“Zhvillimi i teknologjisë po cënon privatësinë”

Apr 20, 2011 | 11:14

“Përparimi i teknolo-gjisë së informacionit, çdo ditë e më shumë rrezikon të cenojë privatësinë e individëve”.Këtë shqetësim ngriti dje komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Flora Çabej. Deklarata vjen në një kohë kur dhjetëra përdorues të rrjeteve sociale në internet dhe të telefonisë celulare ankohen për cenim të privatësisë apo abuzim me të dhënat personale. Komisioni për mbrojtjen e të dhënave personale do të bashkëpunojë  me Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare, në mënyrë që përdoruesit e internetit dhe të telefonisë celulare të jenë më të sigurt. Marrëveshja u nënshkrua dje në prani të ministrit për Inovacionin dhe Teknologjinë, Genc Pollo. Në sajë të firmosjes së këtij dokumenti, do të mundësohet bashkëpunimi më i ngushtë në rregullimin e kuadrit ligjor, inspektimeve të përbashkëta si dhe fushatës së ndërgjegjësimit, për sa i përket mbrojtjes të së dhënave personale dhe komunikimit elektronik. Nga ana e tij, kreu i AKEP-it, Pirro Xhixho, theksoi prioritetin që institucioni që ai përfaqëson i jep të Drejtës për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Ai nënvizoi gjithashtu bashkëpunimin konkret me Zyrën e Komisionerit, duke u angazhuar në inspektime të përbashkëta, të cilat do të japin rezultate më efektive. “Përveç telefonisë celulare, kjo marrëveshje ka në fokus përdorimin e internetit, rrjetet sociale ku kemi edhe problematikat më të mëdha në lidhje me privatësinë. Është vetëm hapi i parë i një rruge të gjatë, e cila do të sjellë garantimin e sigurisë për të gjithë qytetarët”,tha Xhixho. Ministri Pollo e cilësoi marrëveshjen të një rëndësie madhore. “Sot, ne asistojmë në një marrëveshje mes dy institucioneve, të cilat luajnë një rol kyç në sigurinë e komunikimeve dhe të të dhënave personale. Më tej do të konsultojmë operatorët e fushës për t’i nxitur që të adoptojnë Kodin e Sjelljes, në mënyrë që të ngrenë standardin e shërbimit  ndaj klientëve të tyre”, tha Pollo. Sipas tij, do të merren masa të mëtejshme në adoptimin e legjislacionit, krijimin dhe promovimin e kulturës për sigurinë në komunikimet elektronike dhe mundësimin e një komunikimi më të sigurt. “Por sektori privat, operatorët e ndryshëm duhet të luajnë rolin e tyre, një rol plotësues nëpërmjet nënshkrimit të Kodeve të Sjelljes dhe Memorandumeve të Mirëkuptimit, si pjesë e ‘vetë-rregullimit’ publik-privat, në përputhje me praktikat më të mira që ekzistojnë në BE”, tha ministri. Prej dy vitesh janë marrë një sërë masash për sigurinë kibernetike. Nga sa bëhet me dije, është hartuar legjislacioni për krimin kibernetik, i adoptuar në ligjin shqiptar dhe i përfshirë në Kodim Penal. ” Janë organizuar një sërë nismash për rritjen e ndërgjegjësimit për sigurinë në Internet për grupet e ndryshme të interesit si: shkollat, familjet, institucionet financiare, kompanitë e biznesit, shoqatat e konsumatorit, shoqatat e IT “, bën me dije Ministria e Inovacionit dhe Teknologjisë. Sipas këtij dikasteri, janë hartuar rregulla për programet televizive të adoptuara nga KKRT-ja dhe pritet adoptimi i këtyre rregullave për mjedisin on-line.

Ndërgjegjësimi

Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale i ka kushtuar një rëndësi të veçantë ndërgjegjësimit të publikut mbi fushën e gjerë të mbrojtjes së të dhënave personale e veçanërisht të moshave të reja. Privatësia sidomos në teknologjinë e informacionit është një nga prioritetet e këtij institucioni.

Marrëveshja synon

.    Zbatimin e ligjeve për Komunikimet Elektronike dhe për Mbrojtjen e të Dhënave Personale
.    Hartimin e rregulloreve për mbrojtjen dhe sigurinë e të dhënave personale në komunikimet elektronike
.    Zgjidhjen e problemeve në rast të shkeljes apo cënimit të privatësisë në komunikimet elektronike;
.    Përgatitjen e Kodeve të Etikës në komunikimet elektronike;
.    Hartimin e udhëzimeve të posaçme për mbrojtjen e përdoruesve të rrjeteve sociale në internet, në veçanti për moshat e mitura

 

ZIRINA LLAMBRO

© Panorama.al

Te lidhura