“Tumoret te femrat, janë kthyer si virozat”

Apr 29, 2011 | 9:38
Topalli, dje në konferencën Obstetrike-Gjinekologjike

“Reduktimi i rasteve ndaj tumoreve të gjirit dhe qafës së mitrës janë sfidat më të mëdha për shëndetësinë shqiptare, por edhe për qeverinë. Numri në rritje i këtyre tumoreve në popullatën shqiptare krahasohet me numrin e pacientëve të prekur nga viroza e stinës.” Këtë deklaratë bëri dje kryeparlamentarja Jozefina Topalli. Ajo ishte e pranishme në Kongresin e dytë Ndërkombëtar Obstetrik-Gjin-ekologjik: “Rritja e cilësisë së jetës së nënës dhe fëmijës është themelore. Kjo konferencë ku merrnin pjesë ekspertë në zë të kësaj fushe, vendës dhe të huaj, u fokusua në rritjen e ndjeshmërisë dhe përfshirjes së opinionit publik për problemet që lidhen me shëndetin e nënës dhe të fëmijës, si një domosdoshmëri për shëndetin e familjes dhe shoqërisë. Topalli theksoi se takime të tilla i  shërbejnë rritjes së ndërgjegjësimit të grave, që me anë të kontrolleve në kohën e duhur të mundin sëmundjen e shekullit, kancerin. Ajo shtoi se duhet të lobohet për një depistim sa më të hershëm të patologjive. “Shumë punë për të bërë në edukimin dhe rritjen e ndërgjegjësimit të shoqërisë, të grave në veçanti për të arritur një depistim në shkallë të gjerë dhe për ta kthyer këtë në një realitet për një vetëkontroll, për një ndërgjegjësim të saj. Në vitet e fundit, pa dyshim që ka përmirësim, siç ka nevojë dhe për punë të madhe për të rregulluar shumë gjëra, që ende nuk kemi arritur t’i realizojmë”, tha kryeparlamentaria. Kongresin e përshëndetën ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, si dhe homologu i tij kosovar. Gjatë këtij kongresi u shkëmbyen ide dhe eksperienca rreth risive në fushën e gjinekologjisë dhe situatën shëndetësore në  të dyja shtetet. Problematikat më të mprehta në vendin tonë në fushën e obstetrikë-gjin-ekologjisë, sipas specialistëve janë mungesa e ndërgjegjësimit për t’u diagnostikuar në kohë. Gjithashtu, sëmundjet seksualisht të transmetueshme në rritje tek të rinjtë mbeten një tjetër problem. Sa i përket planifikimit familjar, përdorimi i metodave kontraceptive moderne mbetet në nivele tepër të ulëta, në krahasim me vendet e tjera. Ato i përdorin jo më shumë 11% e shqiptarëve, çka bën që numri i aborteve të jetë i lartë. Ndonëse është ulur ndjeshëm vdekshmëria foshnjore, ajo mbetet sërish ndër më të lartat në Europë. Por nga ana tjetër, në kongres u diskutua edhe për një sërë teknikash të reja që përdoren në vendin tonë, njësoj si në vendet e zhvilluara.

© Panorama.al

Te lidhura