Sot në “Metropol” komedia e censuruar gjermane. Çipi: “Brekët”, flamuri i vërtetë i shumë burrave

Feb 27, 2015 | 13:19
SHPËRNDAJE

Do të mjaftonin një palë të mbathura grash që të bënin lëmsh një qytet të tërë. Një gruaje të re i bien të mbathurat gjatë një mitingu, çka do të shkaktonte një stuhi të vërtetë jo vetëm në familjen e saj, por në mendjet e gjithë burrave të qytetit, që do të bënin të pamundurën për të pasur një marrëdhënie erotike me të. Ishte fillimi i shekullit të 20-të, kur Carl Sternheim ngjiti në skenën gjermane komedinë “Brekët”, e cila do të ndalohej menjëherë nga censura e kohës.

Pjesë nga shfaqja

Të flisje për seksin dhe të parodizoje me flamurin kombëtar ishte shumë e rëndë asokohe. Një shekull më pas, regjisori Kastriot Çipi e rimerr këtë vepër dhe e ngjit në skenën e Teatrit të metropolit. Sipas tij, ajo është tepër aktuale për Shqipërinë e sotshme, ku për seks e për pushtet shumë burra janë gati të shesin edhe kombin.

Ngjisni në skenë një vepër me një titull provokues, është një metaforë apo me të vërtetë “punë brekësh”?

Janë brekë që nxisin fantazitë e meshkujve të uritur seksualisht, brekë që simbolikisht bëhen flamur i këtyre burrave, një flamur të cilit i falen dhe për të cilin venerojnë, si kundërpërgjigje e demagogjisë që shesin çdo ditë të vitit nga mëngjesi deri në darkë.

Bëhet fjalë për një vepër të ndaluar në Gjermani në fillim të shekullit të shkuar, për ç’arsye?

Është një vepër e ndaluar nga censura gjermane në 1911, por nuk ishte vetëm problemi i titullit, por dialogët me karakter seksual dhe provokimi me flamurin gjerman, të cilin ne e kemi zëvendësuar me atë shqiptar. Për Gjermaninë e asaj kohe ishte e papranueshme të flisje për seksin, për shtypjen e gruas në familje e shoqëri dhe të përqeshej demagogjia nacionaliste patriotike gjermane. Sternheim i ka merituar të gjitha vlerësimet e mundshme. Në një Gjermani nacionaliste, perandorake, në një shoqëri të pazhvilluar, vepra ishte shumë e guximshme dhe unë e kuptoj vendimin e censurës. Nuk e justifikoj, por e kuptoj pse censura gjermane është revoltuar me këtë vepër.

Regjisori Kastriot Çipi dhe aktorët në prezantimin e komedisë “Brekët”

Sa shqiptare është kjo vepër?

Pas 100 vjetësh, më aktuale se në Gjermani apo në Europën Perëndimore, është në një vend si Shqipëria apo në vende të ngjashme për nga historia apo zhvillimi socialekonomik. Ne ende jemi në një tranzicion 25-vjeçar që nuk po merr fund kurrë, pas njërës prej diktaturave më të ashpra në Europë, por nuk ishte thjesht politike, por që e ka shtypur njeriun në të gjitha dimensionet e veta. Një diktaturë ku është klonuar ideologjia më e keqe komuniste me patriarkalizmin e trashëguar nga 500 vjet të sundimit otoman.

Përveç kontekstit seksual, a ka vepra juaj edhe një dimension politik?

Patjetër që luhet me politikën, sepse personazhi kryesor, ashtu si mburret që është një burrë që mbron familjen teksa e shtyp atë, sidomos gruan, ndërsa nga ana tjetër shijon të gjitha kënaqësitë e jetës, me të njëjtën logjikë ai shet moral patriotik, luan rolin e qytetarit të devotshëm që respekton dhe mbron institucionet e vendit. Por në fakt është vetëm një servil, që është gati t’i shtrihet para eprorit të tij. Nga ana tjetër, kemi edhe atë që është përfaqësuesi i pushtetit, kryetari i cili nuk ndryshon nga burrat e tjerë. Është aq i paskrupullt dhe i pamoral, sa dhe gjithë personazhet e tjerë të veprës.

Ç’reagime prisni?

Besoj që femrat shqiptare në publik do të argëtohen shumë. Ndoshta një pjesë do të nënqeshin, pa u vënë re nga partnerët me të cilët do të vijnë në shfaqje, po besoj se më keq do të ndihen burrat. Dhe do të më vijë mirë nëse do të ndodhë kështu, sepse provokimin kryesor ua bëj pikërisht atyre. Meshkujt shqiptarë jo gjithmonë e kuptojnë momentin që po kalon Shqipëria, për shkak të rrethanave historike, jo gjithnjë e kuptojnë se femrat kanë një potencial, i cili fatmirësisht është në ekspansion. Ka një “revansh” pozitiv nga ana e femrave për të fituar kohën e humbur jo vetëm nga 45 vjet komunizëm, por edhe 500 vjet otomanizëm. Dhe në këndvështrimin tim, sot më tepër ambicie profesionale dhe premisa për t’u vetërealizuar kanë më shumë femrat se meshkujt, edhe pse në shoqërinë shqiptare këta të fundit i pengojnë me një mijë mënyra dhe i diskriminojnë.

Mendoni se loja me ngjyrën e flamurit do të ngjallë polemika?

Publiku duhet ta kuptojë që teatri nuk është jetë. Frymëzohet nga jeta, por nuk është ajo. Nëse publiku i Tiranës vazhdon të jetë ai i viteve ’40, që ngatërronte Qazim Mulletin personazh në teatër dhe atë real, atëherë kemi të bëjmë me një keqkuptim të madh. Kam dëgjuar një intervistë të të birit, në të cilën thoshte se në atë kohë nuk dilte dot në Tiranë, se njerëzit që nuk e kishin kuptuar se ç’ndodhte në teatër, besonin se Shiti ishte ai që dilte çdo natë në skenë dhe tallej me të atin. Të gjithë ata që kishin respekt për Qazim Mulletin, e quanin të paturpshme këtë sjellje, e qortonin, madje i kanë rënë dhe me shuplakë. Që brekët të kenë ngjyrën e flamurit apo simbolet kombëtare nuk është ndonjë sakrilegj, pasi boll të shohësh veshjet e sportistëve në gara olimpike, ku simbolet janë kudo. Me këtë ne duam të themi që për disa flamuri i vërtetë janë brekët. Fatkeqësisht për seks, për pushtet dhe për para, një pjesë e madhe e njerëzve në të gjithë botën do të shisnin shumë lirë flamurin dhe interesat e kombit.

SHFAQJA

Titulli: “Brekët”

Autori: Carl Sternheim

Regjia: Kastriot Çipi

Interpretojnë: Gentian Zeneli, Alesia Xhemalaj, Laert Vasili, Valina Muçolli, Dorjan Ramaliu, Apostol Kaçi
Skena: Hysni Loka

Kostume: Ina Elezi

Premiera: 27.02.2015

Salla: Çehov

Ora 19:00

“Me syrin e një klouni” rikthehet në Teatrin Kombëtar

Monodrama “Me syrin e një klouni” nga Heinrich Böll rikthehet në skenë në Teatrin Kombëtar. E vendosur për herë të parë në vitin 2007, Ema Andrea e Neritan Liçaj rikthehen për publikun me një nga veprat më të famshme të Böll, sjellë në shqip nga Ardian Klosi.

“Me syrin e një klouni” është drama e artistit të përjashtuar nga shoqëria, familja, e dashura dhe qarqet kishtare për arsye të antikonformizmit dhe rebelimit ndaj normave sunduese në shoqërinë e mirëqenies ekonomike dhe botës së showbiznesit, për arsye të mospajtimit me fshehjen dhe shtrembërimin e së kaluarës.

Vepra vjen nën regjinë e Ema Andreas, nën interpretimin e aktorit Neritan Liçaj, me skenografi të Edi Hilës dhe kostumografi të Berina Kokonës dhe Edlira Qyshkës. Hans Schnier është një artist 27-vjeçar, interpretuar nga Liçaj që, megjithëse ndihet i braktisur, vazhdon të jetë aq naiv, saqë vazhdon të shpresojë te humanizmi.

Vepra “Me syrin e një klouni” (Ansichten eines Clowns) është një nga më të suksesshmet e Heinrich Böll, bashkë me “Nderin e humbur të Katerina Blumit”. U botua në shqip në 1984.

Me gjithë pjesët e censuruara, pati jehonë të veçantë në kohën kur u botua. Monodrama do të shfaqet nesër mbrëma dhe më datë 1 mars.

Biblioteka Kombëtare, ekspozitë për Gustav Weigand

Viti i kujtesës së të gjithë atyre që kanë dhënë kontributin në pasurimin e Bibliotekës kombëtare, nis me ekspozitën “Biblioteka e një ballkanologu”, kushtuar studiuesit gjerman Gustav Weigand, në 155-vjetorin e lindjes. Jo vetëm një studiues dhe kërkues i apasionuar i rrënjëve të shqipes, por edhe një donator.

Në vitin 1930, ai i ka dhuruar Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë koleksionin e tij personal albano-ballkanologjik prej 81 titujsh. Ekspozita me titujt më të rëndësishëm të dhuruar prej tij do të shoqërohet me një referim shkencor kushtuar kontributit gjuhësor të Weigand-it nga ballkanologu prof. Dr. Dhimitër Bello. Ai do të fokusohet më së shumti në veprën “Etnografi e Maqedonisë”.

Weigand ka një kontribut të rëndësishëm në fushën e ballkanologjisë. Është hartues atlasesh gjuhësore, hulumtues i marrëdhënieve mes gjuhëve e kulturave të popujve ballkanikë. Tezat e tij mbi prejardhjen e gjuhës shqipe prej trakishtes kanë nxitur debate të shumta shkencore.

Teza e tij me 12 argumente u botua në vitin 1927 në “Balkan Archiv”, u përkthye dhe botua në të njëjtin vit në revistën “Diturija” nga Aleksandër Xhuvani. Weigand njihet gjithashtu edhe me “Gramatikën e gjuhës shqipe” (1913) dhe “Fjalorin shqip-gjermanisht dhe gjermanisht-shqip” (1914).

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura