“Më 8 maj çlirojmë vendin nga regjimi i Berishës”

Apr 19, 2011 | 11:05

Fier/”Me votën e 8 majit do ta çlirojmë Shqipërinë nga regjimi i Sali Berishës”. Me këto fjalë, kreu socialist u ka kërkuar votën fierakëve gjatë mitingut ku prezantoi kandidatin socialist për këtë bashki, Baftjar Zeqo. “Të çlirojmë Shqipërinë më 8 maj nga regjimi i Saliut. Pavarësisht partive që përfaqësojmë, vota është e vetmja fuqi që kemi për ta nxjerrë të keqen që rrit faturat, të keqen që ju vë në rresht në listat e dyqaneve, të keqen që vazhdon t’ju marrë shpirtin e dinjitetin. Vota, e vetmja armë që keni për të marrë hak për plumbat e 21 janarit, për viktimat e Gërdecit, për deputetin Fatmir Xhindi e për Fatmir Myrtajn, për të gjithë ata që vidhen nga ky regjim kusarie”, u shpreh Rama. Lideri i opozitës premtoi nisjen e një operacioni masiv për të siguruar një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm në Fier dhe në gjithë territorin e Shqipërisë. “Është koha e pjesëmarrjes së madhe në një operacion të përbashkët për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, që do të mishërojë ëndrrën e çdo shqiptari për të jetuar në vendin e tij dhe shtëpinë e tij, që do t’i japë fund dallimit mes fshatit dhe qytetit, duke kthyer çdo territor të këtij vendi në zonë me zhvillim ekonomik, punësim e mirëqenie”, u shpreh Rama. Lideri i opozitës deklaroi nga Fieri se është e domosdoshme që qytetarët të marrin në dorë fatin e tyre, me qëllim që të mos ketë më një milion të papunë dhe kufij mes fshatin e qytetit. “Domosdoshmëri, marrja në dorë e së ardhmes, të kthejmë popullin në protagonist të zhvillimit, nga një vend ku ka një milion të papunë, në një vend ku e drejta për punë të kthehet në të drejtë të njeriut. Është koha kur të drejtat e çdo qytetari të jenë të lira. Është koha e pjesëmarrjes së madhe, koha për një aksion politik, t’i japë fund kufijve mes fshatit e qytetit”, u shpreh Rama. Kreu socialist, duke prezantuar Zeqon, kërkoi votën e qytetarëve përtej çdo ngjyre partiake. “Puna e Baftjar Zeqos i bën qytetarët e këtij komuniteti të besojnë tek e nesërmja pa asnjë mëdyshje. Baftjari është një shembull për të cilin të gjithë jemi krenarë dhe e bën votën për të një votë përtej kufijve të partive”, tha Rama. m.r

© Panorama.al

Te lidhura