Agjërimi i Zijeh dhe Mazrauit tërbon Ajaksin, dietologu i klubit del kundër
Sot nis muaji i madhërishëm i Ramazanit dhe sigurisht që agjërimi që bëhet gjatë këtyre 30 ditëve do të prekë edhe shumë futbollistë, mes të cilëve dy ndër titullarët e skuadrës së Ajaksit.

Sulmuesi Hakim Zijeh dhe mbrojtësi anësor, Nusair Mazraui, kanë lajmëruar se do të agjërojnë, por diçka e tillë duket se nuk është pritur mirë nga dietologu i skuadrës holandeze, Rejmond Verheijen, duke parë edhe pjesën e nxehtë të sezonit që luajnë “harkëtarët”. Pa dyshim që të qëndruarit pa ujë dhe ushqim ndikon jo pak në formën fizike të futbollistëve, duke menduar kilometrat dhe sforcon fizike që kërkon fusha e lojës, prandaj në një deklaratë për anglezen “Mirror”, Verheijen ka dalë kundër vendimit të dy lojtarëve, të cilët mund të ndikojnë negativisht në fatet e gjysmëfinales së kthimit kundër Totenhemit, të mërkurën në mbrëmje, në “Johan Krojf Arena”.
“Do të ishte prej të papërgjegjshmish që Zijeh dhe Mazraui të agjëronin sivjet për Ramazan, duke parë se në çfarë beteje të ashpër është Ajaksi në këtë moment, duke llogaritur të gjitha frontet në të cilat lufton (dje fitoi Kupën e Holandës). Situata e Ajaksit është ekstreme, por nuk e di se sa të ndërgjegjshëm janë këta dy futbollistë për atë që mund të arrijnë në këtë sezon madhështor që po bëjmë.
Trupi i futbollistëve i vuan keq ndryshimet radikale, duke menduar se për 11 muaj kanë pasur një model tjetër diete dhe stërvitjeje. Dhe të tentosh ta ndryshosh atë për 3-4 ditë mund të jetë e rrezikshme, qoftë edhe për Zijeh dhe Mazraui. Të mosushqyerit do të ulë shumë nivelin e sheqerit në gjak të lojtarëve dhe mund t’i bëjë ata që të humbin përqendrimin, por edhe muskujt do të lodhen shumë herë më shpejt sesa nga normalja, – vazhdon Rejmond Verheijen. – Të mërkurën, dielli do të perëndojë në orën lokale 21:18, ndërsa ndeshja me Totenhemin do të nisë në 21:00.
Si mund të mendosh të luash një ndeshje pa ushqim? Po sikur kjo gjysmëfinale të kalojë në kohën shtesë?! Ndaj, shpresoj që dy lojtarët tanë të vendosin të ndërrojnë mendje, pasi për ta do të jetë e pamundur të luajnë në një nivel të lartë të mërkurën, ndonëse e duartrokas vullnetin e tyre kundrejt bindjeve fetare që kanë”, u shpreh dietologu i Ajaksit.
Përgatiti: JETON STAMOLLA













