“Supersport”-”TVSH”, bojkot Superiores

Apr 2, 2011 | 11:15

Televizionet akuzojnë FSHF-në për ndryshim të orareve.“Televizioni Publik Shqiptar” dhe paketa “Supersport” kanë bojkotuar për këtë javë transmetimin direkt të ndeshjeve të Kategorisë Superiore. Shkak janë bërë mosmarrëveshjet me Federatën Shqiptare të Futbollit lidhur më së shumti me oraret e vendosur nga kjo e fundit. Sipas programit, “Televizioni Publik Shqiptar” duhet të transmetonte derbin e kryeqytetit, Tirana-Dinamo, ndërsa “Supersport”, ndeshjet e pretendentëve për titull, Flamurtarit dhe Skënderbeut. Për sa i përket “Televizionit Publik Shqiptar”, ky kanal televiziv vendosi për këtë bojkot, pasi nuk arriti një marrëveshje me FSHF-në për orarin e transmetimit të takimit. Ndërkohë, drejtuesit e paketës “Supersport”, pjesë e platformës “Digitalb”, gjithashtu akuzuan për qëndrimin e mbajtur prej tyre sjelljen e FSHF-së. Por konflikti është diçka më shumë se një përplasje për oraret e ndeshjeve dhe zë fill që në ndeshjen e Kombëtares shqiptare ndaj Bjellorusisë, të luajtur ditën e shtunë 26 mars. Federata, nuk dihet përse, pengoi trajnerin kuqezi, Josip Kuzhe, dhe lojtarët e Kombëtares që të jepnin deklarata direkte për paketën televizive “Supersport”, edhe pse kjo e fundit e transmetoi direkt këtë takim nga stadiumi kombëtar “Qemal Stafa”. Ndërkohë, nga drejtuesit si të “TVSH-së” dhe të “Supersport” qartësohet se që të dy kanë blerë të drejtën e transmetimit të të gjitha ndeshjeve të Superiores si dhe të ekipit Kombëtar, ndaj, konform kontratave të përpiluara që më përpara, duhet që Federata të mos i pengojë në punën e tyre. Sipas tyre, Federata ka marrë të gjitha detyrimet, sipas kontratës nga ana e këtyre dy operatorësh televizivë, ndërkohë që nuk po respekton këtë të fundit, sikundër është rënë dakord. Për momentin, nuk dihet ende nëse “TVSH-ja” dhe “Supersoprti” do të vazhdojnë “luftën” e tyre me Federatën edhe në javët në vazhdim, duke mos transmetuar asnjë takim të kampionatit shqiptar të futbollit.

Alban Jaho

Drejtori i “Supersport”, Alban Jaho, ka sqaruar shkaqet e mos-transmetimit të ndeshjeve. “Së pari, “TVSH-ja” e bojkoton për arsye të kalendarit, sepse FSHF-ja i vendos datat dhe oraret e ndeshjeve sipas qejfit. Ndërsa është hera e dytë radhazi që FSHF-ja na kufizon intervistat e lojtarëve pas ndeshjeve të Kombëtares. Ne jemi sponsorë të Kombëtares dhe kemi blerë të drejtën e transmetimit të ndeshjeve. Paguajmë dhe çuditërisht kufizohemi në këto aksese që na takojnë. Kjo nuk bëhet për qëllime politike të Federatës, por për disa qoka. Ky është një turp i madh, por nuk dua të merrem. Kjo është e vërteta”, ka pohuar Jaho.

Petrit Beci

Drejtori i “Televizionit Publik Shqiptar”, Petrit Beci, i ka hedhur fajin Federatës Shqiptare të Futbollit për mungesë serioziteti dhe shkelje të pikave të kontratës, të nënshkruara që në fillim të sezonit për transmetimin e ndeshjeve. “Federata, si gjithmonë ka treguar se nuk është një institucion korrekt. Ne kemi firmosur një kontratë me ta, ku është e shkruar se kemi të drejtë t’i vendosim ne oraret e transmetimeve të ndeshjeve. Përderisa një gjë të tillë e bën Federata, neve nuk na mbetet gjë, veçse të vazhdojmë me programacionin tonë dhe të kërkojmë në rrugë ligjore çka na takon”, ka pohuar Beci.

© Panorama.al

Te lidhura