
Tetë dëshmitarë, ndër të cilët edhe kujdestari i kishës së Shën Mërisë në Boboshticë, dëshmuan dje në Gjykatën e Korçës për dhunimin e varrezave të vjetra të këtij fshati.Dëshmitë e dhëna prej tyre përforcuan akuzën për dhunim të varreve të fshatit Boboshticë, ndaj tre të pandehurve: Naum Disho, kreu i OMONIA-s së Qarkut Korçë, si dhe punëtorëve Alqi Koroveshi dhe Luan Zaçe. Të tre të pandehurit ishin të pranishëm në këtë seancë gjyqësore. Sotir Koço, i cili shërben si kujdestar i kishës në Boboshticë, brenda së cilës ndodhet territori i varreve të vjetra të këtij fshati, pohoi se janë dhunuar varret. Sipas tij, këtë e tregoi edhe dalja e eshtrave në sipërfaqe pas kryerjes së punimeve për hedhjen e betonit në këto varreza. “Kam debatuar fillimisht me punëtorin Aqli Koroveshi, i cili erdhi i pari për të pastruar dhe gërmuar për hedhjen e betonit në varreza. Ai më tha se ata që janë përgjegjës për këto punime, janë në Greqi”, u shpreh dëshmitari i thirrur nga akuza. Sipas Koços, ai e ka nxjerrë Koroveshin nga territori i kishës, duke i kërkuar leje për punimet që po kryente. “Ditën tjetër patëm debate si me punëtorët, edhe me Naum Dishon. Pasdite, kur unë jam larguar nga kisha për punë të miat familjare, janë kryer punimet e hedhjes së betonit. Kam reaguar sërish, duke i kërkuar priftit që të ndërhynte ose unë të dorëzoja çelësat e derës së jashtme të kishës. Por prifti më tha se duhet të vazhdoja detyrën time si kujdestar dhe se nuk kishte dhënë leje për punime. Edhe kur kërkova që të më tregonin nëse kishin leje nga komuna Drenovë apo pleqësia e fshatit Boboshticë, Naum Disho më tha se e kishte lejen, por nuk ma paraqiti. Kemi zhvilluar debate me të për kryerjen e punimeve”, u shpreh më tej në dëshminë e tij banori i fshatit Boboshticë, Sotir Koço. Sipas tij, në varrezat e vjetra të fshatit Boboshticë nuk ka pasur më parë rrugë që të kalonte mespërmes tyre, dhe me punimet e kryera për krijimin e një rruge të betonizuar është kryer dhunimi i varreve. Dëshmitari tjetër nga fshati Boboshticë, i moshuari Ilo Kuneshka, e quajti turp dhunimin e varreve të fshatit Boboshticë, dhe ashtu si dëshmitari i mëparshëm ai pohoi se një pjesë e varreve janë mbuluar nga betoni që është hedhur nga punimet e kryera vjeshtën e vitit të kaluar. Seanca vazhdoi normalisht me pyetjen e dëshmitarëve të tjerë, ndërsa nga ana e të pandehurve në disa raste u kundërshtuan si të pavërteta thëniet e dëshmitarëve që pretenduan për dhunimin e varrezave.
TE PANDEHUR
Naum Disho,
kreu i OMONIA
Alqi Koroveshi, punëtor
Luan Zaçe,
punëtor
KORÇE/ GEZIM ASHIMI
© Panorama.al











