Ambasadorja britanike në Tiranë, Fiona Mcllwham, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Panorama”, shpreh shqetësim për mungesën e dialogut politik.Sipas saj, politika është shumë e personalizuar, duke dhënë efekte negative në biznes, Gjyqësor apo dhe në media. Ajo u bën apel partive politike dhe mbështetësve të tyre të shmangin dhunën dhe konfrontimin gjatë fushatës zgjedhore. Në intervistën e saj ajo tregon dhe kontributin e Britanisë së Madhe për reformimin e sistemit gjyqësor në Shqipëri.
Sistemi gjyqësor shqiptar kritikohet shpesh. Mbase kjo është një nga arsyet pse Ambasada është përqendruar në këtë sektor. Cilat janë objektivat dhe planet tuaja të ardhshme në mbështetje të sektorit?
Ndihmesa e sistemit të drejtësisë ka qenë një prioritet i Mbretërisë së Bashkuar (MB) prej shumë kohësh. Ne punojmë me të gjithë aktorët e zbatimit të ligjit, në raste specifike bilaterale, operacione të përbashkëta dhe nëpërmjet punës me projekte, të financuara nga Qeveria britanike dhe nga BE-ja. Misioni i Policisë i BE-së (PAMECA), drejtohet nga një oficer britanik që nga viti 2008. Tani vonë e kemi fokusuar asistencën tonë te Gjyqësori. Arsyeja është e thjeshtë. Opinioni i Komisionit Europian, dhënë vjeshtën e shkuar, e bëri të qartë se në Shqipëri duhet patjetër progres në reformën gjyqësore. Ne jemi shumë të angazhuar ta mbështesim jo vetëm sepse është një kërkesë e BE-së dhe se ne duam ta shikojmë Shqipërinë më afër anëtarësimit në BE, por edhe sepse një gjyqësor i pavarur dhe profesional, është shtylla kryesore e çdo demokracie dhe një parim i mbështetur fort nga Mbretëria e Bashkuar. Shumë shpejt ne do të festojmë 800-vjetorin e nënshkrimit të Magna Carta, e cila për herë të parë përcaktoi parimin se askush nuk është mbi ligjin. Pothuajse një mijë vjet më vonë, në Mbretërinë e Bashkuar ne ende jemi të angazhuar të reformojmë dhe fuqizojmë më tej pavarësinë dhe kapacitetin e Gjyqësorit tonë. Ne kemi nxjerrë mësime, të cilat jemi të lumtur t’i ndajmë me aleatë si Shqipëria, e cila ka një traditë më të shkurtër në demokraci.
Cilat ishin arritjet e projektit të Gjykatës së Lartë, financuar nga Mbretëria e Bashkuar?
Një arritje e rëndësishme e projektit tonë të tanishëm me Gjykatën e Lartë ishte njohja më e mirë me sfidat me të cilat përballet gjykata dhe rritjen e ndërgjegjësimit te aktorët e tjerë – qeveri, politikanë dhe shoqëri civile – se ata kanë një rol për të luajtur në mbështetje të Gjykatës dhe reformës së saj. Ekspertët tanë të nivelit të lartë kanë punuar me gjyqtarët dhe ekspertët shqiptarë për të identifikuar pengesat kryesore për funksionimin e mirë të Gjykatës – që do të thotë rishikimin e burimeve, proceseve të emërimit, çështjet e imuniteteve, kodet dhe procedurat e vjetruara, apo 7000 çështjet e mbartura. Shumë prej rekomandimeve të projektit janë përfshirë në projekt-strategjinë e sektorit të drejtësisë, të hartuar nga Ministria e Drejtësisë. Në krye të listës është nevoja për të reduktuar ngarkesën e punës në mënyrë që Gjykata e Lartë të fokusohet më shumë te misioni i saj kryesor i zgjidhjes së çështjeve të rëndësishme dhe të vështira dhe udhëzimeve për gjykatat e rangut më të ulët për çështje ligjore. Sigurisht, tanimë këto ide nevojiten të miratohen dhe të aplikohen praktikisht. Në nivel operacional, skuadra nga MB ka punuar me gjyqtarët shqiptarë në fusha specifike të ligjit, si Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut. Do të botohet një manual për gjyqtarët me informacion për implikimet e Konventës për Shqipërinë, si dhe për etikën gjyqësore dhe shkrimin e qartë dhe efektiv të vendimeve. Projekti ka mbështetur publikimin e raporteve vjetore, të cilat u kanë dhënë mundësinë gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë t’i shpjegojnë më mirë audiencës së gjerë rolin dhe nevojat e Gjykatës.
Projekti për Gjykatën e Lartë zbuloi shumë probleme me transparencën dhe vonesat në trajtimin e çështjeve. Çfarë eksperience/asistence ishin në gjendje të ofronin britanikët në këtë fushë?
Ne ishin shumë me fat të siguronim, nëpërmjet Fondacionit “Slynn”, një numër gjyqtarësh dhe ekspertësh ligjorë britanikë me emër për projektin e Gjykatës së Lartë. Ata u bazuan në një eksperiencë të fortë tradite gjyqësore, si dhe mbi eksperiencën e tyre të gjerë profesionale – duke përfshirë zbatimin e reformave në MB për të përmirësuar transparencën dhe besimin e publikut te gjykatat e Mbretërisë. Disa prej gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, duke përfshirë kryetaren, vizituan Mbretërinë dhe panë nga afër se si përballen me problemet e tyre Gjykata e Lartë e Mbretërisë dhe Gjykata Kombëtare e Apelit. Në MB, Gjykata e re e Lartë ka një qendër informimi dhe është e hapur për vizita shkollore. Shpresoj se në të ardhmen, fëmijët e shkollave shqiptare do të jenë në gjendje të vizitojnë Gjykatën e tyre të Lartë dhe të mësojnë më shumë për rolin e saj kushtetues.
Gjatë projektit ju i lidhët problemet e Gjykatës me çështjet e të drejtave të njeriut. Kjo lidhje nuk bëhet shpesh në Shqipëri. A mund ta shpjegoni se çfarë donit të thoshit?
Aksesi në Drejtësi është një e drejtë themelore njerëzore dhe duhet ta kenë të gjithë. Gjithkush duhet të ketë të drejtën e një gjykimi të ndershëm, jo vetëm ata që njohin personat e duhur apo që kanë mundësi të paguajnë, dhe çështja e tyre duhet zgjidhur brenda një kohe të arsyeshme. Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar. Çështjet e mbartura në Gjykatën e Lartë – shumica e të cilave mund të trajtohen më efektivisht në gjykatat e rangut më të ulët – apo gjykimet e zvarritura, apo të vonuara në çdo nivel, sfidojnë këtë të drejtë themelore; po kështu edhe korrupsioni apo ndërhyrja politike. Kështu, për mua, reforma gjyqësore dhe të drejtat e njeriut janë të lidhura ngushtë.
Kemi mësuar gjithashtu nga media se Ambasada po financon projekte të tjera të lidhura me promovimin e gjyqtarëve dhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me sistemin e drejtësisë. A mendoni se mund të jenë të suksesshme në një fushë me kaq probleme të mëdha dhe ku deri sot vetëm pak është arritur?
Aktualisht kemi një përqendrim të madh energjish te reforma gjyqësore. Është një prioritet themelor për BE-në dhe besoj edhe për shqiptarët e thjeshtë. Gjatë vizitës së tij të para pak kohëve, ministri ynë i Drejtësisë, Lord McNally, u impresionua nga angazhimi dhe përkushtimi që pa te Ministria e Drejtësisë, gjyqtarët, Prokuroria, ekspertët dhe aktorët e OJF-ve. Pa dyshim që do jetë një proces i vështirë. Do të duhet kohë dhe kurajë, por me vullnet politik dhe angazhimin profesional të vetë gjyqtarëve, unë shikoj mundësi reale për të ndërmarrë disa hapa konkretë. Projekti ynë synon të mbështesë këtë proces: të identifikojë boshllëqe apo pengesa dhe t’u japë autoriteteve shqiptare informacionin dhe ekspertizën që kanë nevojë për të bërë ndryshimet përkatëse. Në rastin e emërimit të gjyqtarëve, projekti ynë ka nxitur veprime nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe një analizë më të mirë për mënyrën se si po zbatohet sistemi i pikëzimit për promovimin e gjyqtarëve. Ne duhet të bazohemi mbi to.
Znj. ambasadore, ju keni qenë në Shqipëri gjatë gjithë kohës kur opozita braktisi Parlamentin dhe protestoi për transparencën e zgjedhjeve. Si e konsideroni faktin që deri tani politika shqiptare nuk ka mundur të komunikojë normalisht mes maxhorancës dhe opozitës?
Për miqtë e Shqipërisë, si Mbretëria e Bashkuar dhe mendoj edhe për shqiptarët e thjeshtë, gjithashtu, ka qenë dëshpëruese të shikosh kaq pak dialog dhe debat konstruktiv mes partive dhe të dëgjosh sulme personale në vend të diskutimeve për politika. Të gjithë ne duam ta shikojmë Shqipërinë tek ecën pa u lëkundur drejt anëtarësimit në BE. Por të gjithë ne – ministrat e Mbretërisë, Lajçak, Fyle – kemi qenë të qartë se progresi kërkon veprime konkrete. Zgjedhjet e suksesshme më 8 maj do të përshpejtonin progresin e Shqipërisë dhe dialogu më gjithëpërfshirës dhe konsensual për prioritete të tjera reformash do të konsolidonin demokracinë, fuqizonin shtetin e së drejtës dhe do ta poziciononin bindshëm Shqipërinë në rrugën drejt BE-së. Me vullnet dhe angazhim politik, të gjitha këto janë shumë të arritshme. Shpresoj që udhëheqësit politikë shqiptarë do ta shfrytëzojnë këtë mundësi.
Shqipëria duhet të përmbushë 12 kritere në rrugën drejt anëtarësimit në BE. A mund të vendosni një notë për secilin prej tyre?
I takon Komisionit dhe ekspertëve të vlerësojnë progresin e Shqipërisë kundrejt 12 prioriteteve kryesore. Gjatë muajit të shkuar, seminaret me pjesëmarrje të të gjithë palëve për Planin e Veprimit të Shqipërisë, të ndjekura nga komisioneri Fyle, trajtuan progresin, sfidat dhe veprimet e nevojshme. Ka pasur progres në ndërtimin e kapaciteteve teknike dhe në përgatitjen dhe aprovimin e legjislacionit të ri. Megjithatë, reforma demokratike – reforma europiane – është e lidhur me dialogun, kompromisin dhe zbatimin; jo vetëm me aprovimin e legjislacionit, ndërtimin e zyrave apo trajnimin e disa njerëzve. Komisioneri Fyle, ashtu si ambasadori Lajçak përpara tij, ishte shumë i qartë kur tha se duhen ndërmarrë veprime të rëndësishme afatshkurtra për të çliruar ngërçin politik, gjetur kompromis demokratik dhe përgatitur zgjedhjet e majit. Përndryshe, politikanët shqiptarë do të rrezikonin progresin e Shqipërisë drejt BE-së.
A mendoni se klima politike e tensionuar do të ndikojë në zhvillimin e zgjedhjeve vendore? Ju mund ta dini se opozita i sheh ato si zgjedhjet politike, ndërsa shumica në pushtet thotë se këto zgjedhje janë thjesht administrative. Cila do të ishte këshilla juaj për politikën shqiptare në lidhje me këto zgjedhje?
Këshilla ime për politikanët: mbështetni një proces të lirë dhe të ndershëm, që i motivon votuesit dhe plotëson standardet më të larta ndërkombëtare. Shqipëria ka ligjet, mjetet dhe ekspertizën për të kryer zgjedhje të mira. Por partitë dhe mbështetësit e tyre – në qeveri dhe opozitë – duhet të mbështesin procesin dhe institucionet dhe të shmangin dhunën dhe konfrontimin. Këto zgjedhje janë një mundësi për shqiptarët e thjeshtë për të bërë që zëri i tyre të dëgjohet dhe të formojë politikat në komunitetet e tyre lokale. Zgjedhjet janë edhe një shans për elitën politike – qeverinë, opozitën dhe administratorët e procesit zgjedhor – të demonstrojnë kredencialet e tyre demokratike. Shqiptarët meritojnë të jenë në gjendje të shprehin pikëpamjet e tyre lirisht dhe pa presion. Rezultati i këtyre zgjedhjeve është për t’u vendosur nga zgjedhësit. Zhvillimi i zgjedhjeve është një provë e angazhimit të partive politike për vlerat europiane. Procesi, përgatitjet teknike, fushatat politike, përdorimi apo keqpërdorimi i mediave dhe zyrave publike, procesi i numërimit etj., janë ato që ODIHR-i dhe komuniteti e gjerë ndërkombëtar do të analizojnë. Dështimi për të arritur deri në standardet më të larta – dhe fajësimi i njëri-tjetrit apo i të huajve – do të reflektohet keq mbi të gjithë politikanët.
A shihni ndonjë rrezik gjatë votimit dhe numërimit të votave, duke pasur parasysh se opozita ka vënë disa kushte të tilla si mundësia për të hetuar votat në çdo kohë pas zgjedhjeve dhe për të verifikuar vërtetësinë e kartave të identitetit?
Shqipëria ka tashmë kuadrin ligjor dhe institucional për të ofruar zgjedhje të besueshme dhe për të adresuar shqetësimet zgjedhore dhe ankesat, nëse ka vullnet politik për të bërë këtë. Cilësia dhe integriteti i këtij procesi varet nga mbështetja konstruktive prej partive politike dhe nga integriteti profesional i atyre që administrojnë procesin zgjedhor, komisionerët, gjyqtarët, policia etj. Nëse partitë apo të tjerët kanë shqetësime, ata mund dhe duhet t’i ngrenë ato brenda këtij kuadri.
Ne kemi dëgjuar shpesh se politikanët shqiptarë e kanë kthyer politikën një qëllim në vetvete dhe jo si një shërbim ndaj qytetarëve. Cili është mendimi juaj për politikën shqiptare në përgjithësi?
Politika në një demokraci nuk mund të jetë vetëm për pushtet dhe patronazh, ose për të fituar pikë kundrejt kundërshtarit. Politika dhe qeverisja – në nivel lokal dhe kombëtar – duhet të përgjigjen për të ofruar shërbime për qytetarët e zakonshëm dhe jo vetëm për disa me fat, dhe të përqendrohet në nevojat dhe çështjet dhe jo në figura personale. Unë mendoj se ndoshta ka shumë politikë personale në Shqipëri. Ajo përshkon fushat ku nuk duhet të ketë asnjë ndikim – për shembull gjykatat, biznesin dhe median. Ndikimi politik nuk duhet ta pengojë një gazetar nga botimi i së vërtetës, analistë të pavarur ose ekspertë të shprehin një pikëpamje, apo kandidati më i mirëkualifikuar të gjejë një punë, apo të arrihet drejtësia në një sallë gjyqi. Përndryshe, është problematike.
Është e vështirë për të marrë një përgjigje të drejtpërdrejtë nga diplomatët për gjëra të veçanta. Edhe pse ju jeni një diplomate, jeni edhe banore në Tiranë. Çfarë doni më shumë për Tiranën dhe çfarë prisni nga të dy kandidatët kryesorë, zoti Basha dhe zoti Rama, pas numërimit të votave dhe shpalljes se fituesit?
Kjo varet nga qytetarët e Tiranës për të zgjedhur kryetarin e tyre. Unë do të doja t’i shihja Tiranën dhe Shqipërinë të përparojnë. Populli i Shqipërisë meriton asgjë më pak se kjo.
ARISTIR LUMEZI











