A do thirret kryeministri Rama në SPAK? Ja si përgjigjet gazetarja Lala

Oct 31, 2025 | 21:35

Prokuroria e Posaçme po tregon se ka fituar pavarësinë e saj për të goditur abuzimet e zyrtarëve edhe në nivelin më të lartë.

edi rama

Gazetarja Klodiana Lala shprehet se duke ndjekur historikun penal të viteve të fundit, ku shumë zyrtarë dhe ish-zyrtarë janë thirrur në SPAK, akuzuar, gjykuar apo arrestuar, kupton se për çështjen më të fundit, marrjen si të pandehur të zv/kryeministres Belinda Balluku, radha për të shkuar në Prokurori i ka ardhur edhe kryeministrit Edi Rama.

Ndërsa ndau mendimin se Balluku moralisht duhet të largohet, edhe pse dorëheqja mbetet në zgjedhjen e saj, gazetarja u shpreh për “News 24”:

“Emri i Ballukut u përmend nga ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj, ashtu sikurse edhe i kryeministrit. Emri i tij del tek tuneli i Llogarasë, te dosja Mcgonigal dhe të tjera. Nuk e shoh të largët ditën që emri i kryeministrit do të mbërrijë në SPAK, qoftë edhe për t’u pyetur. Ka një logjikë, nisi me Alqi Bllakon, lefter Kokën, Ilir Beqajn, Jurgen Çyrbjan, Erion Veliajn, Ilir Metën, e kur shkon te Balluku që është një shkallë më poshtë se Rama, shigjeta drejtohet nga Rama”, tha Lala.

Më tej ajo shpjegoi se më lartë se Balluku tani mbetet vetëm kryeministri dhe duke ndjekur praktikën e këtyre viteve, është normale që edhe Rama të shkojë për të dhënë shpjegime në organin e akuzës.

“Kush është më sipër saj tani? Sigurisht që kryeministri Edi Rama dhe besoj se edhe ai do thirret në SPAK”, u shpreh gazetarja në emisionin “Kjo javë”.

© Panorama.al

Te lidhura