“Namazgjaja”, Qeveria u kthen 2570 m2 myslimanëve

Apr 7, 2011 | 11:50
Selia e Komunitetit Mysliman

Qeveria i kthen Komunitetit Mysliman 2570.5 metra katrorë tokë në qendër të Tiranës.Trualli njihet si zona e “Namazgjasë” dhe ndodhet pranë lulishtes së Kuvendit të Shqipërisë. Burime zyrtare pranë Komunitetit Mysliman, pohuan për gazetën se nuk ka ende një projekt konkret si do të përdoret ky truall. Por qeveria ka vënë kushtin e saj. “Ndalohet tjetërsimi apo dhënia në përdorim e pronës për qëllime të tjera, të ndryshme nga ndërtimi i xhamisë “Namazgjaja” e Tiranës, për Komunitetin Mysliman Shqiptar”, thuhet në vendim. Kërkesa e kahershme e Komunitetit për të rimarrë tokën, plotësohet gjatë fushatës për zgjedhjet lokale. Vendimi duket se vjen si kundërpërgjigje ndaj kryebashkiakut Edi Rama. Pak kohë më parë, Bashkia e Tiranës ka bërë me dije se është në fazën e përzgjedhjes se projektit fitues për ndërtimin e xhamisë së re në qendër. Ajo do të ndërtohet në lulishten pas Pallatit të Kulturës. Kjo nismë u mirëprit nga Komuniteti Mysliman, i cili, i parë me syrin e politikës është potencial madhor votash.
Ndërtimi i Xhamisë
Pas lançimit të kësaj iniciative vjen vendimi i qeverisë, i cili u kthen myslimanëve truallin tek “Namazgjaja”. Kjo tokë, pas viteve 1990 është bërë disa herë mollë sherri mes politikanëve të majtë e të djathtë. Përfaqësuesit e Komunitetit Mysliman sqarojnë se që prej vitit 1993 tek “Namazgjaja” ndodhet edhe guri i parë i themelit për xhaminë që do të ndërtohej. Ata pohojnë gjithashtu se kërkesa për rikthimin e këtij trualli ka vite që bëhet sistematikisht. “Ne e mirëpresim vendimin e marrë. Ka vite që Komuniteti Mysliman kërkon t’i kthehet Namazgjaja. Është herët për të folur për një projekt konkret, pasi për këtë duhet të mblidhet kryesia, por sigurisht ngritja e një xhamie tjetër do të ishte zgjidhje për myslimanët pasi ka shumë nevoja”, thanë burime zyrtare pranë Komunitetit Mysliman. Të pyetur nëse përbën ndonjë problem, sepse ndërkohë një tjetër xhami pritet të ndërtohet në qendër, ata theksuan se numri i besimtarëve është i lartë dhe tre xhami për Tiranën nuk janë shumë. Ndërkohë, dje në mbledhjen e qeverisë, Kryeministri akuzoi Bashkinë e Tiranës që me arbitraritetin më të madh ia ka marrë truallin, pronë e Komunitetit për zgjerimin e rrugës dhe nuk ia ka kompensuar.
“Ky është një nga vendimet, gjykoj, më të rëndësishme. Ka ndodhur prore që në zgjerim të rrugëve t’u merret tokë pronarëve dhe të mos u kompensohet. Kjo është një praktikë e dënueshme, jo ligjore dhe ka ndodhur edhe me tokën e Komunitetit Mysliman tek lulishtja  e Parlamentit, që njihet si pronë e këtij Komuniteti, si zonë e Namazgjasë”, tha Kryeministri. Shefi i ekzekutivit tha se qeveria mori në shqyrtim kërkesën e Komunitetit Mysliman për të marrë masa për kompensimin e tokës pranë “Namazgjasë”, duke nënvizuar se vendimi është më se i drejtë. Ai merret në një kohë kur vendi i përcaktuar nga Bashkia e Tiranës për ndërtimin e xhamisë së re, te lulishtja pas Pallatit të Kulturës, është një truall që u është kthyer pronarëve të ligjshëm, dhe jo një truall i lirë, gjë që e bënte kësisoj të pamundur kompensimin e Komunitetit Mysliman me një truall në qendër të Tiranës. Për pasojë, edhe ndërtimin aty të xhamisë së re, aq të nevojshme për besimtarët myslimanë në kryeqytet.

Vendimi

Sipas vendimit të djeshëm, sipërfaqja prej 2570.5 m² (e ndodhur në zonën kadastrale 8150, me numër pasurie 1/82, pjesë e pronës së listuar me nr.592, me sipërfaqe të përgjithshme 6739 (gjashtë mijë e shtatëqind e tridhjetë  e nëntë) m2, në listën e miratuar me vendimin nr.834, datë 13.12.2006, “Për miratimin e listës së pjesshme (pjesa e parë dhe e dytë) të pronave të paluajtshme shtetërore, në Bashkinë Tiranë, të qarkut të Tiranës”, pronë shtetërore, sipas planit të rilevimit, që i bashkëlidhet këtij vendimi, kalon në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Drejtësisë. Kjo me qëllim ndjekjen e procedurave ligjore që nevojiten për ndërtimin e xhamisë “Namazgjaja”, për Komunitetin Mysliman Shqiptar.

Projekti i Bashkisë

Xhamia e re e parashikuar të ndërtohet nga Bashkia e Tiranës pritet të ketë një sipërfaqe totale ndërtimi prej 17 135 metrash katrorë. Ajo do të ngrihet brenda një trualli prej 2930 metrash katrorë dhe arrin t’u shërbejë mbi 2500 besimtarëve. Nga sa ka bërë me dije Bashkia e Tiranës, xhamia do të ngrihet në 9 nivele, 4 nëntokësorë dhe 5 mbitokësorë. Aktualisht janë përzgjedhur 5 studiot ndërkombëtare që do të sjellin projektet.

Kapacitetet e xhamisë

Xhamia e Et’hem Beut është e vetmja në kryeqytet. Kjo në një kohë kur Komuniteti i besimtarëve të kësaj feje, është më i madhi në vend. Nga sa bëjnë me dije përfaqësuesit e Komunitetit Mysliman,  kapacitetet e xhamisë janë të pamjaftueshme për të përballuar fluksin e besimtarëve, të cilët shpesh falen edhe në rrugë pasi brenda nuk ka vende të mjaftueshme.

2570 metra katrorë
tokë në qendër të Tiranës, i kthehen Komunitetit Mysliman pas vendimit të djeshëm të qeverisë. Trualli njihet si zona e “Namazgjasë” dhe ndodhet pranë lulishtes së Kuvendit të Shqipërisë.

 

ZIRINA LLAMBRO

© Panorama.al

Te lidhura