“Lazarati e Shkodra mbajnë vendin në hartën e drogës”

Apr 9, 2011 | 11:05

Lazarati dhe Shkodra po mbajnë Shqipërinë në hartën e kultivimit të bimëve narkotike.Drejtori i policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, duke folur dje nga Gjirokastra theksoi se kanë mbetur vetëm 2 vatra, në zonat e thella malore në Shkodër dhe në oborret e disa banesave në Lazarat. “Për këtë vit, moto e policisë do të jetë: “Më mirë të parandalosh, se sa të dënosh.” Në këtë kontekst, theksi nga të gjithë duhet vënë tek parandalimi, me qëllim që të mos ketë të dënuar më pas jo vetëm në Lazarat, por në të gjithë Shqipërinë për të dalë një herë e mirë nga harta e kultivimit të kësaj bime”, tha Burgaj. Sipas tij, Policia e Shtetit do të përdorë metodat më të ashpra deri në kufijtë maksimalë që lejon ligji, për të bërë të mundur që fenomeni kanabis, të zhduket njëherë e përgjithmonë nga territori i Shqipërisë. Fushata antikanabis u zhvillua dje në Gjirokastër, në një takim ku pjesëmarrës ishin dhe nxënësit e ciklit parauniversitar në qytetin e Gjirokastrës. Burgaj tha se strukturat e specializuara të shtetit do të mbështesin me të gjitha mënyrat, me mjete logjistike, forca speciale, automjete për zonat malore deri tek kontrolli me satelit, me qëllim bllokimin e sasisë së drogës që është prodhuar në fshatin Lazarat. “Me masat e marra dhe me bashkëpunimin gjithëpërfshirës të komunitetit, ky fenomen negativ do të minimizohet akoma më tej, duke shkuar gradualisht drejt eliminimit të plote për rajonin tonë”, është shprehur për të pranishmit prefektja e Qarkut të Gjirokastrës, Mimoza Çomo. Ndërsa Dasho Aliko, kryetari i komunës së Lazaratit, tha se asnjë banor i këtij fshati nuk do të kultivojë më bimë narkotike, pasi këtij fenomeni i ka ardhur fundi. “Po i thuhet stop nga qeveria shqiptare, nga miqtë tanë ndërkombëtarë, ndaj edhe ne, si banorë të këtij fshati, do t’i themi përfundimisht stop”, nënvizoi Aliko. Ndonëse pranoi që komuniteti që ai drejton prej vitesh është etiketuar nga ndërkombëtarët një komunë me njollë të zezë në hartën e Shqipërisë për kultivimin e bimës narkotike, Aliko theksoi se vitin e kaluar komuna e Lazaratit kontribuoi në liberalizmin e vizave dhe do të vazhdojë të këtë rrugë si komunitet, duke mos kultivuar bimë narkotike, me qëllim që vendi ynë të integrohet sa më shpejt në strukturat e BE-së. Në këtë aktivitet, kanë marrë pjesë deputetët e maxhorancës në Qarkun e Gjirokastrës Genc Ruli dhe Vangjel Tavo, si dhe përfaqësues të PAMECA-s.

Kakavijë, kapet 1 kg mariujanë

Policia Kufitare sekuestron 1 kg marijuanë, në tentativë për të kaluar drejt Greqisë, ndërkohë që ka arrestuar poseduesin e saj. Emanuel Hasani, 18 vjeç, nga qyteti i Sarandës, është arrestuar në flagrancë me 1 kg marijuanë, të cilën do ta shiste në Athinë. Burimet zyrtare nga Policia Kufitare e Gjirokastrës, kanë bërë të ditur për gazetën “Panorama”, se poseduesi i lëndës narkotike udhëtonte me autobusin e linjës Sarandë-Athinë. Shërbimet e Policisë Kufitare të Kakavijës ishin vënë në dijeni në rrugë operative se në autobusin që udhëtonte drejt kryeqytetit helen, ndodhej sasia e marijuanës. Ka qenë ora 20:30 e të enjtes kur autobusi ka hyrë në territorin e Kakavijës dhe menjëherë uniformat blu ndërmorën një kontroll fizik të imtësishëm në bordin e autobusit si dhe në bagazh. Nga kontrolli rezultoi se poshtë sediljes ndodhej i ulur Emanuel Hasani, ndodhej një çantë dore, brenda së cilës rezultoi se kishte 1 kg marijuanë. Policia ka sekuestruar marijuanën në cilësinë e provës materiale, të cilën sipas burimeve, shtetasi i arrestuar e kishte blerë në vendlindjen e vet. p.n

 

GJIROKASTER/ PIRO NASE

© Panorama.al

Te lidhura