
VLORE – “Çokollatat e paketuara nuk ishin prodhim i ëmbëltores së tim vëllai”. Bexhet Mehmetaj, vëllai i pronarit të pastiçerisë “Dashuria”, vrarë në shenjë hakmarrjeje dy ditë më parë, thotë se nuk e prisnin këtë. Sipas tij, në familjen e Agim Fetës kanë shkuar për ngushëllim për humbjen e vajzës, duke u shpjeguar se gjithçka ka qenë në rregull, sipas datës së skadencës së prodhimeve.
Sipas jush, pse u arrit deri në vrasjen e vëllait tuaj? Cilat ishin pretendimet e autorit të vrasjes?
Në fillim të janarit, Feta dhe vajza e tij kanë blerë në dyqanin e vëllait një pastë dhe çokollata, të cilat ishin të paketuara dhe të ardhura në ëmbëltoren e tij nga Fieri. Pas dy ditësh marrim vesh se dy nga vajzat e autorit ishin sëmurë dhe njëra prej tyre ishte shtruar urgjent në spital. Dy ditë më vonë mësuam se vajza kishte ndërruar jetë si pasojë e helmimit, të pretenduar nga çokollatat që kishte blerë në ëmbëltoren e vëllait tim.
U alarmuam dhe shkuam për ngushëllim në familjen Mehmetaj. I sqaruam se ne mendonim se nuk kishte ardhur helmimi nga çokollatat që kishte blerë në ëmbëltore, sepse ato ishin brenda afatit të kadencës, si dhe ishin të paketuara. Gjithashtu morëm pjesë në ceremoninë e varrimit të vajzës.
Si kanë qenë marrëdhëniet më pas midis dy familjeve?
Nuk ka pasur asnjë shqetësim, përveç njëherë kur Feta kishte bërë një bisedë të tillë me vëllain për humbjen e vajzës. Më pas nuk ka pasur asnjë problem, përshëndeteshim dhe flisnim me njëri-tjetrin.
Çfarë ka ndodhur, sipas jush, ditën e vrasjes?
Nuk e di me saktësi, po ashtu siç na thanë, vëllai im ka shkuar në punë në ëmbëltoren që e kemi në lagje dhe ka vazhduar punën normalisht. Në mbrëmje aty ka shkuar Alfredi dhe papritur ka nisur debatin me tim vëlla. Me një thikë që ishte në atë moment në banak e ka qëlluar vëllain disa herë në trup e më pas është larguar.
E prisnit një veprim të tillë, apo një hakmarrje nga babai i vajzës?
Absolutisht që jo, s’kishte arsye sepse marrëdhëniet midis dy familjeve kanë qenë normale dhe pa asnjë problem. Nëse do të kishim kuptuar diçka, nuk do ta linim situatën të arrinte deri në vrasje. Do t’i sqaronim gjërat dhe do t’i ulnim gjakrat. Por gjithçka ka qenë e qetë, sepse ne e sqaruam familjen e vajzës së vdekur se helmimi nuk ka ardhur nga çokollatat që bleu në dyqanin e ëmbëlsirave, sepse ato ishin brenda garancisë dhe të mbyllura që nga fabrika. Pra, vëllai im s’kishte asnjë faj. Nëse ato do të ishin prodhuar në ëmbëltoren e tij, patjetër që fajtor do të ishte vëllai im.
Çfarë kërkoni pas kapjes së autorit?
Ne kërkojmë që shteti të bëjë atë që parashikon ligji në të tilla raste. Ne kërkojmë dënimin maksimal, sepse vëllai im s’kishte asnjë faj. Ai ishte në punën e tij për të ushqyer familjen e tij, gruan dhe dy djemtë. Vëllai im ka qenë i sjellshëm dhe korrekt me të gjithë, nuk ka pasur asnjë problem me askënd. Përkundrazi, ka ndihmuar shumë njerëz të lagjes, pasi këtu ka shumë familje të varfra. Përveçse mirë, nuk ka bërë asnjëherë keq. q.b











