‘Lulja e kujtimit’, opera e pastruar nga ideologjia

Feb 27, 2012 | 12:54

Nga opera “Lulja e kujtimit”, vënë në skenë në vitin 1961

100-vjetori i pavarësisë kthen operën e Kristo Konos.

Nën drejtimin e Eno Koços dhe me regji të Mehmet Xhelilajt, vepra vjen në skenën e TKOB

Koha kur u shkrua ia diktonte frymën disi patetike, aq më tepër kur bëhej fjalë për porosi plenumesh, këto lloj ngjyrimesh shtoheshin edhe më. Madje ato arrinin në ideologji. Por sot ajo vjen më e lehtë, më pranverore dhe më afër origjinalit. Me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, në datat 28 dhe 29 shkurt dhe 2 e 3 mars, në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit do të ngjitet një nga veprat e fondit operistik shqiptar. Bëhet fjalë për operën “Lulja e Kujtimit”, me muzikë të kompozitorit Kristo Kono dhe mbështetur mbi romanin me të njëjtin titull të shkrimtarit Foqion Postoli, një “best seller” i kohës së tij. E suksesshme si vepër letrare, pastaj e përshtatur në dramë e më tej në një opera, ku ndërthuret tradita muzikore shqiptare me ato të belkantos italiane, “Lulja e Kujtimit” për dekada do të ishte mjaft e dashur për shqiptarët. Në versionin e saj operistik është vënë në skenë fillimisht në vitin 1961 e më pas në 1978. Kjo vënie e tretë do të jetë më afër asaj të ’61-shit, por e riparë nën një frymë bashkëkohore. Sipas drejtorit të TKOB-it, Zhani Ciko, në politikat e institucionit është “shpluhurosja” e veprave të traditës, por “Lulja e Kujtimit” zë një vend të veçantë në këtë kolanë, për nga vlerat artistike që ajo bart. Sipas tij, ajo mbështetet në dy linja, në atë të dashurisë dhe në atë patriotike, të cilat ndërthuren me njëra-tjetrën. Ngjarjet e Postolit zhvillohen në vitin 1905 dhe, asokohe, dashuria nuk mund të kuptohej pa lirinë e atdheut. Pas 90 vjetësh, që kur është shkruar romani, kjo mund të tingëllojë pa dyshim patetike, megjithatë realizuesit kanë punuar që ajo të vijë sa më e freskët.
Vënia e tretë
“Lulja e Kujtimit” do të interpretohet nga një kast këngëtarësh lirikë, kryesisht në moshë të re. Rolet që dikur i luante Marie Kraja, Gjoni Athanas, Gaqo Çako, Ramiz Kovaçi etj., do të vijnë nën zërat e Armando Likës, Solen Allës, Ramona Tullumanit, Emiljana Palushajt, Denis Skurës etj. Duke u nisur edhe nga ky fakt, mjeshtri Eno Koço, i cili do të dirigjojë orkestrën e TKOB-it, thotë se vepra do të vijë me një temporitëm më të gjallë. “Në kohë të ndryshme, e njëjta vepër interpretohet në mënyra të ndryshme. Duke parë që pjesa më e madhe e këngëtarëve janë në moshë të re, edhe vepra do të vijë më e gjallë”, thotë Koço, teksa thekson se me gjithë këtë rilexim, nuk është cenuar thelbi i veprës. Për të, “Lulja e kujtimit” është një nga veprat më të bukura të repertorit shqiptar. Koço u ka dedikuar studime më vete kompozitorëve të parë shqiptarë, atyre që hodhën bazat në muzikën klasike shqiptare, por për veprën e Konos duket sikur ka një vlerësim të veçantë. “Për mua, kjo operë qëndron më vete. Është një operë shumë e bukur shqiptare, në të njëjtat nivele me veprat më të mira të vendeve të tjera të Ballkanit. Kompozitori Kristo Kono është formuar në Perëndim, Francë e Itali dhe e ka sjellë këtë frymë në krijimtarinë e tij. Kjo është një vlerë kombëtare dhe prandaj jam këtu, për të bërë atë që kemi dhe ndonjëherë nuk e vlerësojmë sa duhet”, shprehet Koço në lidhje me këtë vepër. Ndryshe nga herët e tjera, “Lulja e kujtimit” i është besuar një regjisori të cilin e ndeshim më së shumti në kartelonet e teatrit. Bëhet fjalë për regjisorin Mehmet Xhelilaj, i cili së bashku me dirigjentin Eno Koço e kanë “pastruar” veprën nga shtresëzimet ideologjike që ka pësuar nga vënia e parë në të dytën. Sipas Xhelilajt, pas Plenumit IV, veprës iu shtua një shtresë propagandistike e ideologjike, është ndërhyrë në libret, duke vënë theksin më së shumti te lufta e klasave. E “qëruar” nga këto ndërfutje artificiale, regjisori thotë se në plan të parë të veprës është linja e dashurisë mes Olimbisë dhe Dhimitrit, por do t’i mëshohet frymës patriotike, duke iu përshtatur edhe atmosferës së 100-vjetorit të Pavarësisë. Skenografia dhe kostumografia janë realizuar nga Platon Bardhi, i cili ofron linja të pastra dhe të pangarkuara në skenografi dhe kostume sa më afër origjinalit. Madje në premierë mund të jetë edhe ndonjë kostum, qysh në vënien e parë.

Opera në tri akte
“LULJA E KUJTIMIT”:
Opera në tri akte
Libreti: Andon Mara & Aleko Skali
Muzika: Kristo Kono
Dirigjent: ENO KOÇO
Regjia: Mehmet XHELILAJ
Skenografia dhe kostumet: Platon BARDHI
Dirigjent i Korit: Dritan Lumshi
Ilustrimi Koreografik: Arian Sukniqi
Interpretojnë: Armando Likaj, Solen Alla, Ramona Tullumani, Emiljana Palushaj, Denis Skura, Julian Gjodeshi, Elson Brahja etj.
Solistët, Kori, Trupa e Baletit dhe Orkestra Simfonike TKOB
Datat: 28-29 shkurt dhe 2-3 mars, ora 19:00

ALMA MILE

© Panorama.al

Te lidhura