“Në Shqipëri gjithçka varet nga zgjedhjet”

Apr 30, 2011 | 9:27
Misho Krstiçeviç

Trajneri kroat i Tiranës, Misho Krstiçeviç, pas një heshtjeje treditore, theksoi dje se nuk dëshiron të flas më për ndeshjen me korçarët, por vetëm për të ardhmen.Kroati duket i dorëzuar sa i përket kampionati dhe kjo kuptohet qartë nga ajo çka ai shpreh. Sipas tij, kjo është një situatë aspak normale dhe do të ishte e kotë që ai të shpresonte. Ndonëse dëshira mbetet që në Vlorë të luhet seriozisht dhe pse jo të marrë qoftë një barazim. “Udhëtoj në Vlorë më një ekip të cunguar, kjo për shkak të dëmtimeve të shumta dhe pezullimeve. Nuk kam shumë lojtarë në dispozicion, teksa Hyka, Zizoviçin, Lila, Lilaj dhe së fundmi Tushe kanë probleme, shto këtu edhe dy me kartonë. Nuk e di çfarë të them, pasi as fjalët nuk më vinë, mirëpo ajo që unë dua, është që të luhet seriozisht me Flamurtarin, dhe pse të marrim një rezultat të mirë. Por është e kot të flasë, do të ishte budallallëk nga ana ime, sidomos pas kësaj situate që është krijuar”, tha fillimisht tekniku. Më tej, Kërstiçeviç shtoi se kjo është një situatë e pakëndshme dhe krejt anormale që po ndodh në Shqipëri. “Po ta nis nga fillimi, i bie të them gjëra të pakëndshme dhe nuk dua këtë gjë. Do të isha i çmendur po të thoja që kjo është një situatë normale në futboll në Shqipëri. Nuk mund të shtoj asgjë më shumë, pasi unë jam i huaj këtu, kam marr një detyrë përsipër”, – tha kreu i pankinës bardheblu. I pyetur për të ardhmen e tij, ai nuk sqaroi asgjë, pasi as vetë nuk është i qartë për atë që do të ndodh. “Nuk kam folur ende me presidentin, pasi është ende herët. Kemi dhe tre ndeshje dhe kupën fillimisht, që është edhe objektivi ynë. Për këtë arsye, jam duke stërvitur veçmas edhe lojtarët e dëmtuar, pasi dua t’i kem në fushë për finalen. S’ka mbaruar ende asgjë. E di që në ndeshje kupe s’ka ekipe të mëdha apo të vogla, pasi edhe në Evropë e kemi parë që skuadrat që vijnë nga ligat e 2-ta apo të 3-ta, bëjnë surprizën ndaj të mëdhave”, – sqaroi kroati. Trajneri, ndonëse ka rreth tre muaj që ka ardhur te Tirana, tregon se ka kuptuar që këtu gjithçka funksion në bazë të politikës. Ndaj edhe për të ardhmen e tij vendimet mund të merren pas zgjedhjeve vendose të 8 majit. “S’është mirë që të flas për dëshirat e mia në këto momente, nëse dua, apo jo të qëndroj këtu. Me atë që kam kuptuar në këtë kohë që jam në vendin tuaj, këtu gjithçka varet nga zgjedhjet në Shqipëri, pasi mund të ndryshojnë pas zgjedhjeve”, përfundoi tekniku i Tiranës.

Tirana, me 7 mungesa drejt Vlorës

Tirana dje i ka dhënë fund përgatitjeve për ndeshjen e sotme me Flamurtarin. Bardheblutë në këtë transfertë kanë udhëtuar të cunguar, kjo për shkak të shtatë mungesave. Duket se numri i të dëmtuarave është shtuar dita-ditës, teksa listës i është shtuar edhe i riu Tushe, shto Lilën, Lilajn, Hykën, Zizoviç, si edhe dy të pezulluarit Gvozdenoviç dhe G.Lika. Marrë shkas nga kjo, trajneri ka qenë i detyruar që të niset drejt Vlorës, jo si zakonisht, po me 15 lojtarë (nga 18 që shkojnë zakonisht). Mendohet që trajneri të hedh këtë formacion: I.Lika, në portë, Dabulla, Dushku, Osmani dhe Pashaj në mbrojtje, Sina, G.Muça dhe Karabeci në mesfushë, ndërsa Bala, Pejiç dhe Morina në sulm.

© Panorama.al

Te lidhura