Teksa skuadra e El basanit ka marrë pushimet dhe është në pritje të zhvillimeve që vijnë nga klubi për sezonin e ardhshëm, drejtuesit në kampin verdheblu, me sa duket, nuk po qëndrojnë “duarkryq”.

Nëse nga njëra anë i kanë duart të lidhura për shkak të gjyqit që nuk po mbaron me anglezët për rikthimin e aksioneve, nga ana tjetër janë duke zhvilluar bisedime për shitjen e të paktën një pjese të aksioneve te të tjerë blerës. “Panorama Sport” mëson nga burime të besueshme në klub se gjatë kësaj periudhe ka pasur interesim serioz nga dy biznesmenë të fuqishëm, njëri italian dhe tjetri vendës, por ende nuk është konkretizuar asgjë.
PISTA E HUAJ
Pak kohë më parë ka qenë edhe vetë presidenti Arben Laze që e pati pohuar se një biznesmen i huaj kishte shfaqur interes për të blerë aksionet në klub, por çështja ishte në vazhdën e bisedimeve. Bëhej fjalë për një italian, i cili edhe më parë është marrë me investimet në klubet e futbollit, por emri i tij nuk u bë asnjëherë i ditur. Gazeta mëson se kjo pistë mund të konsiderohet përfundimisht si e rënë poshtë, ndonëse para pak muajsh mund të quhej thjesht një formalitet.

Fakti që në klub e pësuan një herë nga të huajt, siç është rasti i anglezëve, bëri që të kishin njëfarë rezervimi që të bindeshin plotësisht para se të konkretizonin gjithçka, të paktën formalisht, sepse juridikisht nuk mund të bëhen veprime pa përfunduar gjyqi me anglezët e “Mançester Group”.
PISTA VENDËSE
Në skenë ditët e fundit ka dalë një pistë tjetër, ajo e një biznesmeni vendës, i cili është i gatshëm për të blerë aksionet në kampin elbasanas. Mësohet se palët janë në bisedime serioze dhe nuk është e pamundur që gjithçka të mbyllet edhe më shpejt nga sa mund të mendohet. Edhe në këtë rast, burimet janë tejet të rezervuara për të dhënë ndonjë indice më konkrete, por mësohet se pala e interesuar është e gatshme të bëjë investime të mëdha në klub për ta rikthyer Elbasanin në nivelet e para dhjetë viteve.

Megjithatë, duke qenë se u “dogjën” një herë me anglezët për këtë çështje, në klub janë duke peshuar mirë çdo gjë, në mënyrë që të mos dështojnë si dikur. Gjithsesi, në klub kanë filluar të lëvizin dhe betohen se sezonin e ardhshëm do të ngjiten në Superiore. Kujtojmë që Elbasani i shpëtoi rënies në Kategorinë e Dytë pasi fitoi ndeshjen “play-off” ndaj Luzit 2008 me rezultatin e pastër 3-0. Tashmë, verdheblutë shpresojnë se do të jenë një ekip ndryshe në kampionatin e ardhshëm.
VLADIMIR MEMA
© Panorama.al











