“Top fest 9”, fitorja mes Besës, Gent Bushpepës dhe Argjentinës

Jun 3, 2012 | 14:17

Finalja në Pallatin e Kongreseve, premtohet një show me shumë të ftuar dhe surpriza, ja të pakënaqurit.

Gara e “Top Fest 9” pritet të finalizohet nesër më (3 qershor), në natë gala çmimesh që organizohet në Pallatin e Kongreseve dhe transmetohet në “Top Channel”. Spektakli ku këngëtarët këndojnë “live” është menduar të vijë si një show i madh, me prezantimin e e Ledion Liços dhe motrave Marina e Luana Vjollca, si dhe shumë personaliteteve të njohur e artistëve me emër, që do të ngjiten në skenë për të dorëzuar kupat e këtij viti. Por ndryshe nga edicionet e tjera, duket se ky edicion ka pasur më shumë këngëtarë të pakënaqur, që edhe pse konsiderohen deri diku me emër nuk kanë mundur të prekin dot finalen, natë për të cilën janë përzgjedhur 18 këngë, mes të cilave do të vlerësohen me trofe vetëm 10 këngë. Kështu, mes 38 artistëve të gjysmëfinales, tashmë gjen të gëzuar dhe të dëshpëruar, pasi sipas tyre edhe pse nuk kanë arritur të regjistrojnë mijëra klikime në youtube, ata s’janë klasifikuar për finalen e madhe. Mes finalistëve të përzgjedhur për të kënduar nesër janë: Besa Kokëdhima, Klajdi Haruni, grupi “Burn”, Eugent Bushpepa, Argjentina Ramosaj, Xhensila Myrtezaj, Dr.Flori ft Fatima, Klajdi Haruni, Julka, Devis Xherahu, Marsela Çbukaj etj. Ndërkaq ata që mbetën të zhgënjyer dhe s’do kenë të drejtën të këndojnë nesër janë: Nesti Duka, Ronela Hajati, Orgesa Zaimi, Kejsi Tola, Laura Nezha, Çiljeta, grupi “Lynx”, Marsela Cibukaj, Enrika Derza, motrat Kumrija, Drilon Shala etj.

“Top fest 9” ja pretendentët e trofeut
Ndërkohë në site të ndryshme në internet kanë filluar aludimet për emrin e këngëtares apo këngëtarit që do të fitojë Top Fest 9”. Besa Kokedhima është finalistja e “Top Fest 9”, që përmendet si një nga pretendentet kryesore për të fituar këtë edicion. Ajo rikthehet pas edicionit të pestë të këtij festivali, kur u shpall fituese e vendit të parë me këngën “Engjëjt vrasin njësoj”. Besa konkurron me këngën “Fishekzjarrë”, kompozuar nga Flori Mumajesi. Emri i Argjentina Ramosaj, me baladën “Si shiu” është komentuar si fituese e “Top Fest 9” po ashtu, ndërkohë që një nga pretendentët kryesorë për të fituar çmimin e madh është dhe Gent Bushpepaj me këngën “Udhëtari”. Listës së pretendentëve i shtohet Klajdi Haruni me këngën më popullore për momentin “Mamica” dhe Julka, që pas një mungese 6-vjeçare është rikthyer me një këngë pop dance.

18 të përzgjedhurit për finalen
1. Adrian Lulgjuraj
2. Eugent Bushepepa
3. Grupi Burn
4. Grupi Na
5. Nita Latifi
6. Erik Lloshi
7. Elhaida Dani
8. Besa
9. Julka
10. Klajdi Haruni
11. Dr Flori ft Fatima
12. Kelly ft Jeta
13. Valon ft Jorida
14. Stresi ft Xheraldina
15. Argjentina Ramosaj
16. Xhensila Myrtezaj
17. Devis Xherahu
18. Marsela Cibukaj

Këngëtarët që se prekën dot finalen
Nesti Duka (Stine)
Ronela Hajati
Orgesa Zaimi
Kejsi Tola
Laura Nezha
Çiljeta
Malda Susuri
Grupi Lynx
Besart Kallaku
Enrika Derza,
Motrat Kumrija
Drilon Shala

Renis Gjoka i grupit “Burn”: Në “TF”  protestojmë ndaj hipokrizisë në muzikë, synojmë çmimin e madh.
Numërojnë shtatë vite si grup, dhe planet i kanë po bashkë. Kënga me titull “Njerëz që takoj çdo ditë’ me të cilën konkurrojnë nesër në finalen e “Top Fest 9”, do të mbajë titullin e albumit të tyre të dytë. Renis Gjoka, solisti i grupit “Burn”, flet për ambicien e grupit për të fituar çmimin e madh të këtij edicioni.
Grupi “Burn” është një nga grupet finaliste të “Top Fest 9” me këngën “Njerëz që takoj çdo ditë”. Cilat janë pritshmëritë tuaja për natën e çmimeve më 3 qershor?
Sigurisht që jemi futur me pretendime në këtë edicion. Në radhë të parë e rëndësishme është që kënga ka pasur pritshmërinë e duhur. Për sa i përket kompeticionit, është një garë ku të gjithë hyjnë për të fituar.
Keni pohuar se këtë këngë ia dedikoni hipokrizisë në art. Si e shihni veten sot në botën mes artistëve?
Ne kemi vendin tonë në këtë botë të artistëve dhe sigurisht vendimet për mënyrën e pozicionimit në këtë lloj bote, i marrim vetëm ne pa u ndikuar nga asnjë faktor tjetër. Dhe përderisa është kështu, mendoj se jemi të pacenuar nga këto “hipokrizi artistike”.
Është folur se në këtë garë keni ambicie për fituar çmimin e madh. Cilët prej këngëtarëve i konsideroni pretendentë të fortë?
Siç e thashë më sipër, në garë garuesit futen për të fituar. Konkurrenca është shumë e madhe. Nuk ia vlen të përmend emra pasi janë me të vërtetë shumë.
Disa ditë para finales ju keni realizuar klipin e këngës, që po transmetohet në televizionet muzikore. Përse vendosët të bëni një klip para natës së çmimeve?
E vërteta është që ne kishim vendosur që në kohën kur kemi realizuar këngën, që do t’i bënim edhe klip. Thjesht i lamë një hapësirë para se të realizonim videoklipin. Realizimi i klipit nuk ka lidhje më natën finale të “Top Fest”.
Këndoni muzikë rrok. Është kjo muzika e cila fiton para në këto momente, apo kjo mbetet muzikë e të apasionuarve? Keni menduar të ndryshoni ndonjëherë për hir të tregut?
Nuk mendoj se muzika rrok është komerc, ku ta cilësojmë “në këto momente”?! Përkundrazi është një nga rrymat me më pak hapësirë në tregun shqiptar. Megjithatë, ne nuk kemi ndërmend të ndryshojmë për hir të tregut.
Keni shtatë vite në treg, kur planifikoni të nxirrni albumin tuaj të dytë?
Ne po punojmë për albumin tonë të dytë, që duhet të dalë këtë verë. Titulli i tij do jetë ai i këngës së fundit në “Top Fest”, pasi duam t’i shkojmë deri në fund protestës sonë kundër hipokrizisë.

Stine: Jashtë finales, edhe pse kënga ime u rendit e para në youtube me 500 mijë klikime
Nuk ka preferuar të japë një koment më shumë, sesa ai që  vendosur edhe si status në profilin e tij në facebook. Ernest Duka (Stine) nuk u klasifikua me këngën “S’di të falësh”, në finalen e “Top Fest 9”, që organizohet nesër. Ai ka dhënë një shpjegim, ku shpreh qëndrimin e tij ndërsa pohon: “Miqtë e mi të dashur, duhet t’ju lajmëroj se bordi i ‘Top Fest 9’ ka vendosur që unë të mos jem në finale, gjithsesi unë nuk harroj t’ju falënderoj të gjithëve që më keni mbështetur në çdo moment, pasi për mua kjo ka rëndësi, pikërisht suporti juaj, ndërsa për të tjerat gjykojeni vetë”. Ai ka pohuar se kënga e tij është renditur e para në bazë të klikimeve në youtube, duke regjistruar mbi 500 mijë klikime, ndërkohë që nuk është klasifikuar në finale. Stine rikthehej në këtë garë pas shumë vitesh. Ai konkurron edhe me kompozime për këngëtarët e tjerë. Për Laura Nezhën ka krijuar këngën me titull “Edhe pse gabim”, ndërsa për Keida Budinin një këngë me titull “Sa u deshëm”. Ndërkohë që vargje dhe muzikë të ndier ka rezervuar me këngën e tij, duke iu rikthyer kështu konkurrimit në “Top Fest 9”. Në këtë festival ku mori pjesë si kantautor, ai pohoi se vinte me një këngë dedikuar dashurisë së ndier.

Rita Ora, mysafire speciale në natën finale të ”Top Fest”
Mësojmë se Rita do të jetë e pranishme në natën finale të festivalit modern ”Top Fest” si mysafire speciale. Nuk kemi mundur të mësojmë se çfarë kushtesh dhe trajtimi ka kërkuar ajo për në Tiranë, por duke pasur parasysh se për një koncert me disa këngë playback është paguar hiç më pak se një shifër me shumë zero, sigurisht që edhe organizatorëve të festivalit ardhja e Ritës do u kushtojë një shumë të madhe, për qëndrimin dhe  daljen e saj në skenë. Përveç surprizave të shumta në edicione të kaluara, ardhja e një ylli kaq të madh të momentit do të jetë një ëndërr për të gjithë fansat e saj shqiptarë për të parë nga afër këngëtaren e hiteve që ka pushtuar toplistat në Britani, Amerikë e gjetkë.

© Panorama.al

Te lidhura