21 janari, ekspertizë armëve të gardistëve brenda Kryeministrisë

Apr 21, 2011 | 9:58
Momenti i vrasjes së Ziver Veizit para Kryeministrisë

TIRANE – Dhjetë pistoleta të efektivave të Gardës së Republikës që kanë shërbyer brenda Kryeministrisë më 21 janar, u dërguan dje nga Prokuroria për ekspertim shkencor në Laboratorin e Policisë së Shtetit. Kjo është sasia e fundit e armëve që Prokuroria eksperton në kuadër të hetimeve për vrasjen e katër personave më 21 janar. Armët e gardistëve që kanë qenë të vendosur brenda Kryeministrisë gjatë demonstratës së 21 janarit u dërguan për verifikim pas daljes së ekspertizave negative me armët e gardistëve që ndodheshin jashtë godinës së qeverisë. Burime nga Prokuroria e Tiranës thanë dje se numri i armëve të marra pranë Gardës së Republikës për ekspertim ka arritur në 75 automatikë “MP-5” dhe 80 pistoleta 9 milimetërshe. Nga të gjitha armët e sekuestruara dhe të ekspertuara deri tani, vetëm njëra prej tyre ka dalë e përfshirë në vrasje. Bëhet fjalë për armën e përdorur më 21 janar nga efektivi i Gardës, Agim Llupo. Kjo armë përputhet me predhën e gjetur në trupin e pajetë të Ziver Veizit, i cili u vra me një plumb të vetëm para portës metalike të Kryeministrisë. Në mungesë të përcaktimit të armëve të zjarrit që janë përdorur në vrasjen e tre personave të tjerë, Prokuroria ka vendosur të ekspertojë edhe dhjetë pistoleta të efektivave të Gardës së Republikës, të cilët ditën e ngjarjes kanë qenë brenda Kryeministrisë. Ekspertimi i këtyre armëve duket më tepër formal, pasi dyshimet janë minimale se efektivat në fjalë mund të kenë qëlluar. Prokuroria e Tiranës tha dje se ka verifikuar dhe po verifikon çdo efektiv që, sipas librave të shërbimit në Gardën e Republikës, del se ka qenë në detyrë te Kryeministria më 21 janar. Bazuar në këta regjistra, Prokuroria mësoi se të paktën 15-20 efektivë të Gardës, gjatë gjithë demonstratës kanë qenë të vendosur dy e nga dy, apo tre e nga tre, në katin e parë të Kryeministrisë, pranë dyerve dhe dritareve. Ata kanë qenë të armatosur dhe, sipas rregullores, të gatshëm për të kryer kundërpërgjigje në rast se prekej objekti qeveritar. Tre muaj pas ngjarjes së ndodhur më 21 janar, Prokuroria ende nuk ka arritur të zbardhë autorët e vrasjes së Aleks Nikës, Ziver Veizit dhe Hekuran Dedës. Armët e marra nga Garda e Republikës u janë nënshkruar ekspertizave, por rezultojnë se janë negative.

Amerikanët, dje në Prokurorinë e Tiranës

TIRANE – Të shoqëruar edhe nga një zyrtar i lartë i Policisë shqiptare, dy prokurorë amerikanë dhe një ekspert i ardhur nga SHBA, kanë qenë dje në Prokurorinë e Tiranës. Ata qëndruan aty për mëse dy orë e gjysmë, ku kanë marrë kontakt me hetuesit e çështjes së 21 janarit. Trupës së prokurorëve dhe hetuesve amerikanë që po ndihmojnë hetimin, i është bashkëngjitur së fundi edhe një prokuror tjetër nga SHBA. Dy prokurorët amerikanë dhe eksperti kanë zhvilluar dje një takim pune me grupin hetimor shqiptar që po punon për zbardhjen e vrasjeve më 21 janar. Për shkak se disa nga armët e ekspertuara nuk dalin se janë përdorur në vrasje, prokurorët dhe specialisti amerikan i kanë udhëzuar hetuesit shqiptarë që të fotografojnë të gjitha predhat e gjetura në vendin e ngjarjes, me gjithë dëmtimet që ato kanë marrë në rikosheta, për të parë nëse zhdukja e vjaskave ka penguar ekspertimet.

© Panorama.al

Te lidhura