Zbardhet vrasja, viktima i ngacmoi motrën njërit prej autorëve

Oct 10, 2015 | 12:01
SHPËRNDAJE

Policia e Shkodrës zbardh vrasjen e ndodhur ne këtë qytet, kur u ekzekutua në pritë 24-vjecari Luigj Gjergji, banues në Fshatin Pistull, Bashkia Vau Dejës.

Sipas policisë një person i akuzuar si autor është prangosur ndërkohe që një tjetër është shpallur në kërkim. Shkak për ekzekutimin në pritë mësohet të jetë bërë një konflikt në dukje banal.

Viktima i ka ngacmuar motrën njërit prej autorëve, të cilët më pas vendosën të hakmerreshin për nder. 

luigj gjergji-001

U arrestua shtetasi Akil  Gradeci, 24 vjeç, banues në Fshati Shkjezë, Bashkia Vau Dejës Shkodër dhe shpall në kërkim Eduart Hulej, 32 vjeç, banues në Fshatin Plezhë, Bashkia Vau Dejës, Shkodër.

“Këta shtetas  dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vrarë me armë zjarri për motive të dobëta shtetasin Luigj  Gjergjin”- thote policia.

Ngjarja 
Po kthehej pasi kishte përcjellë nënën në Greqi, por një pritë e befasishme ka ekzekutuar me breshëri automatiku 24-vjeçarin, Luigj Gjergji, nga fshati Pistull i njësisë administrative Hajmel, pjesë e Bashkisë Vau Dejës.
Ngjarja e rëndë që i mori jetën emigrantit ka ndodhur rreth orës 02:15 në fshatin Stajkë të Bushatit. I riu sapo kishte përcjellë nënën e tij për në Greqi dhe po kthehej në shtëpi. Luigj Gjergji po udhëtonte me mjetin tip “Audi”, me targë greke NZP8147 dhe në aksin rrugor Shkodër-Vau Dejës persona ende të paidentifikuar nga forcat e policisë i kanë zënë pritë 24-vjeçarit duke e qëlluar me breshëri automatiku.

Nga sa mësohet Luigj Gjergji ka humbur jetën në vendin e ngjarjes pa pasur mundësi që të transportohej drejt urgjencës në spitalin e Shkodrës. 24-vjeçari, pas breshërisë me automatik që ka marrë makina e tij me të cilën po udhëtonte, ka përfunduar poshtë një kanali në anë të rrugës duke rënë në ujë.

Në atë orë të vonë kanë qenë banorët e zonës ata që kanë lajmëruar policinë, pasi kanë dëgjuar të shtënat e kallashnikovit. Pas njoftimit, forcat e policisë menjëherë kanë mbërritur në vendngjarje, teksa kanë parë 24-vjeçarin, i cili kishte humbur jetën nga plumbat e shumtë që ka marrë kudo në trup.

HIPOTEZAT E VRASJES
Banorët e fshatit Stajkë ku u qëllua 24-vjeçari Luigj Gjergji, i cili mbeti i vdekur në vend, dyshojnë se autorët e këtij krimi të rëndë kanë qëlluar në drejtim të Luigj Gjergjit nga një mjet me ngjyrë të zezë. Pasi janë siguruar se i riu ka humbur jetën, atentatorët në atë orë të vonë kanë përfituar nga errësira e natës dhe menjëherë janë larguar pa bërë shumë zhurmë duke mos arritur që të identifikohen nga askush.

Të ndodhur në këtë situatë, kjo ua vështirëson ndjeshëm punën grupit të hetimit, të cilët po shohin çdo mundësi për të rënë në gjurmët e autorëve të krimit.

Ndërkohë, po punohet për shkaqet e krimit. Vetë banorët tregojnë se i riu ishte person i qetë, por nga ana e policisë pohohet se po hetojnë intensivisht dhe parashikohet që autori të vihet në pranga shumë shpejt. Atentatorët mendohet se janë të zonës pasi e kanë njohur jashtëzakonisht mirë si fshatin Stajkë, por edhe fshatrat e tjerë.

Ata nuk kanë zgjedhur aksin kryesor për t’u larguar pasi kanë kryer vrasjen, por dyshimi kryesor është se kanë përdorur rrugicat nëpër fshatra për të humbur totalisht gjurmët qoftë në sytë e banorëve, por aq më tepër edhe të policisë.
SENAD NIKSHIQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura