Rreth 79.6 për qind e kredive me probleme janë të mbuluara me kolateral, çka garanton në një farë mënyre kthimin e tyre.Për kreditë e këqija, nëse do të ekzekutohej kolaterali, niveli i tyre, i cili është rreth 14 për qind, do të ulej dhe do të kalonte me një shifër, përafërsisht, 6 për qind. Pra nga totali, vetëm 6 për qind e kredisë mund të konsiderohet “e humbur”. Ekspertë të Bankës së Shqipërisë e konfirmojnë këtë fakt duke pranuar edhe marzhin e gabimit për të tilla raste, ndërkohë që lidhur me kolateralin japin vlerësimin se nuk mund të ketë një shifër të saktë të tij pasi ka mënyra të ndryshme se si llogaritet nga bankat. Çështja e ekzekutimit të kolateralit është një nga thirrjet që është dëgjuar shpesh prej guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani. Jo më larg se një javë më parë ai kërkoi bashkëpunimin e sistemit gjyqësor për të ekzekutuar kolateralet për një sërë kredish, por, nga ana tjetër, ka kërkuar që bankat të tregohen më bashkëpunuese me biznesin në momentet kur ky i fundit mund të gjendet në vështirësi.
Biznesi dhe familjet
Biznesi në sistemin financiar rezulton si debitor, çka do të thotë se ka marrë më shumë hua nga sa ka depozituar. Raporti i Stabilitetit Financiar për tremujorin e dytë të vitit të kaluar jep në shifra se si paraqitet gjendja e huas dhe depozitave të biznesit dhe familjeve në këtë periudhë. Gjatë gjysmës së dytë të vitit 2010 biznesi ka marrë hua 228 miliardë lekë, duke e thelluar këtë hua me 23 miliardë lekë, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Por, ndryshe paraqitet “statusi” i familjarëve në sistemin financiar. Këta të fundit paraqiten si kreditorë, çka do të thotë që kanë depozituar më shumë para dhe kanë marrë hua më pak. Gjatë pjesës së dytë të vitit 2010 janë depozituar 519 miliardë lekë, rreth 97 miliardë lekë më shumë se një vit më parë.
Stres-testet
Banka e Shqipërisë ka kryer stres-testet për të parë aftësitë kapitale që kanë bankat e nivelit të dytë në vend për të përballuar risqet që vijnë nga përkeqësimi i ndonjërit apo disa prej treguesve. Në përgjithësi rezultati tregon një situatë të qëndrueshme, por banka të veçanta duhet të forcojnë gjenden e tyre të kapitalit. Lidhur me këtë pikë, Banka e Shqipërisë, së bashku me aksionarët janë përpjekur të rrisin kapitalin e bankave që kanë paraqitur këto probleme, por duhet vlerësuar se në totalin e sektorit bankar këto banka zënë vetëm 10 për qind. Forcimi i gjendjes së kapitalit kufizohet edhe nga situata financiare e disa bankave, të cilat kanë pasur edhe rezultat negativ.
Rreziku i kredisë
Banka e Shqipërisë u bën thirrje individëve dhe bizneseve të jenë të vëmendshëm në vendimmarrjet e tyre lidhur me kreditë. Këtë paralajmërim ata e lidhin me faktin se shumica e kredisë që jepet në vend është në valutë dhe është i ekspozuar direkt ndaj ndryshimit të kursit të këmbimit. Ekspertë të BSH-së theksojnë se pavarësisht se nuk mund të bëhet një përcaktim i saktë mbi riskun që ekziston, janë një sërë treguesish që paralajmërojnë për ndryshime, të cilat duhet të merren parasysh nga individët dhe bizneset në momentin kur marrin një kredi. Sipas tyre, norma e interesit të kredisë do të rritet për disa arsye. Së pari, sepse ajo është poshtë niveleve mesatare historike; së dyti, sepse Banka Qendrore Europiane sapo ka rritur normën e interesit të euros dhe parashikohet një tjetër rritje në qershor; së treti, sepse presionet inflacioniste në tregjet e huaja janë në rritje për shkak të rritjes së çmimit të naftës dhe shtrenjtimit të lëndëve të para.
Stabiliteti financiar, raporti i 6-mujorit të dytë 2010
1 . Stres-testet tregojnë një sistem bankar të qëndrueshëm, por banka të veçanta duhet të rikapitalizohen. Kjo pjesë bankash kap vetëm 10 për qind të të gjithë sektorit bankar në vend. Kapitalizmi i tyre është në nivelin minimal të kërkuar nga BSH, prej 12 përqindësh.
2. Struktura e borxhit në vend ndryshoi gjatë vitit 2010 për shkak të marrjes së Eurobondit. Tashmë 44 për qind e totalit ishte borxh i huaj, nga 36 për qind që ishte një vit më parë.
3. Në sistemin financiar në vend, bizneset shfaqen si debitore, pasi kanë marrë më shumë hua dhe kanë depozituar më pak para. Gjithsej janë marrë 228 miliardë lekë kredi, rreth 23 miliardë lekë më shumë se një vit më parë.
4. Familjet paraqiten si kreditore në sistem, pasi kanë depozituar më shumë para nga sa kanë marrë hua. Në gjashtëmujor depozitat ishin 519 miliardë lekë, rreth 97 miliardë lekë më shumë se një vit më parë.
5. Rreziku i tërthortë i kredisë për shkak të ndryshimit të normës së interesit, apo rreziku nga kursi i këmbimit, qëndrojnë. Biznesi duhet të tregohet i vëmendshëm dhe i kujdesshëm në vendimmarrje, pasi shumica e kredive jepen në valutë dhe njëkohësisht pritet një rritje e kursit të këmbimit, çka e ekspozon kredinë ndaj dy risqeve të mundshme.
6. Individët në sistem janë kreditorë dhe kanë 219 miliardë lekë në valutë, çka i bën të ekspozuar ndaj kursit, por gjithsej në total janë të mbrojtur.
7. Bankat kanë rreth 36 miliardë lekë të paangazhuar, të cilët mund t’i marrin në çdo kohë që iu nevojiten. Këto para janë të siguruara nga bankat mëmë.
8. Rreth 79.3 për qind e kredisë me probleme është e mbuluar me kolateral. Nga këto, nëse do të ekzekutohet kolaterali për kreditë e këqija, që deri në fund të vitit 2010 arritën rreth 14 për qind, niveli i tyre do të kalonte në njëshifror dhe afërsisht 6 për qind.
9. Banka e Shqipërisë dhe aksionerët janë duke punuar për të rritur kapitalin në disa banka që duhet ta forcojnë këtë gjendje. Aktualisht disa nga bankat kanë rezultat financiar negativ.
10. Normat e interesit të kredive janë poshtë mesatares historike të njohur. Mendohet që me zhvillimet e sotme, ku Banka Qendrore Europiane rriti normën e interesit të euros, të sjellin rritje të normës së interesit për kredinë. Kjo mbështetet nga presionet inflacioniste në tregjet ndërkombëtare ku është rritur çmimi i naftës dhe lëndëve të para.
NERTILA MAHO
© Panorama.al











