Nga nafta tek inceneratorët, eksperti Zef Preçi akuza Ramës e Ballukut për cenim të interesit publik

Jul 21, 2026 | 14:23

Menaxhimi i pasurive strategjike të një vendi është një nga provat më të rëndësishme të përgjegjshmërisë së institucioneve shtetërore. Pikërisht, nafta, kontratat dhe interesi publik janë kthyer në një nga debatet më të rëndësishme për mënyrën se si Shqipëria menaxhon pasuritë e saj strategjike.

zef preci

Krahasimi me rastin e Sllovenisë, ku një konflikt me një kompani ndërkombëtare u zgjidh në favor të shtetit, sjell në vëmendje pyetjet mbi transparencën, përgjegjshmërinë dhe mbrojtjen e interesit kombëtar në marrëveshjet ekonomike.

Në analizën e tipër gazetën “Panorama”, eksperti i njohur i çështjeve ekonomike Zef Preçi ngre shqetësime mbi mënyrën e administrimit të burimeve natyrore, kontratat koncesionare dhe nevojën për një debat të gjerë publik mbi përfitimet reale që qytetarët marrin nga pasuritë e përbashkëta.

Duke sjellë në vëmendje rastin e PatosMarinzës, debatet mbi frakingun, ndikimin mjedisor dhe çështje të tjera të menaxhimit të pasurive publike, eksperti Zef Preçi ngre pyetjen themelore: a po shërbejnë këto pasuri në radhë të parë interesit publik?

NGA ZEF PREÇI

Zakonisht e filloj ditën e punës me lajmet ekonomike nga vendi, rajoni dhe bota. Sot më tërhoqi vëmendjen një lajm me burim Slloveninë, ku arbitrazhi ndërkombëtar (ICSID), me bazë në SHBA, hodhi poshtë një gjobë për afro 600 milionë euro të një kompanie amerikane të naftës dhe gazit (Ascent Resources) dhe filialit të saj sllovak (Ascent Slovenia) ndaj këtij vendi, në lidhje me një projekt frakingu (https://seenews.com/news/ slovenia-wins-600-mln-euro-arbitration-vs-ascent-over-fracking-ban-1298257 – SeeNews, 17 korrik). Për ata që nuk e dinë, fraktura hidraulike, e njohur si “fraking”, është një metodë stimulimi e puseve për të nxjerrë naftë dhe gaz natyror që gjendet në thellësi, brenda formacioneve shkëmbore argjilore (shale), e cila ka pasoja negative mjedisore.

SLLOVENIA: NAFTA E IMPORTUAR DHE MBROJTJA E MJEDISIT

Sllovenia nuk prodhon, por importon pjesën më të madhe të naftës dhe gazit që konsumon, dhe të ardhurat buxhetore lidhen me akcizat dhe TVSH-në e vendosura mbi këto produkte energjetike të importuara, jo me nxjerrjen e tyre.

Në Slloveni, pra, “nafta dhe gazi” nuk figurojnë si burim i drejtpërdrejtë i të hyrave buxhetore nga nxjerrja. Pavarësisht kësaj, kujdesi i institucioneve shtetërore për të mbrojtur mjedisin është në nivelin e duhur, siç tregon edhe konflikti i mësipërm, i zgjidhur nga arbitrazhi ndërkombëtar në favor të shtetit slloven. SHQIPËRIA: FRAKING-U AKTIV NË PATOSMARINZA DHE PASOJAT MJEDISORE Tani të vijmë te nxjerrja e naftës në vendin tonë dhe problemet e njohura mjedisore — dhe jo vetëm mjedisore — të këtij sektori, prej gati një çerek shekulli.

Sipas një studimi të revistës “Solid Earth”, Bankers Petroleum (aktualisht në pronësi të kompanisë kineze Geo-Jade Petroleum) ka përdorur fraturën hidraulike (fraking) si pjesë e operacioneve të veta të rikuperimit të përmirësuar të naftës (EOR) në fushën naftëmbajtëse të Patos-Marinzës në Shqipëri. Që në vitet 2004- 2009, Bankers ka aplikuar një kombinim teknikash EOR, duke përfshirë përmbytjen me ujë (waterflooding), shpimin plotësues (infill drilling), rikuperimin termik, shpimin horizontal dhe stimulimin hidraulik/frakingun, për të rritur prodhimin nga nafta e rëndë dhe me viskozitet të lartë të fushës.

Kjo veprimtari e intensifikuar e nxjerrjes, e përqendruar në pjesën veriore të fushës pranë fshatit Marinza duke nisur nga viti 2008, është lidhur nga studiuesit dhe komunitetet lokale me fenomenin e uljes së tokës (subsidence) dhe sizmicitetin e induktuar — duke përfshirë disa tërmete me magnitudë 3- 4 në vitin 2013 dhe një valë sizmike në dhjetor 2016, që nxiti autoritetet shqiptare të urdhëronin Bankers të ndalonte injektimin e ujit në zonë (sipas të njëjtit burim).

Banorët lokalë kanë depozituar gjithashtu ankesa formale në Zyrën e Ombudsmanit të Bankës Botërore (CAO), duke pretenduar se aktivitetet e shpimit kanë shkaktuar tërmete, kontaminim dhe dëme të tjera, ndërsa një ishProkuror i Përgjithshëm i asaj kohe ka bërë të ditur publikisht ndërhyrje diplomatike në favor të kësaj kompanie, e cila në atë periudhë zotërohej nga një kompani kanadeze. Domethënë, në Shqipëri kjo praktikë e frakingut është përdorur në mënyrë aktive në Patos-Marinza nga Bankers Petroleum, ndërsa ishte ndaluar ose bllokuar në Slloveni, Kroaci dhe Bullgari, etj. Domethënë, Sllovenia, e cila nuk ka praktikisht fusha naftëmbajtëse me vlerë komerciale, merr masa serioze për të mbrojtur mjedisin.

REZERVAT E NAFTËS DHE GAZIT: SHQIPËRIA KUNDREJT SLLOVENISË

Sllovenia përmban rreth 11 miliardë metra kub gaz natyror në shtresat e thella të fushës së Petišovcit (Prekmurje). Shqipëria, në krahasim, vlerësohet se zotëron rezerva të provuara të gazit natyror prej rreth 5,7 miliardë metra kub (Trade.gov, Bamwor). Siç dihet, Shqipëria zotëron rezervat kryesore të naftës në rajon, kryesisht të përqendruara në fushën e Patos-Marinzës:

· Rezervat e provuara/të nxjerrshme të Shqipërisë vlerësohen rreth 150 milionë barrela (2021) (Bamwor).

· Vetëm fusha e PatosMarinzës përmban naftë origjinale-në-vend (OOIP) të vlerësuar deri në 5,4 miliardë barrela, ndërsa rezervat e nxjerrshme (2P) vlerësoheshin rreth 191-220 milionë barrela nga Bankers Petroleum (Bankwatch, SPE/JPT).

· Agjencia shtetërore AlbPetrol vlerëson rezerva të nxjerrshme rreth 120 milionë barrela (Trade.gov). Pra, për naftën, Shqipëria zotëron një sasi të vlerësuar prej 5 miliardë barrelash naftë në vend. Patos-Marinza është kështu fusha më e madhe naftëmbajtëse tokësore e Evropës, në të cilën prodhimi është rritur nga 600 barrela/ ditë vetëm pak më shumë se një dekadë më parë, në më shumë se 20.000 barrela/ditë (2015) — prodhim që ka rënë gati përgjysmë pas një dekade (8.500-9.100 barrela naftë në ditë, 2024) — por me “objektiv afatgjatë prej 1 milion tonë naftë në vit deri në 2030” (Bankers Petroleum).

Sipas të njëjtit burim, një projekt i ri i injektimit të avullit në fushën naftëmbajtëse PatosMarinza, me kosto mbi 20 milionë dollarë amerikanë, synon të rrisë prodhimin e naftës me 5-15% në vit nga viti 2025 deri në 2029. Projekti është i orientuar në zonën Gorani, e cila zotëron më shumë se 50 milionë tonë naftë origjinale në vend (Original Oil in Place). Përveç kësaj, një projekt për të adresuar problemin e llumit naftor (oil sludge) është planifikuar në vijim.

KONTRIBUTI FISKAL I SEKTORIT TË NAFTËS NË BUXHETIN SHQIPTAR

Të dhënat zyrtare tregojnë se, për periudhën 2023-2025, kontributi i sektorit të nxjerrjes së naftës në buxhetin shtetëror shqiptar mbetet modest në raport me totalin (rreth 0,3-0,5% të të ardhurave totale buxhetore, kryesisht nga renta minerare), ndërsa kontributi potencialisht shumë më i madh nga tatimi mbi fitimin praktikisht mungon plotësisht — një çështje që tani është objekt i hetimeve penale për evazion fiskal.

Thënë ndryshe, kontributi vjetor direkt i sektorit të naftës (kryesisht renta minerare prej Bankers Petroleum) në buxhetin shtetëror shqiptar është afërsisht 20-30 milionë euro në vit — një shumë tejet modeste në raport me shitjet vjetore prej qindra milionë eurove të kompanisë, pikërisht sepse tatimi mbi fitimin (potencialisht shumë më i madh) nuk është paguar, për shkak të klauzolës “R-Factor” dhe hetimeve aktuale për evazion fiskal.

Kontributi i papërfillshëm në buxhet i Bankers Petroleum kundrejt shumave kolosale të shitjes së naftës së nxjerrë konfirmohet edhe nga vetë kompania në fjalë. Kështu, sipas vetë burimeve të Bankers Petroleum, në mënyrë kumulative nga 2004 deri në 2022, janë paguar gjithsej 890 milionë dollarë taksa dhe detyrime (nga të cilat: 675 milionë dollarë renta minerare, 49,4 milionë dollarë akciza, 25,3 milionë dollarë kontribute sigurimesh shoqërore, dhe 20,7 milionë dollarë taksa lokale). Kjo pa folur për dëmtimet mjedisore, për të cilat nuk flet askush, ose thjesht përmenden në periudhat parazgjedhore, por pa asnjë ndërhyrje institucionale për këtë qëllim.

KU DUHET TË PRESIM ZGJIDHJEN?

Pas këtyre shpjegimeve, natyrshëm lind pyetja: nga kush duhet të presin zgjidhjen qytetarët shqiptarë për menaxhimin, në favor të interesit publik, të kësaj pasurie strategjike të vendit? Nga qeveria dhe nga KM Rama, që duket se janë zënë ngushtë dhe vetë-demaskuar nga “Albanian Files” dhe projekte të tjera, përmes të cilëve kanë përcjellë dhe vazhdojnë me arrogancë t’i përcjellin në duar private, vendase dhe të huaja pasuritë e përbashkëta kombëtare, në të vërtetë paasnjë përfitim substancial për ekonominë tonë kombëtare?

Ja pse nevojitet një debat i hapur publik rreth politikave që ka ndjekur dhe vazhdon të ndjekë qeveria shqiptare në menaxhimin e pasurive kombëtare, shkallën e përfshirjes së sektorit privat vendas dhe të huaj, nivelin real të investimeve në teknologjitë e importuara, parashikimet kontraktuale dhe respektimin e interesit publik në to, etj.

RASTI SLLOVENAS KUNDREJT RASTIT TË INCENERATORËVE

Shembulli i rastit të mësipërm të Sllovenisë, në një konflikt kontraktual me një kompani amerikane, konfirmon faktin se, kur kontratat janë të qarta, interesat e palëve janë de jure të mbrojtura, dhe se vendim-marrja e arbitrazhit ndërkombëtar nuk ka nevojë për shërbime konsulence të llojit Omnia Strategy (e cila mori gjithsej 645.000 euro nga qeveria shqiptare për të mbrojtur interesat e shtetit në çështjen e skanimit të kontejnerëve me kompaninë amerikane Rapiscan Systems).

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për justifikimet e pabazuara të KM Rama dhe ish-ministres së Infrastrukturës, B. Balluku, mbi klauzolën e arbitrazhit në kontratën e inceneratorit të Fierit, kur gjate komisionit hetimor parlamentar “Tabaku” (2022) pretenduan se qeveria “nuk mund t’i ndalojë pagesat” ndaj koncesionarit për shkak të kësaj klauzole… Si përfundim, afro 430 milionë euro u shpërndanë në mënyrë korruptive tek tre kompani koncesionare, pa përvojë dhe kapacitet financiar, për ndërtimin e inceneratorëve në Tiranë, Fier dhe Elbasan — asnjëri prej të cilëve nuk funksionoi kurrë plotësisht, ndërsa në Tiranë impianti mungon edhe sot e kësaj dite.

Ndërkohë, SPAK-u, në mënyrë të dyshimtë, duket sikur po zvarrit procesin dhe “vazhdon hetimin” ndaj personave politikë përgjegjës për cenimin e interesit publik. Në këtë kontekst tingëllon serioze thirrja e diplomatit David J. Kostelancik, ish-i nominuari për ambasador i SHBA-së në Tiranë (kandidaturë e bllokuar dhe zëvendësuar më vonë në Senat), se SPAK duhet të veprojë edhe “…nëse ligjet shqiptare janë manipuluar, nëse burimet publike janë transferuar në mënyrë të papërshtatshme, nëse institucionet shtetërore kanë vepruar në mënyrë të ligjshme dhe nëse rrjetet kriminale e kanë shfrytëzuar projektin për qëllime të paligjshme”.

Në vlerësimin tim, ka ardhur dhe po kalon koha që të rritet transparenca dhe informimi i qytetarëve, të hetohet dhe të nxirret përgjegjësia e autoriteteve qeveritare në rastet e cenimit të interesit publik nëpërmjet vendimmarrjeve klienteliste dhe ligjeve të porositura, që kanë sjellë si rezultat rritjen e korrupsionit, cenimin e konkurrencës në tregje dhe kapjen e shtetit për llogari të lobeve të biznesit, oligarkisë, politikanëve të korruptuar dhe segmenteve të krimit të organizuar, vendas dhe ndërkombëtar.

/GazetaPanorama

© Panorama.al

Te lidhura