Të majtët, historia e këmbës “magjike”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 26, 2013 | 11:45

Të majtët, historia e këmbës “magjike”

[portfolio_slideshow]
Nga UVIL ZAJMI

Të mëngjrit, ose futbollistët klasikë të majtë kanë qenë dhe mbeten si sportistët që natyra u ka dhuruar një të veçantë, diçka ndryshe nga të tjerët. Në botën futbollistike, ata më tipikët, më të njohurit dhe që kanë lënë gjurmë, kujtojmë sulmuesit Dragan Xhaiç, Rivelinjo, Eder, Kajzer, Riva, Maradona, apo George Haxhi. Por, edhe Mesi, Roben të tillë janë. Një sulmues i botës së të majtëve është gjithmonë enigmatik, problematik, i paparashikueshëm, i preferuar nga trajnerët, tifozët, jo i pëlqyer nga mbrojtësit e portierët. Po në Shqipëri a ka pasur të tillë ekzemplarë, futbollistë me tipare të veçanta dhe tipike të një sulmuesi të mirëfilltë të majtë? Nëse i hedhim një vështrim historisë së klubeve, vëmë re se edhe në kampionatin shqiptar nuk kanë munguar, madje janë të një niveli të lartë, protagonistë si me klubet e tyre, ashtu edhe me skuadrën kombëtare.
Refik Resmja Futbollist me Tiranën, madje në rolin e portierit, pastaj sulmues i Partizanit dhe i Kombëtares nga vitet 1948 deri në vitin 1964. Unik dhe i papërsëritshëm në stilin e tij. Një dhunti që ia kishte falur natyra. Sulmues i mirëfilltë i majtë, golashënues, improvizues, gjithçka me të majtën “vrasëse”. Një e majtë e jashtëzakonshme, shumë e pabesë, goditëse, harkuese, dribluese, por edhe argëtuese. Një e majtë elegante, fibër dhe shumë e shpejtë. Kur flet për Resmen, menjëherë të vjen në kujtesë e majta e tij, dyshja me Simon Dedën, një binom dhe simbol i paharruar dhe i pazëvendësueshëm që i qëndroi gjatë kohës. Rezultatet, historia, fama e klubit të Partizanit në fillim vitet ’50-të është e lidhur shumë më atë që dhuroi e majta e Refik Resmes. Kthesat në ajër me të majtën, goditje e dënimit, saktësia e improvizimi në ecje e sipër ishin karakteristikat e së majtës së Resmes. Vetë loja e Partizanit, skemat taktike ndërtoheshin tek aftësitë, loja në krah apo në qendër e të majtës së tij. I aktivizuar nga trajneri Myslym Alla, ndeshjen e parë me Kombëtaren e luajti në vitin 1952 ndaj Çekosllovakisë në Tiranë, ndërsa të fundit në vitin 1958 ndaj RD Gjermane po në Tiranë. Në total, vetëm 5 takime zyrtare me përfaqësuesen, por shumë të tjera miqësore. Me Kombëtaren shënoi vetëm një gol, ndaj Polonisë në vitin 1953, ndeshje e luajtur në Tiranë (2-0), kur trajner i përfaqësueses ishte Miklos Valdas (nga viti 1958 deri në 1963-shin pati një ndërprerje pesëvjeçare në ndeshjet zyrtare të Kombëtares). Me Partizanin mban rekordin absolut me 59 golat e shënuar në sezonin 1959, duke u renditur në vendin e 7-të në Ranglistën e golashënuesve më të mirë për gjithë kohërat. 7 herë golashënues nga viti 1951 deri më 1959, me 144 gola realizuar në kampionatet zyrtare. Prej vitesh është ndarë nga jeta. Familja Resmja nuk pati më një tjetër të tillë që të vijonte atë çfarë Refiku la pas. Një legjendë e madhe sportive, dy dekada si futbollist dhe po aq si trajner e drejtues, gjithmonë me një skuadër: Partizanin! Atë klub me të cilin doli shtatë herë kampion dhe katër herë fitues i Kupës së Shqipërisë.
Dhimitër Dimroci I takon futbollit kavajas të viteve ’50-’60-të. E filloi karrierën në vitin 1953 dhe e mbylli më 1967-ën. Tri ishin skuadrat që luajti: Besa, Partizani dhe Luftëtari i Ushtrisë. Mbahet mend si lojtar simbol i Besës, por veçanërisht për të majtën klasike që e dallonte nga të tjerët. Pak gola të shënuar, por me një goditje të shpejtë e të fortë, kur kujtohet një ndeshje me Partizanin në vitin 1957, të luajtur në fushën e vjetër të Kavajës, goditja e fuqishme e Dimrocit përfundoi në portë, ndërsa topi kishte çarë rrjetën në këndin e poshtëm, që nuk ishte parë nga arbitri dhe asistenti i tij, të cilët e konsideruan gol të rregullt. Por, ndërgjegjja e Dimrocit e shtyu të bisedonte me Refik Resmen dhe si dy kapitenë e sqaruan arbitrin për golin e parregullt dhe ai anuloi atë. Takimi përfundoi 1-1. Ose rasti, kur falë lojës së tij, ktheu rezultatin e paharruar ndaj 17 Nëntorit në Tiranë, kur nga 2-1 në 3-2 për Besën, në finalen e parë të Kupës së Republikës në mars të vitit 1963. Pas një jave, në Kavajë, 17 Nëntori fitoi 1-0, por kupën e mori pas gjuajtjeve historike të 11 metrave. Asnjëherë i grumbulluar me Kombëtaren, Mit Dimroci, siç e thërrisnin, u nda nga jeta në moshën 78- vjeçare pak muaj më parë. Nga fëmijët asnjë pasues, asnjë Dimroc tjetër, duke mbyllur një “të majtë” historike për Besën dhe futbollin kavajas që nuk u përsërit më.
Sajmir Dauti (Sallakja) Falë klasit të tij iu tjetërsua edhe emri, madje si në vitet kur luajti, por edhe sot në të gjithë Shqipërinë e thërrasin dhe e njohin me emrin “Sallake”. Sulmues i Dinamos në vitet ’60-’70. Pati një karrierë modeste dhe te Dinamo mbetet si një ndër sulmuesit e majtë tipikë më të veçantë, klub me të cilin e filloi dhe e mbaroi aktivitetin e tij si futbollist. Për kohën u konsiderua një shpërthim dhe një talent, falë së majtës inteligjente dhe shumë tërheqëse. Menjëherë u ingranua me skuadrën e parë, ku kishte emra “të rëndë”. Por, ishte e majta e tij tipike që e dallonte nga të tjerët dhe që u tërhoqi vëmendjen drejtuesve të kohës duke e aktivizuar në formacion e parë të Dinamos. Bashkë me Zhegën, golashënues në edicionin ’66-’67, kur Dinamo u shpall kampione me 38 pikë, duke lënë pas 17 Nëntorin me 31 pikë. Asnjëherë i thirrur në skuadrën kombëtare, Dauti nuk luajti me asnjë klub tjetër gjatë një dekade të karrierës së tij, vetëm me Dinamon. Pati një vëlla futbollist Lulzim Dauti, me Partizanin, por e kundërta e “Sallakes” ishte tipik i djathtë dhe nuk kishte asnjë ngjashmëri me Sajmirin, pasi luante mbrojtës. Edhe nga familja e “Sallakes”, ashtu si shumë të tjerë, nuk pati trashëgimtar futbollist. Nga një herë fitues i titullit kampion dhe i Kupës së Shqipërisë me Dinamon.
Halil Puka I takon brezit të viteve ’60-’70-të. Sulmues tipik “alo i majtë”, për lojën në krah të Vllaznisë në ato vite. Një e majtë karakteristike, në skuadrën shkodrane spikaste dhe ishte një pikë e rëndësishme e sulmit. Ndonëse luante gjithmonë në formacion, pak gola realizoi, pasi nuk kishte atë detyrë. Shumë elegant një e majtë simpatike, i shpejtë, e komandonte mirë topin me të majtën, me një pasim të gjatë të saktë, kujtohet si një ndër të majtët e rrallë që ka nxjerrë shkolla e futbollit shkodran. Një karrierë e gjatë dhe e veçantë e filluar te Vllaznia, pastaj shërbimi ushtarak me Lokomotivën dhe rikthimi sërish te klubi i Vllaznisë. Ishte futbollist i kohës së Selami Danit, Lek Kocobashit, Esat Rakiqit. R.Rragamit, Zhegës. Për aq sa luajti edhe sot kur flitet për mbiemrin Puka të vjen në mendje “aloja” i Vllaznisë, gjithmonë i pozicionuar pranë vijës anësore, që e kishte zonën e preferuar të tij. Asnjëherë nuk luajti me ekipin kombëtar. Edhe pse vitet kaluan e në ato që vijuan erdhën shumë futbollistë të talentuar, Halil Puka do të mbetet unik për klubin e tifozët, sepse pas tij asnjë tjetër tipik i majtë nuk u shfaq më në atë rol te Vllaznia. U largua nga futbolli për të mos u marrë më me të në asnjë drejtim. Prej vitesh jeton në Itali dhe nga familja nuk pati futbollistë që të pasonin emrin e të majtën e tij. Dy herë kampion dhe po kaq fitues i Kupës së Shqipërisë me Vllazninë.
Bashkim Rudi I vetmi përfaqësues sulmues tipik i majtë i futbollit të Shqipërisë së Mesme në vitet ’60-’70-të. Mbahet mend e do të kujtohet për dy momente të rëndësishme: i zbuluar te Labinoti, transferimi si ushtar te Partizani dhe ndeshja e tij me ekipin kombëtar ndaj Irlandës së Veriut në Tiranë, në barazimin historik 1-1. Kjo është e para dhe e fundit, pra e vetmja ndeshje e tij zyrtare e luajtur me ekipin përfaqësues. Kishte fizik robust dhe ishte i veçantë në lojën e tij në krah te Labinoti ku spikati dhe trajneri Boriçi e mori te Partizani dhe e afroi në Kombëtare. Aktivizimi i tij në formacion ndaj Irlandës së Veriut u konsiderua si një surprizë zgjedhja e Boriçit, pasi i mungonte eksperienca, por Rudi luajti mirë dhe u pëlqye. Kishte një goditje të thatë e potente, por vetëm me të majtën, pasi si gjithë të mëngjrit e mirëfilltë, kanë vuajtur në përdorimin dhe aktivizimin e së djathtës. Pastaj, rikthimi në Elbasan te Labinoti dhe fundkarriere pa zhurmë. Pak gola të realizuar, por edhe Bashkim Rudi ka qenë dhe mbetet një ish i mëngjër tipik, pas të cilit futbolli me traditë elbasanas nuk nxori një tjetër. U distancua si me thikë me futbollin, menjëherë sapo vari këpucët në gozhdë. Asnjë vazhdimësi në role teknikësh apo drejtuesish. Edhe nga familja nuk pati të afërm që ta vazhdonte traditën e emrit Rudi, duke mbetur i pari dhe i fundit me këtë mbiemër në historinë e klubit.
Astrit Ziu Jo se ishte sulmues tipik i majtë, por për një fakt të vetëm: në këtë rol luajti vetëm një ndeshje në karrierë dhe asnjëherë më. Ndaj RF Gjermane, në Tiranë, në vitin 1971, Loro Boriçi e aktivizoi si mbrojtës në dukje, por në fakt luajti si sulmues i majtë i fshehur. Aktivizimi i tij për herë të parë e të fundit në këtë rol në Kombëtare u konsiderua fillimisht një taktikë e gabuar, por që pas ndeshjes mund të vlerësohet si një ndër gjetjet taktike më të spikatura të futbollit kombëtar, meritë kjo e Loro Boriçit. Surpriza e Boriçit bazohej te karakteristikat e së majtës së Ziut, kondicioni i tij fizik, loja aktive në krahun e majtë, harkimet nga vija anësore, çka befasoi jo vetëm gjermanët, por edhe mjedisin sportiv shqiptar. Astrit Ziu ishte mbrojtës i ardhur nga Tomori i Beratit në fundvitet `60-të dhe luajti për shumë vite me Partizanin. Pëlqehej nga Loro Boriçi, jo vetëm për të majtën, por kishte një fizik të admirueshëm. Me përfaqësuesen luajti pesë ndeshje, duke shënuar edhe një gol, pikërisht në debutimin e Stambollit, Turqi-Shqipëri 2-1, më 13.12.1970. Më pas luajti dy herë me RF Gjermane, ndeshjen e kthimit me turqit në Tiranë, për ta mbyllur me përfaqësuesen me 21.06.1972, Finlandë-Shqipëri 1-0. Asnjë trashëgimtar i majtë nga familja Ziu (në fakt, djali për një periudhë kohe të shkurtër tentoi), por më pas preferoi të vazhdonte rrugën e tij, duke mbyllur një tjetër kapitull të një të “majti pa trashëgimtar. Nuk pati dëshirë të ulej në stol, por e përfundoi karrierën menjëherë pasi la futbollin. Prej vitesh, Astrit Ziu jeton në Spanjë me familjen. Një herë kampion dhe fitues i Kupës së Shqipërisë, si dhe kampion i Ballkanit me klube, gjithmonë me Partizanin, klubi me të cilin mbylli dhe karrierën. Një herë kampion dhe fitues i Kupës së Shqipërisë me Partizanin.
Shyqyri Ballgjini Dy ishin futbollistët që futbolli durrsak ofroi në ato vite. Shyqyri dhe Haxhi Ballgjini. Të dy të nivelit të lartë, njëri sulmues e tjetri mesfushor. Të dy produkt i shkollës durrsake në nisje, e të aktivizuar më pas me ekipe të njohura si Dinamo e Partizani dhe ekipin përfaqësues. Edhe pse vëllezër futbollistë e me një diferencë të vogël moshe, ndryshonin krejtësisht në një drejtim: Haxhiu, i vogli, kishte të djathtën vepruese, ndërsa Shyqyriu luante me të majtën, e cila e rendit këtë futbollist në grupin e klasikëve të majtë. Futbollist i Dinamos dhe i Lokomotivës së Durrësit në vitet `70-`80, ai ka një karrierë të shkëlqyer, të cilën e ndërtoi mbi të majtën. E kishte të përmasave gjigante, e rrallë për kohën dhe për futbollin shqiptar të asaj dekade. I papërmbajtshëm në shpërthimet në krahë, potent, goditës dhe driblues. Me një stil të ri për lojën klasike të “alës” së majtë, duke iu përshtatur skemave të reja me tipare moderne. Shënues, por dhe një “assist- man” për sulmuesit, pas të cilit vinin golat e Zërit e Përnaskës dhe rezultatet e Dinamos tri vite radhazi kampion. Një e majtë që vuri në vështirësi mbrojtës dhe portierë, pa mundur ta ndalojnë. Një e majtë që e udhëhiqte në mënyrë perfekte topin në vrapime të mesme e të gjata, por edhe në sprinte e shkëputje të fuqishme. Një e majtë që i dhuroi spektakël, kupa e trofe Dinamos. Titullar i ekipit Shpresa, madje kampion Ballkani me këtë skuadër. Debuton më 7 nëntor 1973 me Kombëtaren e Ilia Shukes në miqësoren ndaj Kinës 1-1, duke realizuar edhe golin për shqiptarët. Janë tri vitet e pezullimit të Dinamos dhe futbollit shqiptar (`73-`76) nga aktivitetet europiane. Rikthehet sërish me përfaqësuesen që drejtohet nga Loro Boriçi, në të parën sfidë pas dënimit, në një tjetër miqësore, Shqipëri-Algjeri 3-0. Pastaj në Finlandë, ku në formacion si rrallëherë janë dy vëllezër, Shyqyri e Haxhi Ballgjni. Në vitin 1981, ndeshja e fundit Shqipëri-RFGJ 0-2. Pasi u shkëput nga futbolli aktiv, tentoi ta vazhdonte aktivitetin si arbitër futbolli, por pa mundur të marrë famën e të bëjë karrierën si ajo e futbollistit. Jeton në Durrës bashkë me familjen. Babai i tri vajzave, nuk pati mundësi të kishte trashëgimtar futbollist. I paangazhuar me klube, në rolin e trajnerit apo drejtuesit. Kampion me Dinamon në katër edicione dhe dy herë fitues i Kupës së Shqipërisë.
Musa Fagu Futbollist i shkollës sportive Shkëndija dhe më pas i Partizanit në vitet `70-`80. Një talent i rrallë, një i mëngjër i lindur dhe shumë karizmatik për kohën. Jo trupmadh, por shumë i shkathët. Kur zbriti në fushë, të gjithë spikatën të majtën tipike, atë që pas Resmes i mungonte futbollit shqiptar dhe çuditërisht ishte mjaft e ngjashme me të. E majta e tij ishte një art më vete. Një lojtar klasik i vijës fundore, moderne për kohën, nga ku me të majtën realizonte harkime, driblime dhe shkëputje specifike. Një e majtë mjaft argëtuese edhe për spektatorin, shumë shpërthyese, elegante, por ku fshihej e papritura. Me Shkëndijën e famshme të viteve `70- të ishte ndër lojtarët kryesorë, ndërsa me skuadrën kombëtare luajti vetëm në një ndeshje, por tek ekipi Shpresa ishte titullar në vite. Kujtohet debutimi në Kategorinë e Parë, si dhe goli spektakolar shënuar Muhedinit në fitoren 2-1 surprizë të Shkëndijës ndaj Partizanit, viti 1972, në “Qemal Stafa”. Me Partizanin luajti pas largimit nga Shkëndija, në mesvitet `70-të dhe për disa vite ishte protagonist. Goli i realizuar ndaj Besës në Kavajë, në takimin Besa- Partizani 1-3, në vitin 1980, u bë spoti hapës i “Rubrikës Sportive” në TVSH. Në total ka realizuar 89 gola. Dallohej për sprintin e shkurtër dhe manovrimet me të majtën në një hapësirë të vogël në zonë. Jeton në Tiranë dhe punon si pedagog në Universitetin e Sporteve të Tiranës. Edhe Musa Fagu nuk pati trashëgimtar futbollist. Një herë fitues i titullit kampion dhe po aq i Kupës së Shqipërisë.
Fori Llambi Futbollist i 17 Nëntorit në vitet `70- `80-të. Edhe ky, sulmues tipik me karakteristikat që duhet të ketë një sulmues krahu. Luante vetëm me të majtën, me një stil loje të veçantë, që në atë kohë klubi kryeqytetas nuk e kishte. Shpërtheu në sezonin `72-`73, në një kohë kur 17 Nëntorit i ishte larguar plejada e famshme dhe skuadra po rindërtohej. Trajnerët Konçi e Frashëri e evidentojnë dhe e afrojnë në ekipin e parë dhe bashkë me Dibrën për disa vite formojnë tandemin e famshëm Dibra-Llambi, nga më të veçantët e kohës. Pati karrierë modeste. Por ka qenë dhe mbetet një nga sulmuesit tipik i majtë. Jo shumë i gjatë, pozicional, i fortë në lojën në tokë, i shpejtë, me një të majtë robuste, godiste mirë në ecje e sipër, me një driblim admirues dhe realizues në brendësi të zonës. Shënoi pak gola, por ata që realizoi ishin dhe kanë mbetur historikë: ai ndaj Dinamos, kur barazoi në fund shifrat në 2-2 (nga 2-0 për Dinamon), duke i lënë të habitur të gjithë në “Qemal Stafa”. Asnjëherë nuk luajti me ekipin kombëtar. Sot ndërkaq pak e kujtojnë Fori Llambin. Jeton në Tiranë dhe punon si mësues i edukimit fizik në shkollën “Kushtrimi i Lirisë”. Futbollin e ka lënë pas si edhe pasionin, duke e mbyllur gjithçka bashkë me karrierën. Nuk pati asnjë pasardhës futbollist në familje. Dy herë fitues i Kupës së Shqipërisë.
Agustin Kola Një tjetër sulmues, tipik i gjeneratës së të majtëve që i përket viteve `80-`90. Sulmues me Shkëndijën e 17 Nëntorin, por edhe ekipin kombëtar. Shpërtheu pikërisht kur Ballgjini, Llambi e Fagu, të fundit e të majtëve të viteve `70-të, sapo kishin mbyllur karrierën. Fillimviteve `80-të të futbollit shqiptar i mungonte një i tillë. I evidentuar te Shkëndija për një të majtë me të ardhme: potente dhe agresive, të paparashikueshme, të frikshme. Një sulmues i kompletuar, realizues me të majtën në çdo pikë të zonës, shumë i fortë fizikisht në lojën në ajër, në dyluftime dhe me një ego sportive të rrallë. Me të majtën spektakolare, ai ndërtoi karrierën e gjatë e të suksesshme. Gola, driblime, shumë i vështirë për t’u mbuluar dhe mjaft problematik për kundërshtarët. E majta e Kolës edhe sot mbetet një pjesë e rëndësishme në historinë e dy klubeve: Shkëndija e 17 Nëntori, por edhe të ekipit kombëtar. Mbi 400 gola të realizuar. Pas tij, klubi i famshëm kryeqytetas nuk ka prodhuar një tjetër si Agustin Kola, një talent i papërsëritshëm. Karrierën 20-vjeçare e filloi në vitin 1977- 78 me Shkëndijën, pastaj me 17 Nëntorin, pak vite në Greqi me klubin Egalio (vitet `90-të), për ta mbyllur me 17 Nëntorin në vitin 1997. Vetëm një gol në takimet zyrtare me Kombëtaren, me të cilën luajti si titullar në 25 ndeshje: debutoi në tetorin e vitit 1981, duke zëvendësuar në rolin e sulmuesit të majtë Sh.Ballgjinin në ndeshjen ndaj Bullgarisë 0-2, për ta mbyllur në Rumani në shtatorin e vitit 1988 (3-0) me trajner Sh. Rrelin. Sot punon dhe aktivizohet si trajner me ekipet e moshave të 17 Nëntorit. Edhe Agustin Kola nuk pati ndjekës futbollist nga trashëgimtarët, duke e mbyllur këtu futbollin e luajtur. I paharruar goli me Kombëtaren në Mielec, Poloni- Shqipëri 2-2, në vitin 1984. Dy herë golashënues: 1987-88 me 18 gola dhe 1988-89 me 19 gola. Gjashtë herë kampion dhe katër herë fitues i Kupës së Shqipërisë (140 gola të shënuar: 7 me Shkëndijën dhe 133 me 17 Nëntorin). Sollëm në kujtesë disa prej atyre që kanë luajtur sulmues tipikë të mëngjër dhe që u përkasin disa dekadave. Futbolli shqiptar ka regjistruar edhe të tjerë të tillë, shumë të shquar e me një karrierë brilante, jo vetëm me klubet, por edhe me përfaqësuesen, si S. Deda, G.Kasmi, E.Abazi, B.Kola, F.Filjari, E.Licaj, A.Arra, S.Dedja, L.Perloshi, K.Zile, L.Senga, A.Kaçaçi, I.Kepa etj. Por, kanë qenë mbrojtës apo mesfushorë. Te “Historia shqiptare e këmbës magjike” – folëm për sulmuesit klasikë të majtë, ata që luajtën e lanë gjurmë në këtë rol.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"