“S’kam jetuar si shkencëtare, por si artiste”

Apr 24, 2011 | 11:19

Qindra shkencëtarë e kërkues nga e gjithë bota i kanë uruar ditëlindjen shkencëtares italiane, fituese e çmimit “Nobel” në mjekësi. Montalcini: Inteligjenca është e shpërndarë njëlloj si tek burrat edhe tek gratë

Kohëve të fundit vajtjet e saj në laborator janë rralluar. Por vëmendja e saj është gjithnjë atje, tek mikroskopi, tek kërkimet. Neurologia italiane, Rita Levi Montalcini, çmimi “Nobel” për Mjekësinë në vitin 1986, mbushi dje plot 102 vjeç. Me këtë rast, qindra kërkues e shkencëtarë nga e gjithë bota zhvilluan një takim përmes webkamerave, apo telefonave, duke treguar historinë e tyre të pasionit. “Nuk jam përballur me jetën si një shkencëtare, por si një artiste”, thotë neurologia me origjinë hebreje. “Mos harroni se në jetë gjëja më e rëndësishme është të veprosh në koherencë maksimale, duke ndihmuar të tjerët!”. Ajo nuk i reziston dot tundimit që të flasë për gratë dhe të ashtuquajturin “superioritet” mashkullor. “Inteligjenca është e shpërndarë në mënyrë të barabartë mes burrave dhe grave, edhe pse qasja është e ndryshme. Jam duke punuar shumë me projekte për gratë afrikane. Janë shumë inteligjente, por burrat i kanë përjashtuar gjithnjë nga studimet për t’u imponuar aftësitë e tyre, që gjithsesi nuk janë më të mira se ato femërore”. E para fituese e një “Nobeli”, që kalon një shekull jetë, prej vitit 2009 ka mbledhur përgjatë ekzistencës së saj çmime të panumërta. Në vitin 1963 ishte e para grua që fitoi çmimin prestigjioz “Max Weinstein” dhe është gjithashtu e para grua e pranuar në Akademinë Papnore të Shkencave në vitin 2001. Anëtare e Akademisë Amerikane të Arteve dhe Shkencës dhe Akademisë Kombëtare të Shkencave, në 2001 u emërua senatore nga Presidenti i Republikës Italiane, Carlo Azeglio Ciampi, dhe sot është senatorja më e moshuar e Republikës Italiane. Por, gjithsesi kulmin e karrierës së saj e shënon me çmimin “Nobel” për Mjekësinë. Këtë çmim ajo e meritoi për një zbulim të rëndësishëm mbi rritjen e qelizave nervore të sistemit nervor qendror (NGF). Në motivacionin e çmimit lexohej: “Zbulimi i NGF-së në fillim të viteve ’50 është një shembull i mrekullueshëm se si një vëzhgues i mprehtë mund të nxjerrë hipoteza të vlefshme nga një situatë në dukje kaotike. Në të shkuarën, neurobiologët nuk e kishin idenë se në çfarë procesesh të ndërhynin në mënyrë korrekte në organet e ndjeshme të organizmit”. Në 102 –vjetorin e lindjes, shkencëtares i erdhën mesazhe urimi nga e gjithë bota dhe ndër të tjera edhe nga Presidenti i Republikës, Georgio Napolitano, dhe zv.presidenti i Senatit, Vannino Chiti, i cili e falënderonte “për impenjimin e saj të vazhdueshëm në fushën e shkencës dhe shërbimit të institucionit” dhe të qenurit “një shembull i çmuar dhe një pikë referimi konstant për brezat e rinj”.

© Panorama.al

Te lidhura