“Zgjohen” Tirana dhe Vllaznia

Apr 12, 2011 | 11:03

Vllaznia dhe Tirana fituan bindshëm dy takimet e tyre ndaj Dinamos dhe Laçit, duke bërë një hap përpara në renditje.Madje shkodranët duket se kanë vulosur pjesëmarrjen në Europë. Bardheblutë shkatërruan Laçin 4-0 falë një loje ndër më të bukurat dhe rezultativet, që nga momenti që në krye të skuadrës ka ardhur trajneri Misho Kërstiçeviç. Tirana u tregua menjëherë agresive duke bërë të qartë objektivin e saj, tri pikët. Në minutën e 23-të, Andi Lila depërtoi në zonë dhe dha një top për Gilman Likën. Ky i fundit nuk e pati të vështirë për të shënuar. Laçianët vuajnë në mbrojtje, ndërsa janë të paqartë në sulm. Kështu që Hyka dhe Gilman Lika rrezikojnë sërish. Në minutën e 29-të Hyka nuk gabon duke shënuar golin e dytë, pas një asisti të marrë nga Zizoviç. Edhe pjesa e dytë vazhdon me të njëjtat ritme, aq sa Karabeci fiton një penallti dhe Lila trefishon. Goli i katërt i shënuar po nga Hyka, thjesht tregoi ditën negative të kurbinasve, të cilët mund t’i thonë “lamtumirë” pretendimeve për Ligën e Europës.
Ndërkaq, në “Loro Boriçi” Vllaznia mori tri pikë të rëndësishme duke ruajtur vendin e tretë, pasi mundi Dinamon me rezultatin 3-1. Shkodranët treguan menjëherë dhëmbët, duke shënuar dy gola brenda 30 minutave të para. I përhershmi Sukaj tregoi dhe një herë se është lojtari i momentit në Superiore. U duk se Vllaznia do ta kishte të lehtë, por në pjesën e dytë Dinamo fitoi një penallti të shndërruar në gol nga Vila dhe rihapi takimin. Në këto kushte, Vllaznia hidhet në sulm për të gjetur golin e sigurisë dhe arrin ta gjejë atë në minutën e 88-të me anë të Shtubinës. Këtu morën fund edhe shpresat e dinamovitëve, por të dalë me pikë nga Shkodra, duke “dorëzuar armët”. Minutat në vazhdim u luajtën thjesht për statistikë dhe kronometër. Me këtë fitore Vllaznia ngjitet në kuotën e 47 pikëve, e qetë në vendin e tretë pas humbjes së Laçit, që tani është 4 pikë larg. Ndërsa Dinamo ka ngecur në vendin e 6-të me 37 pikë, jo shumë larg zonës së mbijetesës. Gjithsesi, blutë shpresojnë të shpëtojnë sezonin duke fituar Kupën e Shqipërisë, ku kanë arritur të sigurojnë një finale kundër Tiranës.

Superiore/ Java 27

Flamurtari-Kastrioti    1-0
E.Xhafa 66′ (autg)
Skënderbeu-Shkumbini    2-0
Soza 13′, Bratiç 75′
Elbasani-Besa            0-1
Shameti 82′
Bylis-Teuta            1-0
F.Xhafa 63′
Vllaznia-Dinamo        3-1
Sukaj 24′, 31′, Shtubina 88’/ Vila 57′ (p)
Tirana-Laçi            4-0
G.Lika 23′, Hyka 29′, 90′, Lila 29′ (p)

Renditja

Nr. Ekipi    ND    F    B    H    P
1. Flamurtari    27     19     2     6     59
2. Skënderbeu     27     18     4     5     55
3. Vllaznia     27     13     8     6     47
4. Laçi    27     13     4     10     43
5. Tirana    27     10     11     6     41
6. Dinamo    27     10     7     10     37
7. Shkumbini     27     9     5     13     32
8. Bylis    27     9     3     15     30
9. Kastrioti    27     7     9     11     30
10. Teuta    27     7     8     12     29
11. Besa    27     7     8     12     29
12. Elbasani     27     4     3     20     12
Shënim: Elbasani, minus 3 pikë në renditje, i dënuar nga FIFA për shkak të çështjes “Darko Periç”.

 

LEONARD KARAJ

© Panorama.al

Te lidhura