Protesta ka hyrë në ditën e 46-të të saj dhe rezistenca e shfaqur nga qytetarët është e admirueshme për shkak të moralit të saj dhe qëndrueshmërisë në qëllimet për të ndërruar klasën e vjetër politike dhe për të rrëzuar qeverinë.
Kështu u shpreh ndër të tjera në studion e “News24” ditën e sotme analisti Edvin Kulluri.
Ai shpjegoi se nëse protesta nuk do kishte qëllime të moralshme, nuk do kishte rezistuar. Sipas Kullurit protesta do korri suksesin e saj, pasi shtatori dhe tetori do të jenë muaj me lëvizje edhe më të forta. Analisti shpjegoi se pas vetëshkatërrimit të PD po çmontohen edhe socialistët.
“Sot është dita e 46 e protestës, një rezistencë e admirueshme në shesh. Protesta është e qëndrueshme sepse ka kauzat e saj, pikërisht për shkak të këtyre kauzave po reziston. Një lëvizje pa moralitet është e destinuar për të dështuar, kurse një protestë që ka moral dhe arsye si kjo, reziston dhe është e qëndrueshme. PS kërkon që Rama të rrijë në pushtet, por pa kauzë. Shtatori dhe tetori unë mendoj se do jenë më të fuqishme dhe më të forta, me pjesëmarrje më të madhe. Kjo nuk është betejë, kjo është luftë. Kërkohet largim i qeverisë dhe qarkullim i elitave politik, nuk janë kërkesa të vogla. Protesta ka qëllime të larta”, tha ai mes të tjerash.
Kurse për çështjen e projektit në Zvërnec, Kulluri tha se aty ishte pika e nisjes së protestës, por arsyet e saj ishin edhe më kombëtare. Ai akuzoi kryeministrin se ka përdorur emrin e dhëndrit të presidentit Trump në çështjen e projektit të Zvërnecit në pastrim parash dhe e cilësoi “paturpësi”.
“Është e paturp dhe e pacipë nga kryeministri që ka përdorur dhëndrin e presidentit Donald Trump. Tani kemi SPAK që ka sekuestruar pasuritë atje, kishte një skemë të pastrimit të parave, janë edhe dy vëllezërit nga Katari aty. Flasim për fakte të besueshme nga media ndërkombëtare prestigjioze”, u shpreh analisti.
Në lidhje me punën e SPAK, referuar raportimit të sotëm të kreut të institucionit Klodian Braho në Kuvend, Kulluri u shpreh skeptik për dinamikën që po ndjek Prokuroria e Posaçme muajt e fundit, e cila qëndron shumë larg rezultateve të Altin Dumanit.
Sipas tij, është e pakuptueshme që nuk po kërkohet arrestimi i ish-zv/kryeministres Belinda Balluku tani që akuzat janë shtuar.
“Që ky vend të bëhet i jetueshëm duhet të ketë barazi para ligjit. Duket se çështja Balluku ka një ngecje me ardhjen e Klodian Brahos në SPAK, kanë rënë goditjet ndaj korrupsionit këto shtatë muaj. Braho ka përdorur më shumë gjuhë diplomatike, këto muaj numrat janë më të ulët, si në kohën e Arben Krajës, pati një kulm me Altin Dumanin dhe ra. Me një akuzë të lehtë ndaj Ballukut u kërkua heqja e imunitetit, kurse me dy akuza të rënda nuk kërkohet, çfarë do të thotë kjo? Goditjet e mëdha janë kryer nga SPAK në kohën e Dumanit”, tha ai.
Dhe më tej vijoi:
“Me zotin Braho në krye të SPAK-ut të punës së ardhmes së Posaçme. Goditjet më të mëdha të Ramës që kemi pasur në kohën e Dumanit. Pozitat e Ballukut janë rënduar. Ku jemi me hetimet për AZHBR-në? Ku jemi? Me ardhjen në krye të zotit Braho kemi ngadalësim të punës së SPAK. Goditja të mëdha kemi pasur në rastin e Dumanit. Ka mundësi që Rama të ketë dalë në 3 çështje si shkelës i ligjit. Do të presim ça do të ndodhë, nëse do të thirret. I kam kërkuar kolegëve të mi të PD, që mos të bëjnë avokatin e Berishës. Këtë gjë kam thënë dhe për Metën dhe Ballukun”.
Duke iu rikthyer përsëri çështjes së protestës dhe revoltës popullore, analisti nënvizoi se qëllim është pastrami i Shqipërisë nga klasa e vjetër politike.
Teksa deklaroi se tashmë PD është vetëshkatërruar dhe pothuajse nuk ekziston, radha për çmontim i ka ardhur PS-së.
“Nëse arrihet qeveria teknike dy partitë e mëdha do vihen nën presion dhe kushte të tjera. Nuk besoj se protesta do nxjerrë një forcë të re. Protesta kishte qlëlim nxjerrjen nga loja e dy forcave të mëdha politike, tani kemi çmontimin apo vetëshkatërrimin e PD-së dhe tani ka mbetur certifikimi i vetëshkatërrimit, apo vula për nxjerrjen e PS-së, çmontimin e saj, duke qenë se atje kanë nisur edhe luftat e brendshme. Ndaj protesta nuk ka pse të dështojë, protesta nuk ka qëllim të forcojë Ramën”, tha ai.
© Panorama.al












