Patrik Henri, administratori amerikan i firmës “SAC-Albademi”, që demontonte municione në Gërdec para shpërthimit të 15 marsit 2008, refuzon të paraqitet si dëshmitar në Gjykatën e Tiranës.Po ashtu, para treshes gjykuese të dosjes “Gërdeci” nuk pranojnë të paraqiten as tre nga katër dëshmitarët e tjerë me shtetësi amerikane, të cilët janë njoftuar si dëshmitarë në proces. Nga SHBA ku ndodhen aktualisht, ata i janë përgjigjur Gjykatës së Tiranës se nuk duan të paraqiten dhe të dëshmojnë në proces. Përgjigjja e tyre ka mbërritur në Tiranë pas dërgimit të letër-porosisë në SHBA, ku u kërkua dëshmia e shtetasve amerikanë që ndodheshin në Gërdec para shpërthimit. Ndërkohë, gjykimi i dosjes “Gërdeci” nuk vijoi dje për shkak të mungesës së disa prej avokatëve. Lajmi i refuzimit të amerikanëve u bë i ditur nga kryesuesi i gjykimit të dosjes “Gërdeci”, gjyqtari Ridvan Hado, në seancën e djeshme në ngarkim të 29 të pandehurve të akuzuar për tragjedinë e shpërthimit të Gërdecit. Gjyqtari Hado i njoftoi palët se kishin mbërritur përgjigjet e letër-porosive të gjykatës në lidhje me thirrjen si dëshmitarë në proces të pesë shtetasve amerikanë. “Katër nga pesë dëshmitarët e kërkuar kanë marrë njoftim nga gjykata, por kanë pohuar se nuk duan të paraqiten. Vetëm dëshmitari Uillian Hart nuk ka marrë dijeni”, tha dje gjykata. Dita e djeshme ishte përcaktuar më parë si data e fundit kur Patrik Henri dhe dëshmitarët e tjerë, Rodney Taylor, Devid Howell, Uilliam Hart dhe Sidney Macintyre duhet të paraqiteshin për të dëshmuar në proces.
PROCESI
Seanca e djeshme ishte e 125-ta në radhën e seancave të dosjes “Gërdeci” nga fillimi i shqyrtimit të saj në korrik të vitit 2009, në Gjykatën e Tiranës. Por dështimet e herëpashershme të seancave të këtij procesi e kanë shndërruar atë në një nga proceset gjyqësore me të “zvarritura” në Gjykatën e Tiranës. “Mungesa e avokatëve Mark Pëllumbi, Brahim Lahi, Vladimir Meçi, Denion Bogdani, të cilët linin pa mbrojtje të pandehurit Shkëlzen Madani, Dashnor Caushi, Luan Hoxha, Ardian Mullahi e Shpëtim Spahiu, shënoi shtyrjen e dytë radhazi për këtë çështje”, njoftoi dje zëdhënësja e Gjykatës së Tiranës, Bujana Tonçica. Deri dy seanca më parë ky proces zhvillohej dy herë në javë. Por pas një vendimi të ndërmjetëm në seancën e së hënës, seancat e këtij procesi u caktuan tri herë në javë. “Manovra” nuk rezultoi e suksesshme. Kjo, pasi seanca e së mërkurës nuk u zhvillua për shkak të mosparaqitjes të një numri të konsiderueshëm mbrojtësish.
ARMAND BAJRAMI











