Drejtuesit e Dinamos kanë akuzuar ballshiotët se një ditë përpara ndeshjes, kanë tentuar të blejnë futbollistët serbë për t’u lënë ndeshje. Të paktën kjo është konfirmuar nga burime të sigurta pranë klubit “Dinamo”, por në mënyrë zyrtare dhe nga administratori i klubit, Ismet Saliaj. Sipas këtij të fundit, Bërkiç, Miloviç e Putinçani janë ankuar te presidenca dinamovite, se kanë marrë telefonata nga Ballshi. “Është e vërtetë që ata na janë ankuar se kanë marrë telefonata nga drejtuesit e Bylisit, të cilët i kanë pyetur se sa para donin për t’ua lënë ndeshjen. Sigurisht që është vënë në dijeni dhe presidenca blu, sepse këto janë gjëra të dënueshme”, – ka thënë në përfundim të takimit administratori i bluve, Ismet Saliaj, në një kohë që ka qenë tejet i mërzitur për barazimin e djeshëm në “Qemal Stafa” ndaj Bylisit, 1-1. Bërkiç, Miloviç dhe Putinçanin ditë më parë janë telefonuar nga drejtuesit e Bylisit. Mënyra se si kanë arritur të gjejnë numrat e tyre të telefonit, apo si kanë biseduar me ta është pak enigmatike. Por telefonata që ka ardhur për ta, ka qenë me kërkesën brenda: “Sa lekë doni të na lini ndeshjen?”. Dhe menjëherë futbollistët, të cilët kanë kërkuar të luajnë pastër dhe të shpëtojnë Dinamon nga rënia prej Kategorisë Superiore, kanë vënë në dijeni drejtuesit e tyre, të cilët këtë fakt e kanë bërë të ditur edhe për mediat sportive.











