-së, bordit të monitorimit të KQZ-së, pjesë e këtij vëzhgimi e kontrolli duhet të jenë dhe vetë gazetarët e medias elektronike dhe të shkruar, struktura të tjera monitoruese të zgjedhjeve prej shoqërisë civile, OSCE/ODIHR, vetë partitë dhe kandidatët. Mirë apo keq për këtë, pra, dhe raportohet. Edhe pse dihet që balanca gjithmonë shkon nga ana e të fortit, d.m.th. dhe e pushtetit politik (pse jo dhe ekonomik!). Prandaj, për këtë çështje, shpesh bëhet dhe sherr i madh!…
Një mundësi tjetër që i shërben balancimit kohor elektoral, por dhe kontaktit më të drejtpërdrejtë të kandidatëve e partive me qytetarët, është dhe media sociale. Madje, në Tiranë, po të shfrytëzohen mirë mundësitë e saj, ndikimi nuk duket të jetë aq i vogël. Sidomos kjo kuptohet mirë në rrethet rinore. Por dhe aty, për mbarëvajtjen normale të kontaktit dhe komunikimit, si problem serioz mbetet ai i etikës, mosabuzimit me gjuhën, cilësisë së debatit të vetë përdoruesve të “website”-ve si votues, nga njëra anë, dhe të kandidatëve, nga ana tjetër. Tjetër gjë është argumenti qytetar apo leximi realist i veprimtarisë dhe i premtimeve të kandidatit, tjetër gjë është pozicionimi partizan fanatik e ofendues. Disa elemente të një komunikimi normal dhe fushate të tillë elektronike janë ndeshur dhe në zgjedhjet e fundit. Por kjo bëhet shumë më e mundshme dhe e shtrirë tani, pas dy vjetëve. Madje, po të arrihej dhe cilësia e këtij kontakti, do të ishte me të vërtetë një shenjë e mirë për kulturën e pjekurinë tonë elektorale. Aq më tepër që pjesa kryesore e përdoruesve nuk debaton me emrin e vet, por me një emër të sajuar, apo pseudonim. Por, qoftë dhe duke duruar abuzimin, vlen të tentohet të futet gjerësisht dhe kjo mënyrë bashkëkohore komunikimi, kontakti e dialogu…
Në një forum për zgjedhjet, kur, midis të tjerash, hodha idenë e shfrytëzimit në fushatë të medias sociale, disa “skeptikë” të pranishëm e konsideruan si të mundshëm realizimin e saj vetëm pas një periudhe mbi 20-vjeçare. Por, nuk duhet harruar se gjithçka rreth nesh po ndryshon mjaft shpejt, duke ndikuar fuqishëm mbi mendësinë, konceptet, sjelljen, rregullat e akomodimit në këtë botë të dixhitalizuar. Prandaj, më tepër urgjencë dhe shpejtësi adoptimi kërkohet në botën shqiptare, që dhe kështu ka mbetur prapa. Dhe, mbi të gjitha, nuk duhet harruar që pjesë aktive e kësaj medieje sociale është rinia, sidomos ajo e shkolluar, që ndaj politikës dhe proceseve zgjedhore po krijon një apati e indiferencë në rritje. Në këtë kuptim, kandidati që e fiton këtë segment indiferent dhe jo partizan të elektoratit, ka shumë mundësi të rrisë shanset e fitores për zgjedhjet nëTiranë…

© Panorama.al

Te lidhura