I menjëhershëm ka qenë reagimi i Daniel Xhafajt, ndaj ish-shokut të tij të sku-adrës te Besa, Blendi Shkëmbit.Sipas sulmuesit të vlonjatëve, korçarët nuk kanë asnjë shans për t’i parakaluar, ndaj trofeun mund veçse ta ëndërrojnë. Këtë arsyetim ky i fundit e bazon në forcën e vlonjatëve, të cilën e kanë treguar gjatë gjithë sezonit. “T’i lëmë këto parashikime pesimiste. Nuk kanë asnjë shans që ata (korçarët) të jenë 4 pikë para nesh në ndeshjen e fundit të kampionatit. Gjithsesi, nëse e mendojnë kështu, s’kam ndërmend që t’ua prish ëndrrën, ndaj do t’i lë që të ëndërrojnë”, ka pohuar Daniel Xhafaj, në një prononcim për “Panorama”.
Llogaritë – Sulmuesi ka analizuar më pas rivalitetin mes dy skuadrave, duke pohuar se gjithçka flet për Flamurtarin. “Sot për sot ne kryesojmë kampionatin dhe jemi skuadra më e mirë. Personalisht nuk më pëlqen të merrem me kundërshtarët, por vetëm me veten dhe në këtë kontekst di të them se në bazë të llogarive të mia, ky Flamurtar nuk ka shanse që të humbë këtë trofe. Ose më mirë, nëse një gjë e tillë ndodh, atëherë do të jetë veçse për fajin tonë dhe aspak për meritë të kundërshtarit. Në Durrës luajtëm një ndeshje jo në lartësinë e duhur, me një volum të madh loje, por pa saktësinë e duhur para portës. Nëse do të kishim marrë pikë të plota, tani nuk do të diskutonim për të tilla gjëra”, ka vazhduar Xhafaj.
Kontrata – Në fund sulmuesi ka folur pak edhe për të ardhmen e tij, të cilën ai e lidh më së shumti me suksesin e Flamurtarit të këtij sezoni. “Nuk kam menduar shumë për rinovimin e kontratës sime. Kjo, pasi gjithçka lidhet me suksesin e Flamurtarit. Nëse do fitojmë titullin dhe për këtë jam i sigurt, atëherë kontrata ime do jetë e bardhë mbi tavolinën e drejtuesve të klubit. Flamurtari tashmë është shtëpia ime, ndaj nuk diskutoj më për shifra me drejtuesit. Gjithsesi, kjo gjë do të shikohet në fund të sezonit”, ka përfunduar Xhafaj. Sulmuesi 34-vjeçar e ka nisur karrierën e tij pikërisht te Flamurtari, në vitin 1995, ku ka luajtur deri në vitin 2000. Më pas, ka luajtur sërish me vlonjatët për disa muaj në vitin 2003, për t’u rikthyer përfundimisht në fillim të sezonit 2010-2011.
LEONARD KARAJ











