Shpëtim Duro, pranë titullit kampion me Skënderbeun. Nuk e ka bërë këtë me ekipin e tij të zemrës, Partizanin, siç na tregon ai, por tashmë ka shansin ta përjetojë në Korçë. E ndërsa festa ka nisur, numri një i pankinës përpiqet të jetë më i qetë, pasi kërkon edhe një fitore me Vllazninë për të betonizuar titullin. Aleancat e Skënderbeut, flirtet e Vlorës me ekipe të tjera, por dhe gjithë prapaskenat kundër ekipit juglindor trajneri është përpjekur t’i shpjegojë me detaje. “Kampionë do të ndihemi atëherë kur çdo gjë të ketë përfunduar edhe matematikisht. Ata gjithnjë janë marrë me fjalë, duke e quajtur veten kampionë para kohe, ndërsa ne kemi qenë me këmbë në tokë. Tani unë mund të them me bindje se jemi shumë pranë titullit. Megjithatë, më duhet të shtoj se kurrë s’e kisha menduar se do të udhëtonim në Vlorë me 4 pikë plus në Vlorë, por duket se punët na i lehtësoi vetë Flamurtari. Gjatë gjithë fazës së tretë ky ekip ka gabuar hap pas hapi. Goditjen finale ia dha vetes me barazimin në Laç. Ne e shfrytëzuam këtë, duke fituar çdo përballje, siç ishte e fundit kundër një Tirane të mobilizuar. Ne i mposhtëm me meritë bardheblutë, duke marrë 3 pikë mjaftë të rëndësishme që na afrojnë me titullin. Ashtu siç kishte aleancë Flamurtari me Tiranën, normalisht edhe ne kemi punuar që ta motivojmë Laçin të luajë kundër Vlorës. Mirëpo, kjo është krejt e ligjshme. Unë e pranoj publikisht tolerimin me Dinamon e pamotivuar, kurse të gjitha ndeshjet e tjera janë marrë me meritë”, ka pohuar tekniku i Skënderbeut.











