
Arbër Bardhi, 20-vjeçari i qëlluar me 5 plumba mbrëmjen e së mërkurës, është vrarë gabimisht.Jeta e të riut është prerë në mes nga 53-vjeçari Mustafa Hyseni, i cili qëlloi me pistoletë ndaj Bardhit, duke menduar se kishte marrë hak mbi personin që i mori jetën të birit 2 vjet më parë. Vetëm kur ka shkuar në shtëpi dhe ka parë lajmet që jepnin emrin e Arbër Bardhit, ka mësuar se kishte marrë jetën e një personi pa faj. “Mendova të dorëzohesha, por jo para se të merrja hak mbi autorin e vërtetë të vrasjes së tim biri”, dëshmoi Hyseni, në momentet kur iu vunë prangat mbrëmjen e djeshme. Policia e Durrësit arriti të zbardhë në kohë rekord autorin e ekzekutimit të Arbër Bardhit, ndodhur më 29 mars, prapa një qendre tregtare në hyrje të qytetit. Në një deklaratë për shtyp, drejtuesit e Policisë së qarkut njoftuan dje identifikimin dhe arrestimin e shtetasit Mustafa Hyseni, 53 vjeç, i cili ishte i fshehur në shtëpinë e një miku të tij. Sipas policisë, gjurmët e lëna nga autori dhe metodat speciale të hetimit çuan në identifikimin e Hysenit. Ndonëse paraprakisht nuk rezultonte ndonjë lidhje mes viktimës Bardhi dhe Hysenit, vetë autori ka bërë dëshminë e tij duke hedhur dritë mbi misterin. Ai ka treguar se kishte ditë që kishte planifikuar vrasjen e personit (në të njëjtën moshë me Arbër Bardhin), të cilin e akuzonte se më 13 tetor të vitit 2009 kishte qëlluar me kaçavidë në kokë të birin, A. Hyseni, 18 vjeç, goditje që i shkaktuan vdekjen disa ditë më vonë në spital. Ngjarja ndodhi për një sherr banal mes viktimës dhe një të riu tjetër, i identifikuar nga policia dhe i arrestuar. Nga burime të policisë mësohet se autori u arrestua dhe u dënua me 16 muaj burg, duke u cilësuar si sulm i ndodhur në kushtet e vetëmbrojtjes. Ai ishte liruar pak javë më parë nga burgu, çka është mësuar nga Mustafa Hyseni, i cili ka përgatitur dhe planin e hakmarrjes. Sipas dëshmisë së dhënë mbrëmë në polici, Hyseni ka deklaruar se kishte të dhëna që shënjestra e tij jetonte në lagjen hyrëse të qytetit. Me armë në dorë ai ka zënë pritë mbrëmjen e 30 marsit, për të qëlluar në momentin kur i riu do t’i dilte në skenë. Ka qenë rastësi fatale që në ato momente, një telefonatë ka bërë që Arbër Bardhi të zbriste nga kafja në qendrën tregtare për të takuar një mikun e tij. Autori, i cili priste me ankth, ka ngatërruar pamjen e 20-vjeçarit Bardhi me personin që do të ekzekutonte, duke u nisur dhe nga fakti që mosha ishte e përafërt. Pa u menduar më gjatë ka qëlluar ndaj tij me 5 plumba, për t’u larguar me shpejtësi nga vendi. Për 4 ditë me radhë krimi mbeti mister, derisa policia, në një aksion rrufe, realizoi arrestimin e Hysenit. Me pranga në duar ai ka pranuar autorësinë dhe ndonëse ka shprehur pendesë për marrjen e jetës së një të pafajshmi, ka deklaruar se këto ditë nuk është dorëzuar, pasi donte të çonte në fund idenë për të eliminuar personin që e akuzon për vrasjen e të birit.
Viktima
U desh dëshmia e djeshme e autorit për të konkluduar në faktin që Arbër Bardhi ishte viktimë e pafajshme. Për policinë emri i tij solli në dosje disa pista, pasi dhe familja e 20-vjeçarit ishte përfshirë në një ngjarje të vjetër, për të cilën kryente dënimin i ati. Vetë Bardhi ishte me precedent penal, çka çoi në disa emra personash të dyshuar, por që asnjë prej tyre nuk kishte lidhje me ekzekutimin.
DURRES/ LEONIDHA MUSAJ
© Panorama.al











