“Miri i Xhikes”, ADN-ja fajëson Tufën

Apr 21, 2011 | 11:05
Lavdërim Tufa në gjykatë

Rikonfirmohet ekspertiza që bën Lavdërim Tufën person të dyshuar si pjesëmarrës në vrasjen e Fatmir Ramës, personazh i njohur edhe si Miri i Xhikes, i ekzekutuar me armë në kompleksin “Kartrodrom 2000” në vitin 2003.Gjykata e Tiranës u njoh dje me konkluzionet e dy ekspertëve shqiptarë në lidhje me akt-ekspertimin e analizës gjenetike të njollave të gjakut të mbetura në një kapuç të gjendur pranë vendngjarjes. Referuar shqyrtimit të akteve të ekspertimit gjenetik të kryera në Itali në lidhje me njollat e gjakut dhe një fije floku, ekspertët thanë se kodi gjenetik i të pandehurit Tufa rezulton tepër i përputhshëm me ADN-në e njollës gjak-pështymë të gjendur në kapuç. Paraqitja e ekspertëve në gjykatë u kundërshtua dje nga ana e avokatit mbrojtës të Tufës.
EKSPERTËT
Vetëm një seancë pasi “i kërkoi llogari” ekspertit italian Renato Bjondo, autorit të akt-ekspertimit gjenetik, Gjykata e Tiranës u njoh dje me konkluzionet e dy ekspertëve shqiptarë. Ekspertët Alma Hazizaj dhe Bardhyl Çipa u paraqitën dje para gjykatës, për të dhënë shpjegimet e tyre në lidhje me akt-ekspertimin gjenetik të kryer në Itali. Pyetja e dy ekspertëve është bërë në zbatim të udhëzimeve të Gjykatës së Lartë në vendimin që ktheu për rigjykim dosjen e Tufës. Ekspertët sqaruan dje se analizës gjenetike i ishin nënshtruar mostrat e marra nga njolla gjaku dhe fije floku të gjendura në vendngjarje. Sipas tyre, bëhej fjalë për një kapuç ngjyrë blu, ku është gjetur një njollë gjak-pështyme. Gjithashtu, aty është marrë edhe një fije floku. Të tjera prova materiale, ku janë marrë mostra gjenetike, ishin edhe një automatik model 56, si edhe dy karikatorë automatiku, në të cilët janë gjetur përkatësisht njolla gjaku. Për të provuar nëse ekzistonte përputhshmëri apo jo, ishin marrë kampionë ADN-je nga gjaku i të pandehurit Tufa, si edhe të një të dyshuari tjetër. Në vijim janë bërë analizat gjenetike, për të gjetur përputhjen gjenetike mes njollave të gjakut në provat e ndryshme në vendngjarje, si edhe me të dyshuarit. “Lavdërim Tufa ka rezultuar tepër i përputhshëm me individin dy (përcaktim për efekt ekspertimi), me një probabilitet atributi më të lartë se 90 për qind”, pohuan dje si konkluzion ekspertët në aktin e përgatitur prej tyre. Ndërkohë, sipas tyre, fija e flokut e marrë në kapuçin e gjetur pranë vendit ku u vra “Miri i Xhikes”, nuk i përkiste të pandehurit Tufa. “Për sa i përket fijes së flokut të gjetur në beretë, procesi i njohjes së ADN-së ka rezultuar negativ”, u shprehën ekspertët. Pyetjes së gjykatës nëse gjurmët në vendngjarje mund të jenë lënë nga familjarë të Tufës, ekspertët i ishin përgjigjur në akt se “për të shikuar nëse këto gjurmë janë lënë ose jo nga familjarë apo të afërm të të pandehurit Lavdërim Tufa, kjo kërkon kryerjen e analizës së ADN-së të personave përkatës”.                          ar.ba

Del emri i dytë i të dyshuarit për vrasjen te “Kartodrom 2000”

TIRANE – Ngjarja e 29 marsit 2003 në Lundër të Tiranës, ku në një atentat të armatosur u vranë tre persona, mes të cilëve edhe Fatmir Rama (Miri i Xhikes) ka vetëm një të arrestuar, i pandehuri Lavdërim Tufa. Ndërkohë që pas ngjarjes nga ana e policisë është pohuar se atentatorët mund të kenë qenë disa. Gjatë leximit të aktit të djeshëm të përgatitur nga dy ekspertët, doli në skenë edhe një tjetër i dyshuar për ngjarjen. Referuar ekspertëve, bëhet e ditur se i dyshuari tjetër ka inicialet Sh.X. Ai është gjithashtu një nga të dyshuarit, i cili ka kaluar në “sitën” e analizave gjenetike. Ndërkohë që më pas, mospërputhja e ADN-së së tij me kodin gjenetik të mostrave të marra nga gjurmët në vendngjarje, e ka përjashtuar atë nga dyshimet. Po dje, mbrojtësi i të pandehurit Tufa i kërkoi gjykatës të paraqiten në seancë të gjitha provat materiale lidhur me ngjarjen. “Kërkoj që të paraqiten në seancë të gjitha provat materiale lidhur me shqyrtimin gjyqësor ndaj Lavdërim Tufës”, u shpreh avokati. Gjithashtu, avokati kërkoi të verifikohet nga ana e gjykatës e gjithë procedura, se si është bërë lëvizja e provave procedurale.

Avokati: Ekspertët, jo kompetentë për raportin

TIRANE – Gjykata e Tiranës nuk pranoi dje kërkesën e avokatit mbrojtës të të pandehurit Lavdërim Tufa, për përjashtimin e dy ekspertëve shqiptarë të thirrur në proces. “Të dy ekspertët nuk janë gjenetistë dhe, si të tillë, ata nuk kanë njohuritë e duhura të fushës së gjenetikës”, tha avokati Avni Shehu. Në vijim, mbrojtësi argumentoi se “është në të mirë të procesit që të thirren gjenetistët shqiptarë, që të bëjnë interpretimin e akt-ekspertimit gjenetik”. Pasi u tërhoq në dhomën e këshillimit, gjykata vendosi rrëzimin e kërkesës. “Ekspertët Alma Hazizaj dhe Bardhyl Çipi janë paraqitur para gjykatës, pas një kërkese drejtuar Ministrisë së Drejtësisë për ekspertë. Në këto kushte, gjykata vlerëson se nuk konstatohet asnjë shkak për papajtueshmëri, apo përjashtim të tyre”, arsyetoi dje trupi gjykues vendimin e ndërmjetëm.

© Panorama.al

Te lidhura