Vijnë 3 largimet e para nga Tirana, e ardhmja mbetet “peng” i Etikës

Jun 6, 2017 | 12:27
SHPËRNDAJE

Tirana është e gjitha në “ajër”. Stafi teknik dhe lojtarët janë me “sytë” nga presidenti, ndërsa ky i fundit pret vendimin e Komisionit të Etikës. Edhe pse koha për të nisur punën për Ligën e Europës është e limituar (maksimumi duhet të zbresin në fushë të hënën), drejtuesit më të lartë të klubit fillimisht duan që të mësojnë vendimin që do të merret më 8 qershor për rastin “Skënderbeu”.

Tirana kupa

Vetëm kështu mund të mendojnë seriozisht për të ndërtuar një skuadër për Kategorinë e Parë apo për Superioren. Diferencat janë të mëdha, pasi dashur pa dashur edhe buxheti do të ndryshonte. Në inferiore sigurisht që nuk do të ketë paga “milionere”, ndërsa nëse mbeten pjesë e elitës, u mbetet për detyrë që të kenë një projekt serioz për të rikthyer Tiranën e niveleve të larta.

Të ndodhur para kësaj pikëpyetjeje, askush te bardheblutë nuk e ka të ardhmen e sigurt. Mirel Josa jo e jo, pasi edhe dje nuk ka pasur kurrfarë kontakti me kreun e klubit, megjithatë pritet që sot ose nesër palët të takohen. Lojtarët, nga ana tjetër, janë në të njëjtën situatë. Ata kanë nisur pushimet, por njëherësh janë duke krijuar një plan “B”.

Ofertat disave nuk u kanë munguar, ndaj pritet brenda kësaj jave që ata t’i japin drejtim të ardhmes së tyre. Pjesa dërrmuese e organikës është nën kontratë, por e njëjta gjë nuk mund të thuhet për 5 titullarë. Konkretisht Ilion Lika, Erando Karabeci, Gilman Lika, Olsi Teqja dhe Afrim Taku zyrtarisht janë lojtarë të lirë në treg, pasi marrëveshjet e firmosura kanë “skaduar” që në fundin e muajit maj.

Nëse për portierin mund të thuhet që edhe vitin tjetër do të jetë pjesë e Tiranës, e paqartë mbetet situata për kapitenin. Ky i fundit, në deklaratën e dhënë pas finales së Kupës, ishte i qartë: “E sigurt që do të luaj në Europë, më pas nuk e di. Ende nuk mund të jap një përgjigje”.

Sakaq, tre të tjerët mund të konsiderohen thuajse të larguar. G.Lika, Teqja dhe Taku kanë pak shanse që të rinovojnë. Që të tre kanë pasur oferta dhe vetëm letrat i mbajnë të lidhur momentalisht me bardheblutë. Gjasat janë që nga momenti në moment ata të tërheqin lejen e kalimit, duke mbyllur zyrtarisht aventurën me skuadrën më të titulluar në Shqipëri. Nëse do të jenë të vetmit apo jo, kjo mbetet në dorën e klubit, pasi askush nuk mund të largohet pa OK-in e drejtuesve.

ADELA MERKO

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura