
Njëri është i kollarisuri, njeriu i respektuar nga shoqëria, që diç ka arritur në jetë, që ka para, ka një grua, po ka edhe një të dashur, por në rastin e njerëzve të njëfarë rangu, edhe mbyllet një sy.Ndërsa tjetri është njeriu që ka dhënë gjithçka, por nuk ka marrë asgjë, i ezauruari mendërisht, i përbuzuri, i shtypuri me këmbë. E fati e deshi që si gjysma e së tërës, ata të takohen një ditë në një park në Manhatan e përmes një situate komike nxjerrin në dritë dramën e individit dhe hipokrizinë e shoqërisë. “Riverside drive” titullohet komedia që po shfaqet në Akademinë e Arteve, në kuadrin e projektit “Qyteti i arteve”, shkruar nga Woody Allen, nën regjinë e Milto Kutalit dhe interpretimin e aktorëve Gazmend Gjoka, Arben Derhemi dhe Niada Saliasi. Skenografia dhe kostumografia mbajnë emrin e Ilir Martinit, ndërsa muzika të Endri Sinës, i cili ka kompozuar enkas për këtë pjesë. Një shfaqje prej një orë e gjysmë, e cila zhvillohet rreth një stoli parku, ku një skenarist i suksesshëm me emrin Xhejms, apo Xhim për të afërmit (interpretuar nga Arben Derhemi), është duke pritur të dashurën e tij, Barbarën (Niada Saliasi), e cila po vonohet. E ndërsa pret me një pamje mërzie të stamposur në fytyrë, aty vjen Fred (Gazmend Gjoka), një endacak, por që del se nuk është si gjithë të tjerët. Ai është një njeri skizofren, paranojak, i cili nis ta akuzojë Xhejmsin se i ka vjedhur dorëshkrimin e skenarit, “Udhëtimi”, i cili e bëri atë të suksesshëm. “Për të qenë të sinqertë, ne investuam për të vënë në skenë një shfaqje profesionale, një vepër superintelektuale, të shkruar me shumë zgjuarsi dhe talent nga një gjeni, siç është Woody Allen, por në të njëjtën kohë kishim parasysh se po i drejtoheshim një mjedisi social, për të cilin nuk ishim shumë të sigurt se sa do t’i qasej subjektit dhe filozofisë së veprës. Sot jemi të bindur që kemi bërë shumë mirë dhe nuk jemi gabuar”, thotë regjisori Milto Kutali.
Gjoka, kthimi në skenë pas 8 vjetësh

“Riverside Drive” u zgjodh pasi u kaluan nëpër duar shumë variante veprash. U vendos për Woody Allen. Ishte më së shumti preferenca e Gjokës, i cili kthehet në skenën e teatrit pas 8 vjetësh mungese. Ai luan rolin e Fredit, të një njeriu me të cilin jeta nuk është treguar edhe aq dorëlëshuar. Roli ia kërkon të lërë mjekër dhe me gjysmën e fytyrës mbuluar nga një mjekër e dendur e zezë dhe një palë syze të errëta, është gati i panjohshëm. Gjokës duket se nuk i pëlqen fjala “rikthim”. “Jam pedagog dhe kjo bën që të jem gjithnjë afër skenës, përgatitja ime vazhdon bashkë me ta, ndërkohë që kam qenë pjesë e spektakleve të ndryshme televizive, si edhe të ndonjë filmi, siç ishte prodhimi greko-amerikan “Eduard””, thotë aktori, duke treguar se ai në skenë ka qenë gjithnjë, por jo në rolin e interpretuesit. Roli i Fredit duket se e ka përfshirë të gjithin, kolegët gati e vënë në lojë, se ai vazhdon “të bëjë tekst” edhe jashtë skene. “Nuk është një rol si gjithë të tjerët. Personazhi që interpretoj ka edhe një handikap fizik dhe për ta realizuar atë, duhet të punosh me përpunimin plastik e interpretativ”, thotë ai. “Është një vepër që të bën të mendohesh shumë”. Shfaqjet e fundit në skenën e teatrit, Gjoka i ka pasur me “Vdekja e një anarkisti”, një tjetër bashkëpunim me Kutalin dhe “Çifti i shqyer”, me regji të Altin Bashës. “Isha shumë i bindur dhe tani e kam rikonfirmuar mjeshtërinë artistike, me të cilën ai operon në skenë”, thotë regjisori.
Derhemi, në kostumin e “të mirit”
Antipodi i tij është Arben Derhemi. Jo vetëm në rol. Regjisori Milto Kutali thotë se shumë dyshonin që ai të ishte i duhuri për karakterin e Xhejmsit, madje-madje, ndonjë syresh, duke njohur temperamentet e dy aktorëve, thoshte se mezi priste momentin, kur ata të dy të ziheshin. Por, në fakt ka qëlluar që mes tyre të ketë një marrëdhënie shumë të mirë. Për Kutalin, Derhemi ishte një garanci për shfaqjen. “Na duhej një siguri, e cila ishte pa dyshim tek aktori Arben Derhemi, i cili ka konfirmuar veten si një profesionist shumë i mirë në skenën e teatrit, por edhe emrin e tij”, thotë regjisori, ndërsa nuk e fsheh se i është mirënjohës për përkushtimin dhe punën që ka bërë me rolin. “Nuk dua t’i cenoj asgjë roleve të tjera, por mendoj se ky është më i miri në gjithë karrierën e tij”, thotë Kutali. “Xhejmsi është ai njeriu i mirë që e do shoqëria. Por, të dy personazhet përbëjnë një të vetëm. Tek Fredi në të vërtetë pasqyrohet vetja e tij, me gjithë aksionet që ndërmerr. Ai ka një lidhje jashtëmartesore, por shoqëria atij ia fal, mbyll njërin sy. Është ajo pjesa e mesme, hipokrite e shoqërisë, që siç thotë Allen, çuditërisht e çon shoqërinë përpara”.
Drama e individit
Sapo dëgjon që bëhet fjalë për një vepër të Ëoody Allen dhe jo një tradicionale, të provuar më parë në skenën e teatrit, mendon se bëhet fjalë për një trill të realizuesve. “Nuk ishte një trill. Përqasja me situatën në Shqipëri nuk i mungon veprës dhe mendoj që nëse vende si Amerika e pohojnë një gjë të tillë, ne duhet të ulërasim për këtë që po ndodh me individin në këto 20 vitet e të ashtuquajturit tranzicion, ku nuk ka shanse të barabarta, ku sheh çmendurira se si njerëz pa vlerë ngrihen në zenit, ndërsa të tjerë super të merituar bien e shohin humnerën, për të mos thënë se përfundojnë si personazhi i kësaj vepre, një skizofren paranojak”, thotë regjisori.
Shfaqja
Vepra: “Riverside Drive”
Autor: Woody Allen
Regjisor: Milto Kutali
Producent:
Alert Çeloaliaj
Interpretojnë: Gazmend Gjoka, Arben Derhemi, Niada Saliasi
Skenografia e kostumografia:
Ilir Martini
Muzika: Endri Sina
ALMA MILE
© Panorama.al











