“Si më dogji Partizani studimet dhe më hoqën me urdhër të Beqir Ballukut”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 23, 2016 | 0:02

“Si më dogji Partizani studimet dhe më hoqën me urdhër të Beqir Ballukut”

Në ndeshjen Luftëtari-Partizani 1-1, zhvilluar më 5 nëntor, në tribunën VIP të stadiumit të rikonstruktuar ra në sy prania e Theodhor Kallucit, që të gjithë i flasin shkurtimisht Dhori. Ishte aty, jo thjesht si një legjendë e futbollit gjirokastrit, por si një ish-lojtar i Partizanit për dy sezone.

Në atë ndeshje “Mjeshtrit të Sportit” iu rikthyen emocionet dhe për “Panorama Sport” ai pranoi të rrëfente ekskluzivisht “tradhtinë” e drejtuesve të pushtetit vendor të viteve ’70 sa i takon “degdisjes” nga Gjirokastra në Tiranë.

Luftetari 78-88

Theodhor Kalluci (i pari, majtas, i ulur), pjesë e Luftëtarit të brezit të artë, i drejtuar nga Hito Hitaj, që e mbylli sezonin 1978-1988 në vendin e dytë, duke humbur titullin vetëm në javën e fundit.

Dhori, si u bëtë pjesë e Partizanit të viteve 1970- 1972, kush ishin “aktorët” që sollën jo pak pështjellime në jetën tuaj gjatë viteve ’70?

Në vitin 1969 përfundova maturën në gjimnazin “Asim Zeneli”, si një nxënës i mirë, për më tepër me biografi të mirë, me padurim si gjithë të rinjtë prisja të merrja bursë. Në fakt nuk ndodhi kështu, drejtuesit lokalë nuk më lejuan me pretekstin se isha i nevojshëm për ekipin gjatë sezonit 1969-1970. Në një kohë që vitin tjetër prisja të shkoja në shkollë, u zbulua dhe “tradhtia” e drejtuesve. Në mars të 1970 thirrem nga dega ushtarake ku më thonë se duhet të shkoja ushtar. I revoltuar kundërshtova këtë vendim, por më kot.

Pasi iu drejtova drejtuesve: “Pse më mbajtët me fjalë të mira duke më fërkuar kokën?”, përgjigjja e tyre ishte: “Deri këtu e kemi hapin”. Sapo nisnin përgatitjet 1970 më thërret ekipi i Partizanit, gjithnjë përmes “puçit” të drejtuesve të Gjirokastrës. Unë do t’i bashkohesha Partizanit me formulën 1 për 3. Ibrahim Braho lirohet para kohe nga ushtria, duke qenë pjesë e Kuçovës dhe bashkë me të Vullnet Dedej dhe Koto Zile i bashkohen ekipit të Luftëtarit.

Si ia dolët të përshtateshit me Partizanin, pasi pjesë e tij në ato vite kanë qenë emra të mëdhenj, si Panajot Pano, Lin Shllaku e të tjerë?

Me kalimin e muajve, kur u bëra pjesë e Partizanit, rastësisht takohem me grupin e shpresave të Partizanit. Shpresat e asaj kohe drejtoheshin nga Skënder Dede. Në kontaktin e parë trajneri Dede më thotë: “Pse erdhe me vonesë?” dhe unë me droje i përgjigjem: “S’kam ardhur për këtu”. Kjo ishte “tradhtia” e dytë e klubit të Luftëtarit, pasi nuk më kishin njoftuar zyrtarisht se do të isha pjesë e ekipit të shpresave të Partizanit, pasi çdo gjë ndodhi brenda një harku të shkurtër kohor. Megjithatë, pavarësisht këtyre peripecive me ekipin e shpresave të Partizanit mbahem mend si golashënues, numri i të cilëve nuk më kujtohet.

U ambientova në sezonin 1970-1971, edhe pse nuk isha me aktivizim të plotë, pavarësisht se isha golashënuesi i dytë më i mirë i ekipit me 7 gola, pas të madhit Panajot Pano. Deri këtu gjithçka mendoja se ishte në rregull, derisa erdhi sezoni tjetër, 1972, ku nuk gjeta vendin, mënyrën dhe trajtimin e duhur.

Çfarë ju shtyu të largoheshit nga Partizani dhe pse këmbëngulët për “divorcin”?

Nisur nga mosaktivizimi i plotë dhe mospjesëmarrja ime në Kupën e Kampioneve, pasi siç dihet Partizani u shpall kampion në vitet 1970-1971, kërkova pranë Ministrisë së Mbrojtjes të transferohesha si ushtar dhe të luaja pranë ekipit të vendlindjes, Luftëtarit. M’u mohua gjithçka, me absurdin se unë nuk paskësha qenë në rolin e ushtarit, por isha regjistruar si student i Shkollës së Bashkuar.

As vetë nuk arrita ta besoja trillin e radhës, edhe pse listova disa nga arsyet e largimit nëpërmjet një firme që edhe sot me plot gojën mund të them se nuk ishte e imja, përfundimisht mbeta te Partizani. Sezoni i dytë rrodhi normalisht te Partizani, megjithatë unë prapë bëra një kërkesë që të largohesha nga Partizani dhe paradoksi tjetër është se do të largohesha si oficer i dalë në lirim, pa mbaruar asnjë shkollë. Këto janë pengjet e mia, që e kanë zanafillën që nga drejtuesit e Luftëtarit, deri tek ata të Partizanit.

Do të isha hipokrit po të mohoja përkrahjen dhe mbështetjen që më kanë dhënë të gjithë te Partizani dhe pse ishin më të mëdhenj se unë në moshë. Këtu do të veçoja të mëdhenjtë Panajot Pano dhe Lin Shllaku. Nuk mund të harroj dhe shokët e dhomës, Bujar Cani (i cili nuk jeton më), Jovan Shandro, Fatmir Ismaili dhe më vonë Mitat Shehun. Kjo ishte historia ime te Partizani, shkova si ushtar i imponuar dhe u lirova si oficer.

Luftetari 70-90

Nga e majta në të djathtë (lart), Dh.Kalluci, Lamaj, Liti, Shoni, Gj.Kalluci, Boni; Shameti (poshtë), Çabeli, Angoni, Grabova dhe Bellai. Ish-futbollistë të viteve ’70-’90 të Luftëtarit, në një takim miqësor të zhvilluar mes tyre gjatë dy viteve më parë në Gjirokastër.

Ju pohoni se keni qenë golashënuesi i dytë më i mirë i Partizanit, pas Panajot Panos. Po kur jeni ndeshur ndaj Luftëtarit, keni shënuar ndonjë gol?

Ekipit të shpresave të Luftëtarit i kam shënuar disa gola, por ekipit të parë jo. Këtë e kam peng të jetës, jo se kam dashur të ndëshkoj Luftëtarin, por ata që më degdisën dhe më mohuan rininë time, duke më mohuar të drejtën e shkollës së lartë. M’u krijua mundësia gjatë një ndeshjeje të luajtur në Tiranë në sezonin 1970-1971, ku përballë të madhit Ksenofon Caro nuk shënova dhe menjëherë më zëvendësuan pas një minute.

Ishte trajneri Loro Boriçi, ai i cili pas ulëritjes së Petrit Dumes (ministrit të Mbrojtjes) kërkoi menjëherë zëvendësimin tim. Largimin nga Partizani, pas insistimit tim, ia detyroj Bejkush Birçes si dhe Beqir Ballukut. Pasi kishte marrë vesh insistimin tim për t’u larguar nga Partizani, nëpërmjet trajnerit Bejkush Birçe, i cili kur shkuam në Vlorë drejtonte Flamurtarin, dhe djalit të tij Vladimir Balluku mësova se nga goja e Ballukut ishte thënë: “Boll i kemi rënë në qafë atij djali”.

Dhori, e lëmë pas të shkuarën dhe i rikthehemi të sotmes. Çfarë keni menduar kur shikonit Luftëtarin kundër Partizanit, në një ndeshje që u mbyll pa fitues?

Së pari, më duhet të them se të tillë atmosferë kisha kohë që se kisha përjetuar në Gjirokastër, ndërsa për sa i përket takimit mund të them se barazimi ishte rezultati më i drejtë. Futbolli i sotëm nga ai i mëparshëm ka shumë ndryshime, por për një gjë mund të them se veprimet e sulmuesve janë shumë të lexueshme nga mbrojtësit. Kjo është një e metë e të gjithë futbollit shqiptar, të paktën për këtë fazë të parë.

Çfarë përshtypje ju lë ky Luftëtar?

Nuk mendoj se Luftëtari është i rrezikuar këtë kampionat, pasi ka një trajner të mirë dhe shumë të besueshëm. Nisur nga kontingjenti që ka, mbështetja financiare e presidentit, por edhe futbollistët aktualë, të cilët më duken shumë korrektë, besoj se do të shohim një ekip shumë argëtues. Fillimisht trajneri e mori pak me frikë garën pasi nuk e njihte futbollin shqiptar, por me kalimin e javëve ai është me këmbë në tokë.

Që Luftëtari të sigurojë mbijetesën me kontingjentin aktual mund t’ia dalë apo ka nevojë për ndërhyrje të tjera?

Duke qenë se janë vetëm 10 skuadra dhe në klasifikim janë afër mendoj se Luftëtari ka domosdoshmëri afrimin e një sulmuesi që të tërheqë përpara, 1 mesfushori, ndoshta edhe 2, pasi mesfushorët lodhen, dëmtohen më shumë se të tjerët si dhe penalizohen me kartonë. Mirë do të ishte që edhe në mbrojtje të kishte freskim. Duke pasur parasysh se kampionati është i gjatë dhe shumë i fortë edhe porta duhet të marrë një tjetër portier, i cili të jetë i gatshëm që në ndeshjen e parë, këtu nuk duhet mohuar dhe puna e Mirakës.

Cilën skuadër shihni si më të avantazhuar si fituese të titullit kampion?

Skuadrat potenciale për mendimin tim janë Partizani dhe Skënderbeu, por gjithçka mund të ndodhë në futboll, siç ndodhi vjet në Angli me “hirushen” Leiçester.

Dhori Kalluci

Kush është Theodhor Kalluci

Legjenda e futbollit gjirokastrit, Theodhor Kalluci, ka lindur më 1 prill të vitit 1951 në qytetin e gurtë. Karrierën e nisi me ekipet e moshave të Luftëtarit dhe për herë të parë me të rinjtë u angazhua më 25 shtator të vitit 1965. Më pas u grumbullua me ekipin e parë të Luftëtarit, më 15 dhjetor 1967, teksa debutoi në një ndeshje miqësore ndaj Teutës. Deri në vitin 1970 ka qenë pjesë e skuadrës gjirokastrite, për të kaluar më pas te Partizani, ku u aktivizua për dy vite radhazi.

Në sezonin 1970-1971 u shpall kampion me të kuqtë e kryeqytetit. Kalluci u rikthye te Luftëtari në verën e vitit 1972, për të luajtur me bluzinjtë deri në vitin 1982, kur dhe i dha fund karrierës. Në sezonin 1972-1973, ishte golashënuesi i dytë më i mirë i kampionatit me 16 gola, dy më pak se Ilir Përnaska i Dinamos. Në sezonin më të mirë të ekipit gjirokastrit, pikërisht 1977-1978, ku Luftëtari ishte nënkampion, Kalluci bëri njëkohësisht edhe detyrën e zv.trajnerit, duke qenë krahu i djathtë i Hito Hitajt.

Pasi i dha fund karrierës në vitin 1982, Kalluci vazhdoi si zv.trajner te Luftëtari deri në vitin 1988. Më pas, nga viti 1993-1995 drejtoi ekipin e parë të Luftëtarit në Kategorinë Superiore, duke u renditur në vendin e pestë në kampionat. Që prej largimit nga Luftëtari si trajner, Kalluci iu përkushtua skuadrave të moshave në Gjirokastër.

Ndërkohë, si lojtar është grumbulluar nga Kombëtarja shqiptare në vitet 1973-1974, teksa është aktivizuar vetëm në një takim, Shqipëri-Finlandë 1-0. Për fatin e tij të keq dhe të brezit të vitlindjes 1951, me urdhër së qeverisë së kohës, Kombëtarja qëndroi 4 vite pa u përfaqësuar në arenën ndërkombëtare, pikërisht pas një humbjeje nga Gjermania Lindore.

TOMOR SHEHU