EKSKLUZIVE/ Romela Begaj me doping, reagon bashkëshorti: Jemi të pastër, duam azil po na dënuan

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 17, 2018 | 11:52

EKSKLUZIVE/ Romela Begaj me doping, reagon bashkëshorti: Jemi të pastër, duam azil po na dënuan

Gazmend Hakcani është jo vetëm trajneri, por edhe bashkëshorti i Romela Begajt. I kontaktuar nga “Panorama Sport”, ai betohet mbi pastërtinë e sportistes dhe premton se kjo çështje do të vazhdojë edhe më tej dhe jo vetëm me hapjen e “Testit B”.

gazmend hakcani

Zoti Gazmend, e dimë që nuk është një moment i lehtë për ju, për faktin e lajmit që ka dalë mbi Romelën duke qenë se përveçse trajneri, jeni edhe bashkëshorti i saj…

Është një lajm i rremë. Mos e merrni shumë për bazë.

Cila është e vërteta e kësaj ngjarjeje?

Bëni pak durim, nuk ka mbaruar ende asgjë. Ky është vetëm një lumë thashethemesh. Unë, Gaz Hakçani, bashkëshorti i Romelës, e jap me jetë se ajo nuk ka përdorur “Stonazolol”. I gjithë problemi është se, Shqipëria është një vend me 3 milionë banorë. Dua vetëm t’ju shpjegoj diçka: Romela në 2014-ën është akuzuar për këtë substancë të mallkuar, “Stonazolol”, i cili kërkon 7-8 muaj të dalë nga trupi i njeriut.

Tani më thuaj, nëse është kjo një çmenduri apo jo dhe po të them për çdolloj individi, çdolloj sportisti, apo qoftë edhe një punëtor krahu, që të djegë veten?! Kjo është një çmenduri! Fatkeqësia është se Shqipëria, një vend me 3 milionë banorë, del dhe triumfon mbi vende shumë herë më të mëdha, si Kolumbia e Amerika, por në fund del Romela pozitive me “Stonazolol”.

Romela thjesht duhet përkrahur, por kjo përkrahje duhet të vijë nga të gjithë. Duhet t’i shkojmë nga fillimi deri në fund, gjithçkaje. Me gjyq, me gjyq… Fatkeqësia e Romelës është që ka lindur në Shqipëri, vetëm kjo është ajo që e dënon këtë talent të madh.

Ta dini, në Shqipëri të gjithë e kanë provuar dopingun… Por Romela ka dhënë vetëm një gjë: dha provën se në Amerikë nuk mund ta ngrinte flamurin shqiptar asnjë tjetër përveç Romela Begës. Edhe unë s’jam në momente të mira. Edhe unë jam i akuzuar për vajzën sepse unë e kam edhe pjesë të familjes. Romela nuk ka bërë krim, Romela bëri vetëm krenare Shqipërinë, shkoi ngriti flamurin tonë atje. Por ka edhe diçka, ka edhe një test B.

Do t’ju pyesim për “Stonazololin”, si merret kjo substancë?

E dini çfarë do të thotë të kapesh me “Stonazolol”? E dini çfarë është kjo substancë? Kjo është një substancë për kuajt… Për këtë është akuzuar vajza. Është një skandal, një turp. Dhe fajtore për këtë është vetëm Federata Botërore e Peshëngritjes, e cila kërkon të favorizojë sportisten amerikane që u rendit pas Romelës.

Ne si media mësuam se substanca e “Stonazololit” i ka rezultuar vetëm në urinë, ndërsa në analizat në gjak nuk ekziston. Si ka mundësi që të ndodhë kjo duke qenë se substanca kërkon 7-8 muaj që të zhduket nga trupi i njeriut? Duhet të jetë bërë diçka në provëzën e urinës se ndryshe nuk ka mundësi…

Kjo është një lojë që nuk e kap dot, as ju si media dhe asnjeri. Unë di të them se morën në qafë sportisten më të mirë, talentin më të mirë që ka toka shqiptare. Unë betohem për familjen: “Nëse Romela Begaj e ka marrë këtë substancë, të vijë eksperti më i madh dhe ta konfirmojë këtë, unë… Unë ta them me jetë se nuk e ka marrë…!”

Romela, si po e përballon këtë moment, cila është gjendja e saj?

Romela është e qetë. Ajo më thotë: Gaz, ta përballojmë dhimbjen dhe të sulmojmë aty ku duhet. Në fund fare, unë di të them vetëm se Romela është ajo që ngriti flamurin tonë. Nëse del dikush tjetër që e bën këtë që arriti ajo, jam unë që dal dhe do të kërkoj falje. Po ta them unë i “Stonazololit”… Madje, hajde t’ia vëmë emrin edhe fëmijëve tanë, Stonazolol… Është skandal! Është një turp që po i bëhet Romelës!

Nuk ka sens që të kapesh me “Stonazolol” përpara 4 vitesh, kalon 10 kontrolle dopingu dhe del sërish me “Stonazolol”. Gjaku del i pastër dhe urina del e pisët. Më thoni, ka sens kjo?! Kemi bërë teste në Shqipëri dhe në Greqi e kudo, i kam të gjitha me letra, jo me fjalë. Harrojeni faktin se Romela mund të jetë dopuar… Neve na ka vizituar WADA në 7 të mëngjesit, në 8 të mëngjesit… Jemi të pastër.

Tani, si do të procedohet me punën e “Testit B”, duke qenë se edhe për këtë procedurë ka shpenzime të mëdha.

Ne i kemi shpenzuar 40 mijë euro, herën e parë. Shpresojmë që të shpenzojmë edhe nja 40 mijë të tjera… Dhe, në fund fare, nëse e humbim edhe këtë kauzë, e di çfarë na ngelet për të bërë: të ikim nga kjo Shqipëri, të zhdukemi! Sepse këtu ka shumë njerëz që kanë marrë azil politik… Mbase edhe ne mund të dalim në azil politik. Pastaj, nëse dikush e ngre flamurin, siç bëri Romela, pa “Stonazolol”, le ta gëzojë!

JETON STAMOLLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"