Imagjinoni sikur sallat e parlamenteve të zbrazeshin nga burrat e të mbusheshin vetëm me gra. Përpara 2400 vjetësh, 5 gra u përpoqën të bëjnë një revolucion në këtë drejtim. Nën regjinë e Elma Dorezit, aktorët Devis Muka, Besmir Bitraku, Roland Saro, Visjan Ukcenaj dhe Endri Çela sjellin në Teatrin e Metropolit komedinë “Gratë në parlament” të Aristofanit. Megjithatë, pavarësisht se regjinë e ka në dorë një femër, pushteti mbetet sërish i meshkujve, përderisa rolet e 5 grave luhen nga 5 meshkuj, ashtu si në kohët antike. “Gratë në parlament” është një shfaqje që zbret nga antikiteti, e përshtatur disi në kohë. U shkrua në vitin 392 para Krishtit nga Aristofani, do të sjellë për shikuesit mbrëmjen e datës 8 tetor, historinë e Praksagorës, kryetares së re të zgjedhur në parlamentin grek, që bashkë me një grup grash të tjera vendos të bindë burrat që të braktisin pushtetin e Athinës. Në shfaqje nuk mungon kori, një narrator që qëndron gjatë gjithë kohës në skenë me një fizarmonikë në duar dhe interpreton “live”. Komedia nuk i është larguar strukturës së Aristofanit, me epilogun, prologun, etydet, këngët e festave të kënduara nga kori. Ngjarjet zhvillohen në qytet-shtetin e Athinës, ku kaosi ka kapur gjithçka, sepse pushtetin e kanë burrat. Praksagora është nga gratë më inteligjente dhe më me autoritet në Athinë. Ajo, në bazë të një strategjie shumë të detajuar, arrin që të krijojë grupin e saj të femrave, dhe nën maskimin që bëjnë sikur janë meshkuj, ato shkojnë në parlament dhe hedhin platformën e tyre për të shpëtuar qytetin e Athinës.











