Ulen taksat për shitjen e shtëpive, ja afatet që keni për rivlerësimin

Jul 24, 2016 | 17:10
SHPËRNDAJE

Qytetarët dhe bizneset kanë afat të bëjnë rivlerësimin e shtëpive me tatim 2 për qind deri më 28 shkurt 2017. Taksa që do të paguhet, do të llogaritet nga diferenca e vlerës së rivlerësimit të apartamentit dhe vlerës së mëparshme, ku do të jetë 2 për qind e kësaj diference dhe për biznesin 3 për qind.

Në rivlerësimin e apartamenteve në rast shitjeje do të përfshihen edhe shtëpitë e legalizuara, apartamentet që nuk kanë hipotekë, por vetëm kontratë sipërmarrjeje. Komisioni i Ekonomisë miratoi dje ligjin për rivlerësimin e pasurive, duke ulur tatimin e pronës nga 15% në 2%.

shtepi

Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, tha se ligji takson 2 për qind vetëm diferencën e rivlerësimit të shtëpive dhe jo më vlerën e shitjes. “Rivlerësimi nuk është i lidhur drejtpërsëdrejti me transaksionin, por i lidhur me transaksionin nesër në potencë për ta lehtësuar.

Është një instrument lehtësues. Jam i bindur se do të jenë një masë e madhe qytetarësh që do të përfitojnë nga lehtësimi. Ka një mundësi shumë të madhe për atë pjesë që nuk arriti të bëjë rivlerësimin dhe janë 90 për qind.

I japim mundësi një grupi shumë të madh qytetarësh. Rivlerësimi 2 për qind është mbi diferencën e rivlerësimit dhe jo mbi transaksionin. Transaksioni nesër vazhdon në normalitet të regjimit aktual”, tha Ahmetaj.

Ligji u mbështet nga opozita, por deputeti Ridvan Bode ngriti dyshimin se pas rivlerësimit, qeveria do të ndryshojë taksën e pasur ive, duke e kthyer atë sipas vlerës së tregut.

“Duket sikur ky proces rivlerësimi për shtëpitë që kur t’i nxjerrin për të shitur të mos paguajnë 15 për qind, por 2 për qind, qeveria e bën sepse ka ndërmend të vendosë një taksë ‘ad valorum’, mbi banesat. Pra, nga një taksë që e kemi për metër katror, sipas vendndodhjes, të kalojmë në një taksë që bazohet mbi vlerën e shtëpisë.

Duket se këtu kemi të bëjmë me një kulaç dhe qeveria të ngrejë lart kërbaçin në momentin që sa ta kafshosh, do ta hash shumë më të fortë kërbaçin e qeverisë që do të vijë nga taksë mbi vlerën e shtëpive dhe kapitaleve”, u shpreh Bode. Deputeti Edmond Spaho u shpreh se ligji nuk do të sjellë efekte, ndërsa kërkoi ulje të tatimit mbi pasurinë e paluajtshme nga 15 për qind në 10 për qind.

Deputeti Sherefedin Shehu i propozoi Komisionit që tatimi i pasurisë për rivlerësim të mos jetë 2 për qind, por 0,5 për qind. Propozimi i Shehut u kundërshtua nga ministri Ahmetaj.

“Logjika e 2 për qindëshit në këndvështrimin tim është goxha solide, jep insetivë goxha të madhe, por mban parasysh edhe raportin e pjesës tjetër”, tha Ahmetaj. Ndryshimet për përfshirjen në procesin e rivlerësimit edhe të shtëpive të legalizuara u bënë nga përfaqësuesi i Dhomës së Tregtisë, Arben Shkodra.

shtpite

“Të përfshihen qytetarët, të cilët nuk kanë prona të hipotekuara, por i kanë me kontratë sipërmarrjeje. Flasim për një numër të madh pronash, që nuk janë hipotekuar akoma, mund të jenë në proces legalizimi dhe nuk ka ndodhur akoma legalizimi i tyre”, u shpreh Shkodra.

DEBATI NE KOMISIONIN E EKOMOMISE

Arben Ahmetaj: Interesi është jashtëzakonisht i madh, jo vetëm në Tiranë, por në të gjithë Republikën e Shqipërisë. Besoj se do të kemi një interes të lartë, si dhe do të kemi një vlerë reale të pasurive të paluajtshme. Jam i bindur se, edhe pse nuk është qëllimi i parë, do të kemi të ardhura në buxhet që do të shkojnë në ulje të borxhit.

Arben Shkodra: Si sipërmarrje, ne mendojmë se do të ishte me vlerë që komisioni të merrte në konsideratë kontratat e pahipotekuara. Në ato kontrata ka një ekonomi të fshehur, për këtë arsye duhet të merret në konsideratë edhe ajo pjesë e qytetarëve. Metoda më e mirë është të përfshihet Agjencia e Legalizimeve dhe të krijohet një zyrë teknike te legalizimet që të formalizohen edhe këto apartamente të pashitura. Pra të përfshihen qytetarët, të cilët nuk kanë prona të hipotekuara, por i kanë me kontratë sipërmarrjeje. Flasim për një numër të madh pronash që nuk janë hipotekuar akoma, mund të jenë në proces legalizimi dhe nuk ka ndodhur akoma legalizimi i tyre. Kjo kategori qytetarësh duhen të përfshihen në këtë ligj.

Arben Ahmetaj: Propozimet që ka sipërmarrja mund të diskutoheshin sot, duke qenë se koha është e shkurtër. Në ligj i jemi referuar vlerës hipotekore dhe vlerës së referuar. Problem që ju sillni, është serioz. Në dijeni time ka shumë kontrata sipërmarrjeje, që nga ana teknike janë të komplikuara për t’u rivlerësuar. Komisioni së bashku me ekspertët e Ministrisë të Financave, gjatë ditës të sotme mund të realizojë një nen që t’i japë të drejtën kësaj pjesë, edhe me miratimin tuaj mund ta shikoni.

Edmond Spaho: Qytetarët nuk përfitojnë nga kjo nismë, pasi 95 për qind e tyre nuk kanë një shtëpi për të shitur, fiton vetëm biznesi i shitblerjes së banesave. Nëse qeveria është e interesuar që të fitojnë qytetarët, të ulë tatimin mbi pasurinë dhe ta kthejë në 10 për qind siç e gjeti në vitin 2013. Shqipëria është vendi më i varfër në Europë dhe taton më shumë se çdo vend tjetër pasurinë e paluajtshme, në 15 për qind.

Arben Ahmetaj: Po t’i kthenim të gjitha si në 2013, i bie që të ishim në buzë të greminës. Nga ana teknike, rivlerësimi i pasurive është vullnetar, kush do e bën, kush nuk do, nuk e bën. Rivlerësimi nuk është i lidhur drejtpërsëdrejti me transaksionin, por i lidhur me transaksionin nesër në potencë për ta lehtë- suar. Është një instrument lehtësues. Jam i bindur se do të jenë një masë e madhe qytetarësh që do të përfitojnë nga lehtësimi.

Ridvan Bode: Duket sikur ky proces rivlerësimi për shtëpitë që kur t’i nxjerrin për të shitur të mos paguajnë 15 për qind, por 2 për qind, qeveria e bën sepse ka ndërmend të vendosë një taksë “ad valorum” mbi banesat. Pra, nga një taksë që e kemi për metër katror sipas vendndodhjes, të kalojmë në një taksë që bazohet mbi vlerën e shtëpisë. Nëse mendohet të arrihet nëpërmjet këtij procesi, nëpërmjet këtij marifeti, kjo skemë taksimi do të ishte e padrejtë, sepse gjithë pjesa që janë jashtë kapitaleve të tregut të paregjistruara, jashtë ligjit, ndërtimet pa leje, apo ato që janë në proces legalizimi, do të futeshin në një konkurrencë të padrejtë dhe pandershme me ato që janë legalizuar e janë në treg. Duket se këtu kemi të bëjmë me një kulaç dhe qeveria të ngrejë lart kërbaçin në momentin që sa ta kafshosh, do ta hash shumë më të fortë kërbaçin e qeverisë që do të vijë nga taksë mbi vlerën e shtëpive dhe kapitaleve.

Ne e mbështesim këtë ligj, por nuk presim ndonjë gjë nga ligj. Ishalla nuk është e vërtetë që të gënjeni ata njerëz që turren për të deklaruar vlerën e vërtetë të shtëpisë dhe ditën e nesërme t’i dërgoni faturën për taksën e pasurisë, bazuar mbi vlerën. Ne do ta votojmë, por nuk prodhon asgjë. Është shumë zhurmë për asgjë, nuk e kuptoj pse e keni sjellë tani.

Erion Braçe: Faleminderit zoti Bode për racionalitetin, se e njëjta histori ka ndodhur në vitin 2010, 2011 dhe 2013.

Arben Ahmetaj: E vlerësoj mbështetjen e opozitës se i bën mirë ligjit të votohet me konsensus të gjerë, edhe për arsyen sepse do të jetë një numër i lartë qytetarësh që do të përfitojnë. Sjell dy shifra, bëjnë sens për treguar arsyen pse e kemi sjellë ligjin. Në vitet ’91-’94 janë bërë gati 500 mijë regjistrime në zyrat e Hipotekës, me atë vlerë historike të tatueshme, ndërsa në atë rivlerësim që është bërë përpara 7 vitesh vetëm 100 mijë aplikime kanë ndodhur, edhe për shkak paqartësisë dhe mosdijes në ato momente.

Ka një mundësi shumë të madhe për atë pjesë që nuk arriti të bëjë rivlerësimin dhe janë 90 për qind. I japim mundësi një grupi shumë të madh qytetarësh. Rivlerësimi 2 për qind është mbi diferencën e rivlerësimit dhe jo mbi transaksionin. Transaksioni nesër vazhdon në normalitet të regjimit aktual.

Sherefedin Shehu: Në qoftë se jeni qeveri e uljes së taksave, sot keni rastin ta dëshmoni. Ne e aplikuam 1 për qind taksën e rivlerësimit, ju bëjini 0,5 për qind dhe jo 2 për qind sa e keni sjellë. Politika e vërtetë është të ulni tatimin mbi të ardhurat, nëse ju dhimbsen njerëzit taksën 15 për qind, bëjeni 5 për qind.

Arben Ahmetaj: Në këndvështrimin tim personal është i paarsyeshëm propozimi për ne dhe nuk mund të hyjmë në lojë kungulleshkash, po pse dy, po 0,5 për qind apo 1 për qind. Realisht, çdo njeri ka mendimin e vet, mund ta ketë edhe zero, por logjika e 2-shit në këndvështrimin tim është goxha solide, jep insetivë goxha të madhe, por mban parasysh edhe raportin e pjesës tjetër.

Arben Shkodra: Sipërmarrja ka nevojë për një ndërhyrje më të madhe, me bazë më të gjerë. Kemi folur shpesh për amnisti kapitale, mendojmë se ka ardhur koha që të vendosim një vijë ndarëse midis informalitetit që ka ndodhur më parë dhe një ndryshimi të ri, sipërmarrja ka nevojë për një amnisti më të gjerë me bazë për kapitalet.

Ridvan Bode: Përballë rritjes së masave ndëshkimore mbi qytetarët dhe bizneset, që nga dritat e deri te ndërtimi i çatisë, fatura tatimore dhe i punësuari i paregjistruar do të ishte e udhës të shikohej një amnisti më e gjerë, që të përfshinte të gjitha kapitalet, nëse qeveria vlerëson se është momenti, pasi do të vijë ky moment që të bëhet një gjë e tillë.

Arben Ahmetaj: Nëse do të bënim amnisti të gjerë kapitalesh, për mua do të ishte shumë mirë duke përjashtuar zyrtarët e lartë apo një set me individë që i kanë paratë nga korrupsioni. Pjesa tjetër do të ishte vërtet shumë gjë e mirë dhe unë e kam hedhur si ide, por theksoj, ajo kërkon një konsensus të gjerë. Le të kthehen në grup, ta pranojnë propozimin tim, të vijnë të thonë po, e shkruajmë të hënën. Për amnistinë e kapitaleve dua t’i kthehem diskutimit të vjetër se cila ishte arsyeja që nuk funksionoi disa vite më parë. Nuk funksionoi se nuk pati konsensus të gjerë. Do të kishte një përplasje mes amnistisë së kapitaleve që u tentua të avancohej atëherë dhe ligjeve kushtetuese për të drejtën e prokurorisë për të hetuar mbi ato kapitale. Në qoftë se jeni gati që ta avanconi së bashku me ne, do të ishte kënaqësi për ne të çonim një akt tjetër me konsensus, që do të ishte amnistia e kapitaleve, sepse një ligj me 71 vota nuk u jep këtë mundësi qytetarëve.

Ridvan Bode: Kjo është një çështje jo e vogël. Implikon interesa, kundërshti dhe ballafaqime. Ju jeni një maxhorancë që i keni votat, ne nuk i kishim 84 vota për të bërë ndryshime në Kodin Penal, se duhet të amnistohet Kodi Penal. Ne këto vota nuk i kemi pasur, ju thamë ju, nuk na e dhatë mbështetjen, madje nuk na dhatë mbështetjen as për këto dy ligje që po jua japim sot. Votat i keni, nuk ka nevojë të bëni marrëveshje me opozitën. Bëjeni që sot, se ju për qëllime elektorale po e bëni, sigurisht që duhet të mbani dhe koston. Keni problem se nuk i merrni dot votat me aleatët? Çështja juaj, se ju thoni që jeni qeveri e fortë, keni votat për të ndryshuar edhe Kushtetutën.

Ervin Bushati: E ndryshuam Kushtetutën, e bëmë.

Ridvan Bode: Atëherë bëjeni dhe këtë, i keni votat, bëjeni!

Erion Braçe: I dëgjova arsyet e shtyrjes së kontratës koncesionare për 10 vjet, është pak të them që nuk jam dakord me ju, por doja të dija që arsyet ekonomike i keni llogaritur. Me arsyet për shtyrjen e kontratës jam dakord vetëm me një pjesë, që nëse koncesionari do ta tregtojë këtë marrëveshje, duhet të njoftojë autoritetin kontraktor, kjo është një arsye shumë e rëndësishme. Përmendët një arsye që është jetëgjatësia e minierës. Unë dua të di, elementi themelor ishte ai pus që duhej të hapej dhe nuk u hap. Kur ky element ishte në kontratë, si mund të merret për të zgjatur kontratën në përfitim të koncesionarit, pavarësisht se kush është ai, ku ka marrë përsipër të blejë një kontratë me të gjitha detyrimet që ka.

Koli Bele: Arsyet ligjore të zgjatjes së kontratës janë parashikuar nga legjislacioni i koncesioneve që është në fuqi.

Erion Braçe: Unë dua të di, keni arsye ekonomike për shtyrjen e kësaj kontrate?

Koli Bele: Kur u miratua kontrata, investimi ishte parashikuar në vlerën 20 milionë dollarë. Investimi shtesë i ofruar është rreth 25 milionë dollarë, pra nga koncesionari ofrohet një investim përtej detyrimit që ka kontrata.

Edmond Spaho: Nuk më pëlqeu që kryetari i Komisionit të Ekonomisë në fillim të diskutimeve u përbetua që do ta votojë kundër, kur koncesionari ka përmirësuar kushtet e punës që kanë qenë gangrenë, ka filluar investimet në pusin bazë, dhe deputeti Keta tha që ky koncesion i jep jetë qytetit të Bulqizës.

Erion Braçe: Një reagim të shkurtër se e do vërtet një përgjigje. Përpara ke përfaqësues të Ministrisë së Energjetikës dhe nuk japin përgjigje politike, se çfarë ka ndodhur nga viti 2002 deri në 2010, që janë shkak i shtyrjes së afatit. Nuk kam thënë asgjë më shumë që nuk po hapet pusi nga koncesionari dhe duhet t’i thonë këta dhe jo unë. Dhe në qoftë se them jam kundër kësaj marrëveshjeje, e them për një arsye, sepse po negociohet në momentin më të keq publik si pasojë e asaj që ka ndodhur 15 vjet më parë.

Edmond Spaho: Me këtë mënyrë përpiqesh të na imponohesh dhe ne të tjerëve, që s’e njohim mirë situatën. Kur thua që të votohet kundër, duhet të sjellësh argumente serioze dhe jo të përpiqesh të mbrosh interesat e tua.

Ridvan Bode: Ne i dhamë koncesionit të aeroportit shtyrje 5 vjet afati pa asgjë. Me kontratën e koncesioneve bëhet një rregullim që i shërben tregut dhe fillimit të programit të investimeve për burimet natyrore.

Edmond Spaho: Kur miratuam kontratën e koncesionit të Rinasit, thatë që do shtohen linjat low cost. Ku i ke? Kë mbronit ju me atë?

Erion Braçe: Unë, për fat të mirë, udhëtoj vetëm një herë në vit, se e dinë të gjithë që unë e kam problem të qëndroj në ajër, dua të qëndroj me këmbë në tokë.

Edmond Spaho: Je proletar i madh ti, ecën më këmbë.

DORINA AZO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura