
SHKODER – Kreu i Inspektoratit Ndërtimor në Bashkinë e Shkodrës, Roland Çomo, e quan ligjin e ri të hyrë në fuqi si parandalues për abuzimet me ndërtimet pa leje. Sipas tij, ky ligj jep mundësinë për të penalizuar jo vetëm ndërtuesit, por dhe bashkëpunëtorët e tij. Çomo deklaron se ky ligj parashikon penalizime të rënda ndaj të gjithë individëve apo subjekteve që do vendosin mjetet e tyre në dispozicion të ndërtuesve të paligjshëm. “Masa administrative tashmë ka shkuar në 10 milionë lekë të reja, për të gjitha ato subjekte që vënë mjetet apo makineritë në dispozicion, si dhe shërbim të objekteve të paligjshme”, pohon Çomo. Inspektorati Ndërtimor në Shkodër ka marrë masat për zbatimin e ligjit, duke nisur fillimisht me vënien në dijeni të individëve dhe subjektet që preken prej tij për procedurat e reja. Megjithatë, ligji i ri ka sjellë dhe probleme, të cilave ende nuk u janë dhënë përgjigje të plota. “Ka dalë ligji, por akoma nuk kanë dalë udhëzimet për mënyrën se si do të veprohet. P.sh nuk është përcaktuar se çfarë do të bëhet me mjetet e tonazheve të ndryshme që do të bllokohen, vendqëndrimi i tyre etj. Deri në sqarimin e tyre, ne kemi bërë takime me specialistë të Bashkisë për të zgjidhur këtë paqartësi dhe po gjejmë hapësirat e nevojshme për vendqëndrimet e mjeteve të tonazheve të ndryshme, që do të ndëshkohen apo sekuestrohen. Madje, që të jemi më efikase, ne do të shkojmë përtej inspektimit të ndërtimeve pa leje. Do të bëjmë kontrolle në pikat e prodhimit të materialeve inerteve, si funksionojnë ato që në të ardhmen të mos bëhen furnizues për ndërtimet pa leje”, pohon Çomo. Sipas tij, gjatë një viti në Shkodër janë prishur 700 ndërtime pa leje, këto edhe në zonat turistike, Shirokë dhe Zogaj. r.d
700 ndertimpa leje janë prishur nga Ndërtimorët e Shkodrës brenda një viti.
Njëkohësisht, janë vendosur dhe gjoba në vlerën e 9.350.000 lekëve, një pjesë e së cilës është vjelë, ndërsa për vjeljen e 3 gjobave të tjera do të ndërhyjë Përmbarimi











